Ngjarje e vërtetë: Mundoheshin të na ndanin me anë të porosive anonime (5)

  • 09 February 2021 - 15:52
Ngjarje e vërtetë: Mundoheshin të na ndanin me anë të porosive anonime (5)

- Këtë do ta bëjmë që në mëngjes - thashë, duke u ndier menjëherë më lehtë. Të nesërmen shkuam në stacionin e policisë për ta ngritur padinë ndaj kryesit të panjohur të veprës. Në polici na thanë që ta paraqisnim rastin edhe në postë dhe t'i ndërronim numrat e telefonit. Na pyetën edhe a mund ta merrnim me mend se kush mund të ishte personi që na i dërgonte ato mesazhe komprometuese. Meqë përkundër tentimit tonë nuk na ra ndërmend askush, polici sikur e humbi entuziazmin dhe na tha se do të na njoftonte rregullisht rreth këtij problemi dhe se, natyrisht, do të ndërmerrnin gjithçka që ishte në kuadër të mundësive të tyre, me qëllim që ta gjenin fajtorin. Por, dorën në zemër, gjithnjë e më pak kisha shpresa për këtë. qysh atë pasdite vendosa ta thërrisja Meritën për kafe dhe t'i tregoja krejt se çka na kishte bërë vaki.

E dashur, me gjasë ka qenë shumë vështirë ta përjetosh një gjë të tillë. Është evidente se ndokujt është duke i penguar pa masë lumturia juaj, por mos u mërzit për këtë. Për fat të keq, njerëzit të këtillë janë: xhelozë, ziliqarë, të këqij. Me ty hanë dhe pinë, e më pas ta ngulin thikën në shpinë - tha ajo, për të shtuar më pas me një ton të çuditshëm - Shpresoj se nuk je duke dyshuar në mua?! - Çka s'të bie ndërmend edhe ty! Ty të kam shoqen më të mirë. Përpos kësaj, ti je tepër njeri i mirë. Thjesht, nuk je e aftë për një gjë të tillë - i thash, duke i qitur kafet. Nuk arrita as që të ulesha, kur nga dera u dëgjua zëri i Ketit. - O, po pini kafe, a? Shpresoj se ka mbetur edhe për mua. Por, a dëgjuar se, së shpejti, në fshat do të kemi krushq? Do të martohet i biri i Lamit, të dashurën e paska shtatzënë. Pritet që të lindë kah fundi i korrikut - tha ajo pa e pyetur kush gjë. - Më fal, por tani më duhet të shkoj. Shpresoj që policia do ta zgjidhë këtë problem sa më parë - tha Merita, e cila u pa se u ndie keq që këtë e tha në prani të Ketit. - Policia? A në polici ishit dje, a? - tha fqinja ime, duke u shqetësuar përnjëherë.

Më duket se na u harxhua kafja. Ja, do ta bëj një tjetër - thashë unë, duke e injoruar pyetjen e fqinjës. - Për mua mos qit. Edhe ashtu i kam lënë teshat në lavatriçe. Shkova - tha ajo, duke më befasuar. - A e pe? Sapo u përmend policia, ajo iku si pula pa krye. Nuk dua të paragjykoj, por a të ka shkuar mendja se ajo mund të jetë autorja e mesazheve? - më tha Merita, e mua as që më kishte shkuar ndërmend një gjë e tillë. Meqë unë nuk thash asgjë, Merita vazhdoi. - Më duhet të të them se ajo grua kurrë nuk më ka pëlqyer. Disa herë kam dashur të të them që të mos rrish me të, por besoja se do ta shihje edhe vet. Më beso, me gjuhën e vet ajo shumëkujt i ka bërë keq - tha me shqetësim Merita. - Thënë sinqerisht edhe vet shpesh kam menduar kështu, por disi nuk besoja se njerëzit mund të ishin kaq të këqij - u përgjigja duke rrudhur supet. Sido që të jetë, prej se i ndërruam numrat e telefonit, në jetën time dhe të Salihut u kthye paqja. Pa marrë parasysh se kush kishte qenë personi i cili donte të na e prishte martesën, ai kishte hequr dorë nga një gjë e tillë. Kur e shikova një ditë numrin tim të vjetër, aty nuk pashë asnjë mesazh të ri. FUND

(Kosova Sot Online)