Ngjarje e vërtetë: Si e bëra për vete vjehrrin tim të ardhshëm (3)

  • 01 December 2020 - 15:51
Ngjarje e vërtetë: Si e bëra për vete vjehrrin tim të ardhshëm (3)

Atë të shtunë bleva një buqetë të madhe lulesh për vjehrrën time të ardhshme dhe një pije për vjehrrin. Nuk e hoqa unazën e fejesës, të cilën e kishte zgjedhur Krenari. Ishte nga ari i bardhë, me smerald të madh, që të përshtatet me sytë e mi, sikur që kishte thënë ai. Me kujdes zgjodha atë që do të vishja, meqë doja që të lija përshtypje të mirë. Kur Krenari ma hapi derën, u përqafova me nënën e tij, derisa babai i tij më shikoi dhe më analizoi nga koka deri te këmbët. Dhe, gjatë tërë kohës sa qëndrova te ta, ai vazhdoi të më shikonte me ngulm.

Kur atë pasdite të vonshme dola nga shtëpia e tyre, sikur të më kishte hyrë dreqi në trup. Mendja më rrinte vetëm te babai i tij, Besimi, i cili fshehurazi ma kërkoi numrin e telefonit. E ndjeja aromën e aventurës në ajër, por përkundër kësaj, pa asnjë hezitim ia dhashë numrin. Në mua u zgjua përsëri Dea e pacipë. Po atë mbrëmje ai më thirri dhe ma ofroi një pije. Ai nuk pati nevojë që të insistonte, meqë unë pranova menjëherë. Një orë më vonë gjendeshim në kafene, e atë mbrëmje përfunduam në shtrat. Gjithkush tjetër për një veprim të tillë do të ndjente brejtje të ndërgjegjes, por jo edhe unë. Në njëfarë mënyre të çuditshme, isha kënaqur atë natë. Besimi dhe unë ishim si dy kafshë të egra, të cilat udhëhiqeshin nga një pasion i fortë edhe pse, në ato momente, pos pasionit nuk ndjenim asgjë tjetër.

U kënaqëm gjatë atyre disa orëve, sikur të ishin të fundmet në jetën tonë. Dhe, do të ishte shumë mirë sikur ta kisha lënë me aq. Vazhduam që të takoheshim fshehurazi gati një muaj e unë, nga njëri përqafim, shkoja te tjetri. Flija me të atin dhe të birin dhe, më duhet të pranoj se, i ati ishte një dashnor shumë më i mirë. Nuk mendoja fare se etja ime për aventura mund të më kushtonte shtrenjtë. Aroma e eksitimit që ndihej në ajër ishte diçka të cilës nuk mund t'i rezistoja. Thënë më thjesht, isha e dhënë çmendurisht pas babait të të fejuarit tim. Besimi dhe unë shumë shpejt filluam të bëheshim të shkujdesshëm. As që na shkonte ndërmend se Krenari do të mund të merrte vesh rreth nesh. Dashuroheshim sikur dy adoleshentë të dashuruar, ku Besimi dinte të mi plotësonte të gjitha tekat e mia. Më pas ai u zhduk sikur ta kishte lëshuar toka. Nuk përgjigjej në thirrjet e mia, e as që mund ta gjeja ndokund.

Edhe Krenari atyre ditëve i bishtnonte bisedës rreth tij, e unë ende nuk e dija se ai kishte marrë vesh gjithçka. Dorën në zemër, atyre ditëve kisha vërejtur njëfarë konfuziteti te ai, në shikimin e tij në një moment kisha vërejtur dhembje, por këtë ia kisha përshkruar lodhjes. Egoiste dhe e preokupuar me mendimet rreth babait të tij, nuk vëreja që Krenari i dinte të gjitha. Ndoshta donte ta dëgjonte pranimin nga goja ime, ndoshta priste që t'i kërkoja falje, nuk e di se çka i sillej ndërmend gjatë atyre ditëve. Më pas as ai nuk më lajmërohej në telefon. Në të gjitha përpjekjet e mia që të bisedoja me të, përgjigjej vetëm zëri i shterur i nënës së tij, e cila mu kërcënua se do të më rrihte shpulla nëse do ta merrja guximin e ta kërkoja Krenarin edhe një herë tjetër. Bredhja si e humbur nëpër qytet, meqë e dija se çdo gjë kishte marrë fund. Edhe sa i përket Besimit, e edhe Krenarit. Dhe, vetëm atëherë mu bë e qartë se, për shkak të një aventure të çmendur, kisha humbur dashurinë e mashkullit të cilin e doja.

Dhe, i cili ishte i vetmi që më donte. Çdo gjë përnjëherë u bë e pavlefshme pa përqafimet e tij, pa mbështetjen, pa frymëmarrjen e tij në jastëkun tim. Kuptova se kisha humbur mashkullin i cili më kishte bërë më të mirë, një person më fisnik. Më nuk mendoja për Besimin, por e dija se tanimë ishte vonë për ta përmirësuar gabimin që kisha bërë. Atë ditë e prita Krenarin para spitalit. Mesa mund të kuptoja nga sytë e tij, të rrethuar me ngjyrë të zezë, me gjasë kishte net të tëra që ai nuk kishte shtënë gjumë në sy. Me gjasë kishte vuajtur shumë. Ai tentoi që të më ikte, por unë nuk e lash. Qëndrova para tij dhe ia kapa dorën. (vijon)

(Kosova Sot Online)