Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (87)

  • E.K /
  • 18 February 2021 - 15:51
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (87)

Ajo që e shqetësonte kishte të bënte me faktin se disa media botërore, por edhe serbe, kishin filluar ta vinin në dyshim "zbulimin epokal". Derisa mediat serbe përsëritnin refrenin e tyre të mërzitshëm sesi zbulimi, çfarëdo qoftë ai, meqë është bërë në "djepin e Serbisë", duhej të konsiderohej si serb, mediet botërore, kryesisht tabloidët, kishin filluar në njëfarë mënyre edhe të talleshin me këtë temë, duke shtruar pyetjen logjike, si kishte mundësi që të kishin mbijetuar neandertalët kaq gjatë në Ballkan, kur dihej se ata ishin zhdukur shumë kohë më parë. Këtë pyetje ia kishte bërë vetes edhe Kujtimi disa herë. Por, kishte pritur Moshen që të vinte, e t'i sqaronte gjërat. Ishte takuar me atë doktorin e Gjilanit, shokun e dr Flamurit dhe ishin marrë vesh që të punësohej vetëm formalisht te ai, e në këmbim do të merrte 300 euro në muaj. I dukej se ishte duke rrëshqitur në botën e krimit.

Disa herë ishte matur që t'i telefononte atij doktori dhe t'i thoshte se kishte ndërruar mendjen, por më pas i kujtohej ajo që i kishte thënë dr. Flamuri dhe nuk ndërmerrte gjë. Nuk mbante mend kur ishte parë me Ramizin, apo me ndonjë koleg tjetër, përpos atë ditë me dr Flamurin. Disa herë kishte qenë për darkë te i vëllai, Besniku, bashkë me familje, përndryshe ditën e kalonte duke lexuar, i dërgonte vajzat në shkollë dhe iu ndihmonte atyre rreth detyrave. Prej se nuk punonte, Rinorin më nuk e dërgonte në çerdhe. Sabrina i kishte thënë se ndoshta nuk ishte mirë të vepronin kështu, por meqë vet Rinori më shumë preferonte që të rrinte me babin, njëherë për njëherë e kishin lënë me kaq.

Ishte shumë i lumtur derisa shihte se i biri "ia kishte këputur kryet", se i ngjante jo vetëm fizikisht, por edhe me temperament. Rinori me të vërtetë ishte shumë i zgjuar. Kur kishte pasur vetëm dy vjet ishte në gjendje që të numëronte deri në dhjetë - edhe atë jo vetëm shqip, por edhe anglisht. I vinte po ashtu mirë që Donika tani sikur ishte bërë më e qëndrueshme në aspektin emocional. Nuk shkrehej në vaj për gjithçka. E, Kujtimja ishte rritur, ishte shtathedhur si e ëma dhe kishte një qëndrim fisnik, "si zonjë", si të gjyshes. Vendosi që edhe një herë të shikonte rezultatet e votimeve, por instinktivisht, sapo hyri në internet, hapi emailin. Pa se kishte dy e-maila të rinj. Derisa i pari ishte nga banka, e-maili i dytë ishte nga Moshe.

Pasi që e hapi, pa se profesori i thoshte se pasnesër do të arrinte në Prishtinë dhe i lutej që ta organizonte një konferencë për media. Sa ishte i ngazëllyer, aq i përtonte kësaj pune. Përkundër të gjitha kontradiktave, ndjente se për të do të fillonte një periudhë e re e jetës, ajo e të qenit i famshëm dhe, ndoshta edhe i pasur? Mendonte se, po të realizohej kjo, gjëja e parë që do të bënte, do të ishte ndërprerja e kontratës me atë doktorin e Gjilanit. Kështu edhe i kishte premtuar vetes. Sapo t'i jepej mundësia e parë për të siguruar të ardhura, do të hiqte dorë nga "kontrata e turpit", sikur që kishte filluar ta quante vet me vete. Pasi shikoi rezultatet preliminare të votimeve, pa se nuk kishte fituar kandidati për të cilin kishte votuar. I erdhi inat, por paksa u ngushëllua kur pa se do të kishte një raund të dytë të votimeve, apo balotazh, sikur që thuhej. Autor: H. B.

(Kosova Sot Online)