Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (11)

  • A.P /
  • 07 March 2021 - 14:24
Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (11)

"A e ke provuar ndonjëherë pijen 'Tropic Turtle'?", e pyeti Adelina Besën. Besa hapi sytë nga habia dhe ia ktheu: "E ti?" "Në një mbrëmje, tash vonë, në "Gatsby". Ishte e mrekullueshme". ""Gatsby", ë? Çka të çoi atje?" "Takova një mik të vjetër dhe ai më ftoi që ta shikoja derisa bënte muzikë aty". Besa u ndal për një moment, më pas tha: "Cili mik i vjetër mund të jetë ai?" "Të kujtohet Tefiku?" Në fillim Besa deshi të thoshte menjëherë diçka, por më pas sikur hoqi dorë. Asaj tani më nuk i qeshej. "A dmth kjo se atij iu deshën vetëm... shtatëmbëdhjetë vjet?" Adelina u hutua, por edhe u zemërua. Asaj nuk i pëlqente që motra qeshte me të. Kjo ia kujtonte tepër shumë fëmijërinë. "Për çka e ke fjalën?" "Tefiku ishte i dashuruar marrëzisht në ty gjatë shkollës së mesme. Një dashuri paksa edhe neveritëse. Si mund ta kishe harruar këtë?" "Nuk ma merr mendja se mund të harroj diçka që nuk e kam ditur kurrë".

"Asokohe ti ke qenë tepër egoiste". Besa vazhdoi që të lëvizte vazhdimisht, duke fishkëllyer në ndërkohë melodinë "Jingle Bells". Adelina rrinte e qetë, duke u munduar që ta absorbonte atë që sapo kishte thënë Besa. "Çka të bën të mendosh se ai ishte i dashuruar në mua?" "Për fillestarët, ai vazhdimisht sorollatej rreth shtëpisë tonë edhe pse rruga jonë nuk i hynte atij aspak në punë, nuk kishte nevojë kurrë t'i binte andej", tha Besa, duke shikuar të ëmën. Teuta nuk tha gjë. Ajo ishte më e interesuar që ta dëgjonte pjesën tjetër të tregimit. "Mirë, de. Ai endej këtej me skejtbord. Nuk është kushedi çka". "Ai kishte punuar me ju në Komitetin e librit të vitit të shkollës. Si ke mundur ta harrosh këtë?" Adelina rrudhi hundën. "Në atë komitet kishin punuar shumë njerëz.

Çka dëshmon kjo?" Besa ofshau, e dëshpëruar. "Tefiku nuk ishte njeri të cilit i interesonin këto komitete. Ai ishte haptazi i dashuruar në ty". "Atëherë, pse ai kurrë nuk më propozoi që të dilnim bashkë?" "Duhet ta pyesësh atë, por unë do të thosha se problemi qëndronte te turpi i tij. Edhe ti nuk je e njohur aq për mirësi". Adelina tundi kokën, pa mundur të besonte. "Si mund t'i mbash mend të gjitha këto? Mua nuk më kujtohet as emri i arsimtarit tim të preferuar". "Arsimtari yt i preferuar ishte arsimtarja e gjuhës angleze. Ajo të thoshte se ti kishe sytë e Walt Whitman-it dhe shpirtin e Thoreau-t", tha Besa. "Ti e besoje këtë broçkull". Adelina tanimë kishte mbetur me të vërtetë e habitur. Ia kishte ngulur sytë motrës. "Çka dreqin po thua?" Besa bëri me dorë, sikur kjo të mos ishte tepër e rëndësishme. "Unë ende jetoj këtu. Gjërat nuk mund t'i harrosh edhe nëse dëshiron. Ato të piqen në mendje duke i përsëritur dhe duke i dëgjuar nga të tjerët. Ende ia prej flokët Melisës, e cila ende ka po aq ndjenja të zjarrta për Tefikun, sikur që kishte gjatë shkollës së mesme. Ajo ishte tepër e lumtur që ti u largove nga këtu, por të gjorës as kjo nuk i ndihmoi aspak". "Pusho"! "Unë vetëm po t'i jap disa sqarime. Vetë më pyete", i tha Besa, paksa me zemërim tani. Adelina i mbylli sytë, duke i absorbuar ato informata të cilat sapo i mori. Të gjitha ato që dëgjoi ishin të arsyeshme, duke pasur parasysh dëshirën e Tefikut që të takohej me të. Pastaj atij ende i kujtoheshin vjershat e saj... "Jam një torollake e madhe", tha ajo me gjysmë zëri. Besa e shikoi me një shikim triumfal. "Edhe ty vetëm shtatëmbëdhjetë vjet t'u deshën".   

(Kosova Sot Online)