Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (70)

  • A.P /
  • 31 January 2021 - 18:27
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (70)

Atë ditë Zorani ishte dehur dhe ishte bërë tejet agresiv. I ishte kërcënuar edhe Martës që, po t'ia jepte Denisit qoftë edhe një dinar të vetëm, do ta prente në fyt, "si thiun". E, ajo e shkreta, i kishte thënë Denisit që t'i kërkonte paratë hua te një shoqe e saj, gjë që ai edhe kishte bërë, por se si Zorani më pas kishte marrë vesh për këtë dhe e kishte rrahur keq Martën. Kur Denisi ishte kthyer nga mbrëmja e maturës, në shtëpi nuk kishte gjetur askënd. Nga fqinjët kishte marrë vesh se të ëmën e kishin dërguar në spital, kurse të atin e kishte marrë policia, apo milicia, sikur që quhej atëherë.

Gjykata kishte vendosur që ta dënonte Zoranin me mjekim të detyrueshëm në psikiatri, për alkoolizmin e tij dhe, me të vërtetë, disa vjet pas trajtimit, ai kishte arritur që ta kontrollonte përdorimin e alkoolit dhe sikur ishte bërë përsëri ai Zorani i vjetër, i vyeshëm, por me Denisin kishte vazhduar që ta kishte një sjellje të vrazhdët, apo në rastin më të mirë, ta mbante një distancë. Më pas, gjatë bombardimeve të NATO-s, për shkak të shqetësimit në lidhje me fatin e të afërmve të vet në Kosovë, Zorani përsëri i ishte kthyer mikeshës së tij të vjetër, shishes së rakisë. Kishte kohë që ndaj të atit Denisi nuk ndjente aspak dashuri, por përkundrazi, urrejtje. Kjo e kishte dërmuar shpirtërisht, aq shumë sa që, gjatë studimeve, kishte filluar të përdorte drogë. Kishte qenë Svetlana ajo që e kishte nxjerrë nga ajo botë e errët... U ngrit nga shtrati dhe e shikoi veten në pasqyrë. Ishte i gjatë dhe shtathedhur. Gjatë studimeve mbante mustaqe dhe flokë paksa më të gjata, por më pas, sidomos prej se kishte filluar të punonte në bankë, kishte ndryshuar imazhin. Ishte bërë një zotëri i vërtetë nga ata që rruhen përditë. I pëlqeu pamja që pa në pasqyrë. Bile, i pëlqente edhe hunda, të cilën e kishte pak të kthyer, e të cilën, derisa ishte më i ri, disa herë kishte menduar ta operonte. Svetlana sot ishte zgjuar më herët dhe kishte dërguar Markon në shkollë, derisa Violeta, e cila shkonte në shkollë pasdite, ende ishte duke fjetur në dhomën e saj. Derisa Marko i kishte ngjarë atij, "kloni i babit", si i thoshin të gjithë ata që e shihnin, Violeta ishte më e ndjeshme. Nuk i kishte ngjarë as të ëmës, e as atij. Kishte dalë "diçka në mes".

Prej se kishte filluar këtë vit shkollor, sikur kishte ndryshuar sjelljen dhe ishte bërë më e irrituar. Marta i kishte thënë të birit që të interesohej për Violetën, sepse, mos e dhashtë Zoti, ajo mund ta merrte rrugën e gabuar, "sot kur të rinjtë e përdorin drogën sikurse bukën, a ujin", por Denisi nuk e kishte bërë të madhe këtë punë. "O Zot, mama! Ju punëtorët shëndetësorë menjëherë mendjen e çoni ku është më së keqi"!, i kishte thënë të ëmës me një dozë nervozizmi. Mendonte se e bija, si edhe çdo adoleshente tjetër, përjetonte kriza të momentit, të përshtatjes në shoqëri si dhe të kalimit nga faza e fëmijërisë në botën e të rriturve. Tani, kur e bija i kishte thënë se kujdestarja e saj donte të bisedonte me të, kishte filluar të mundohej ta gjente pse-në, pse e kishin thirrur në shkollë. "Me gjasë një bisedë rutinore", mundohej ta qetësonte veten. Të bijën e kishte pyetur për këtë gjë, por ajo i kishte thënë se "nuk e kam idenë pse të thërret ajo e çmendura", duke iu referuar kujdestares së klasës. Autor: H. B. I. (vijon)  

(Kosova Sot Online)