Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (4)

  • A.P /
  • 28 February 2021 - 18:20
Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (4)

Pali mbante derën e hapur për të, por Adelina tundi kokën. "A ju pengon nëse ulem përpara? Më duket pa lidhje të ulem prapa". "Vetëm urdhëroni", tha ai, duke mbyllur derën e prapme dhe duke e hapur atë të përparmen. Ajo u ul dhe admiroi enterierin e lëkurës. Ishte një limuzinë e bukur. Pali u ul në karrigen e shoferit dhe u nis. "Kjo është periudhë e ngarkuar e vitit, apo jo?", pyeti Adelina. "Goxha e ngarkuar. Bëhen festa të korporatave dhe gjëra të tilla". "Ua di për nder që më morët". "Ia kam borxh Tefikut". "Si, e njihni atë?" pyeti ajo. "Njihemi që nga mosha rreth 13 vjeçare. Kemi mësuar bashkë në kursin e kitarës". "Edhe ju jeni nga ishulli Mangrouv?" Adelina nuk u habit kur mësoi se edhe Pali kishte mësuar me të. Ai e tundi kokën me flokët e tij të trasha, të zeza. "Ai mësonte në Fort Majers, prej nga jam unë". "A jeni edhe ju po aq i talentuar sa edhe ai?", e pyeti ajo. Ai e tundi kokën në shenjë mohimi. "As për së afërmi. Asokohe, unë bëja muzikë vetëm sa për të bërë femra.

Tefiku vetë i shkruan tekstet dhe muzikën. Ai është i fortë". "A merreni ende me muzikë?" "Jo aq sa do të doja. Drejtimi i një kompanie kërkon shumë kohë dhe , më pas, kohën e mbetur e kaloi me familjen", tha ai. "Jeni i martuar?" "Jo, por Diana dhe unë jemi bashkë tash e tetë vjet. I kemi dy fëmijë". "Djem, apo vajza?" "Një djalë e një vajzë". "Qenkeni me fat". Ai e shikoi duke e përqendruar shikimin e vet. "E ju?" "Jo", tha ajo. "Nuk kam familje". "Tefiku është një djalë për merak", tha Pali. "Ai duket të mendojë se ju jeni shumë speciale". Adelina hetoi sesi u skuq. "Unë? Ai ta tha këtë?" Pali zbardhi dhëmbët me dembeli. "Nuk ka nevojë ta thotë". "Midis nesh nuk ka asgjë", tha Adelina paksa e nervozuar. "Këtu do të qëndroj vetëm për pushime". "Qetësohu Adelinë. Nuk jam duke ju akuzuar për asgjë të padenjë. Nëse dy njerëz beqarë e pëlqejnë njëri-tjetrin, atëherë ç'të keqe ka këtu?" Adelina u mbështet më mirë. Ajo nuk donte ta humbte gjakftohtësinë. Ai ngriti vetullën e tij të trashë. "Ndoshta nuk jeni krejt beqare?" Adelina ofshau. Ajo nuk donte të hapej aq shumë me Palin, pa marrë parasysh sa i afërt mund të ishte ai me Tefikun. "Gjërat nuk janë aq të thjeshta" tha ajo. Tani ishte Pali ai që ofshau. "Natyrisht se nuk janë. Diana ishte e martuar kur u takuam ne, kështu që nuk kam paragjykime në këtë drejtim". "Nuk dmth se kjo vlen edhe për mua", kundërshtoi ajo. Ai bëri sikur u dorëzua. "Në rregull, mora vesh. Nëse doni t'i mbani gjërat tua sekret, kjo është në rregull". "A do të jeni në performimet e Tefikut?", e pyeti ajo, duke u munduar që bisedës t'ia kthente tonin neutral. "Vetëm nëse ju rrini për vitin e ri". Ai e ndali veturën, por kësaj here nuk ia hapi derën. "Faleminderit për vozitjen,

Pali. Faleminderit". "Nuk ka problem. Unë ua bëra një të mirë, e tani ma bëni ju një të tillë. Mos ia thyeni zemrën mikut tim. Ai është njëri ndër njerëzit më të mirë që njoh". "As që më shkon ndërmend ta bëj një gjë të tillë". "E dini se çka thonë për qëllimet më të mira". "Urime Kërshëndellat, Pal", tha ajo, duke marrë qeset e gjësendeve që kishte blerë dhe duke mbyllur derën. Edhe pse Pali e kishte nervozuar, asaj i vinte mirë që miqtë e Tefikut ishin aq besnikë ndaj tij. Ajo u ul për ta pritur taksinë tjetër. Pasi që shikoi orën, pa se kishte mjaft kohë vetëm sa për t'u rregulluar, para se të nisej për në "Galleon". (vijon)   

(Kosova Sot Online)