Ngjarje e vërtetë: Si e bëra për vete vjehrrin tim të ardhshëm (5)

  • 03 December 2020 - 15:50
Ngjarje e vërtetë: Si e bëra për vete vjehrrin tim të ardhshëm (5)

Dyert i ndala me këmbë dhe hyra në banesë. - As unë nuk kisha ndonjë domethënie për ty e as ti për mua, por shkaku i pasionit tonë Krenari tashmë po vuan fort. E vetmja gjë që dua t'ia dëshmoj është se e dashuroj shumë dhe se kurrë nuk do ta lëndoj. Mund t'i ndihmosh edhe birit tënd, por edhe mua, mjafton që ta thërrasësh. - Dhe, çfarë t'i them djalit tim? Që t'ia shpjegoj se kam fjetur me renë time? A mendon se kjo ka ndonjë kuptim? Se Krenari dëshiron ta dëgjojë këtë? - Kjo nuk është hera e parë që e ke bërë këtë? Shkaku yt edhe nuk kishte ndonjë lidhje serioze.

Pikërisht për këtë arsye nuk kishte dashur të më njoftonte me ty, derisa jemi fejuar. E ty as unaza në gishtin tim nuk të kishte ndaluar - i thashë. - Nuk e pashë se qenke pastruar - m'u përgjigj me ironi. E lashë që të qetësohej paksa, e më pas vazhdoi: - Krenarit gjithmonë i ka penguar mënyra ime e jetës. Nuk ka lidhje se për të gjitha fajtore është e ëma e tij. Më ka shtyrë të martohem me të sepse kishte mbetur shtatzënë. Krejt të tjerat që i kam bërë janë për inat të saj. E djali im është aq i dashuruar në nënën tij, saqë kurrë nuk ka tentuar të më kuptojë. Nuk po mundem as vetes sime t'i ndihmoj, e lëre më ty. Përnjëherë ai mashkull pa ndërgjegje, u thye përballë meje.

Madje më vinte edhe keq për të, por nuk kisha ndryshuar mendim për të. - Jam e sigurt se do të ndihesh më mirë nëse së paku e bën një të mirë në jetën tënde. Pa marrë parasysh se sa i inatosur je me nënën e tij, e di se e do djalin tënd. Prandaj të lutem, thirre dhe rrëfeju atij. Ka kaluar mjaft kohë, ndoshta më pas do të pranojë edhe të bisedojë me mua, kur ta ketë kokën e ftohur. Një kohë heshti, e më pas pranoi. - Mirë, ndoshta do të ma falë edhe mua. Por vetëm ta dish, kurrë më nuk do t'i kthehem. Puna e mirë e gjithë kësaj aventure ishte se të gjithëve ju kishte pëlcitur filmi, dhe më në fund jam i lirë - më tha.

Kur jam kthyer në shtëpi, padurimi po më ngufate, por e dija se duhet të prisja disa ditë. Gjithçka duhej të dukej si një takim i rastësishëm. Unë e dija se nëpër cilën rrugë Krenari kthehet në shtëpi dhe papritmas jam shfaqur para tij. Kësaj radhe në sytë e tij nuk e vërejta atë errësirën e tij që kë kishte ndjekur plot dy vite. Po qëndroja dhe po e shikoja drejt e në sytë e tij. Pas kaq shumë viteve, preku krahët e mi dhe më ftoi të shkojmë për kafe. - Me kënaqësi, dhe atë një kafe të hidhur. E kam merituar pikërisht një të tillë - iu përgjigja. - Kemi shumë gjëra për t'i biseduar - më tha. Jemi ulur në një kafiteri aty afër dhe kemi porositur nga një kafe,e unë fillova të qaj. E ktheu kokën të mos i shikonte lotët e mi në sy, por e kam vërejtur se ishte pak i nervozuar sepse me gishtat e tij po kërciste nëpër tavolinë. - Çfarë kam bërë, të dyve neve?! As vetë nuk di si ta shpjegoj. Nuk kam menduar fare, ishte më e fortë se sa unë, e kur e kam kuptuar e vërejta se kisha gabuar shumë, ishte vonë - po vajtoja unë me sinqeritet. Asnjëherë të vetme nuk më ka ndaluar, vetëm në fund të monologut tim të mbushur me lot me befasoi me një pyetje.

 Sikur të mundje t'ia filloje nga fillimi, a do të ishe më e kujdesshme? - Natyrisht. Jo vetëm e kujdesshme. Do të respektoja ndjenjat e mashkullit, të cilit përmes ndjenjave të mija vetjake, ia kam thyer zemrën. Tash, më me dëshirë do t'ia thyeja vetes sime zemrën, se sa ty - i thashë e qetë. - Nuk e di nëse mund ta ofroj më shumë se një pjesë të zemrës sime të thyer. Do të nevojitet shumë kohë që gjithçka të kthehet në të vjetrën - më dha shpresë se përsëri do të mund të ishim së bashku. Kur ai mu afrua dhe më përqafoi, e kam ditur se para nesh po qëndron një fillim i ri. Më në fund po mund ta prisja edhe faljen e tij. Në martesën tonë një muaj më pas, ai nuk ishte i pranishëm. Ishim vetëm ne, pa të atin, pa vjehrrin tim. FUND

(Kosova Sot Online)