Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (9)

  • E.K /
  • 05 March 2021 - 15:56
Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (9)

Adelina e lëshoi dorën poshtë. "Në rregull, atëherë". "Ndoshta duhet ta mbaj ndonjë pjesë tjetër të trupit". Ajo u ndie e tërhequr nga shikimi i tij intensiv. "Cilën"?, e pyeti ajo. "Zonja vendosë". Ai ia dhuroi asaj një gjysmë buzëqeshjeje dhe ajo u ngri. Mendimet e saj fluturuan përsëri te Marku dhe momenti i shkurtër i kënaqësisë shumë shpejt u pasua nga ndjenja e theksuar e fajit. "Tefik, unë …" belbëzoi ajo, e pasigurt se çka duhej të thoshte. "Kam frikë". "Frikë"? Ai ia rrethoi fytyrën me duart e tij. "Ke frikë nga unë"? "Kam frikë që të kam ndjenja ndaj ndokujt që nuk është burri im", pranoi ajo. Fytyra e tij mori pamje konfuze. "Burri"? Ai u largua paksa nga ajo. "A je e martuar ti, a"? "Nuk jam më, por të lutem, Tefik, tani për tani kjo është e tëra që dua ta them".

Sytë e saj u mbushën me lot, por Adelina ishte e vendosur që të mos qante. "Si quhet ai"?, pyeti Tefiku. Ai nuk e dinte pse e bëri atë pyetje; thjesht, i doli nga goja. "Mark." "E ke njoftuar në Londër?" "Tefik", filloi ajo me një zë të ashpër, por më pas u zbut. "Po, atje e kam takuar. Tani të lutem mos më pyet asgjë tjetër. Kam dëshirë që të jetoj në ëndrrat e mia. Të lutem respektoje këtë". "Kjo është në rregull për ty. Por, për të tjerët, si ta kuptojë ndokush këtë botë?", pyeti ai. Ajo paksa u irritua. "Nuk pres nga askush që ta kuptojë". Pa thënë asnjë fjalë tjetër, ajo u largua nga "Greenhouse". Larg Tefikut dhe larg kujtimeve të këndshme që ia zgjoi ai. Ai mundi ajo të flirtonte me të në një mënyrë aq të paturpshme? Si mundi ta konsideronte më shumë sesa vetëm si mik?

Ajo vazhdoi që të ecte nëpër rrugët e qeta të ishullit, por në mendje i silleshin pamjet nga e kaluara. Në detajet edhe më të vogla. Kujtimet ishin tepër të dhembshme. Ajo kishte nevojë që të lëvizte, meqë qëndrimi pa lëvizur e bënte të menduarit tepër të lehtë. Ajo shkoi deri te plazhi më i afërt, duke hequr këpucët sapo shkeli në rërën e plazhit. Ajo u zhyt në ujë, duke kërkuar qetësim. Fundi i fustanit të saj shumë shpejt u lag në ujë. Piklat e ujit të njelmët i binin në fytyrë, derisa valët e detit vinin e shkonin dhe kjo gjë i pëlqeu asaj. Ajo nuk e meritonte vëmendjen e Tefikut. Nuk meritonte që të ishte e lumtur. Ajo e kishte pasur shansin e saj në dashuri dhe e kishte çuar kot. Ajo e meritonte që të ishte mu sikur që ishte - e vetmuar.

KAPITULLI I TETË

Të nesërmen Adelina, bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes, shkoi në shfaqjen e Omerit. Qyshkur ishte kthyer nga plazhi, ajo kishte qëndruar në dhomën e saj. Teuta kishte hetuar se diçka nuk ishte në rregull dhe më kot ishte munduar që ta zbulonte sekretin e problemit i cili e mundonte vajzën e saj. Edhe pse e kishte vajzë, ajo kurrë nuk kishte mundur ta kuptonte Adelinën. Ajo e kishte pasur shumë më të lehtë që të ishte prind, nënë e Besës, përkundër faktit se Besa ishte fëmija i saj i parë, por të qenit nënë e Adelinës për të ishte treguar një detyrë shumë më e vështirë. Kur u ulën në sallën ku do të jepej shfaqja, Adelina zgjodhi me kujdes një ulëse në radhën e fundit, afër derës. Ajo e kishte bërë shprehi që gjithmonë të ulej afër derës. Derisa të gjithë prisnin pjesën ku do të paraqitej Omeri, Besa e bënte të pamundurën që ta mbante nën kontroll fëmijën e saj me autizëm. Adelina kishte vërejtur se Besa e gjorë nuk kishte kohë për asgjë tjetër, pos që të përkujdesej për fëmijën e sëmurë. Nuk ishte çudi që Omeri ishte lidhur aq fort me tezen. Adelina kishte kohë që të ulej e të bisedonte me të. (vijon)

(Kosova Sot Online)