Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (14)

  • E.K /
  • 10 March 2021 - 15:51
Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (14)

Ai sikur u gëzua pasi që u hetua nga ajo, derisa Adelina ngutej ta takonte atë. "Nuk prita t'ju takoja këtu", tha ia. Ai doli nga kaike dhe e nxori atë nga uji. Adelina e shikoi si e magjepsur derisa ai hoqi pjesën e epërme të rrobave të lagëta dhe veshi një bluzë të kuqe, të cilën e nxori nga një çantë rezistente në ujë. Ajo nuk mundi e të mos i vërente muskujt e tij. "Vetëm desha që të kërkoja falje për mbrëmë", tha ajo, duke u munduar që t'i përzgjidhte fjalët. "Kërkoj falje që ika sikur të isha ndonjë llasticë. Unë nuk e kam zakon të veproj ashtu". "Nuk ke nevojë të kërkosh falje", tha ai me mirësjellje. "Është evidente se je duke përjetuar disa momente të vështira. Unë e kam parasysh këtë".

Momente të vështira?! Po, nuk kishte dyshim se ajo kishte momente të tilla. Pasi që mori guximin ta shikonte në sy, pa se ai buzëqeshte me gojën vesh më vesh. "Pse je kaq i lumtur rreth "momenteve" të mia"? Ai ia zgjati asaj dorën, e më pas ia shtrëngoi të sajën. "Meqë mbrëmë më the se ke ndjenja ndaj meje". E turpëruar nga ajo që kishte thënë, ajo e zhyti majën e këpucës së saj në rërë. "Unë nuk thashë çfarë ndjenjash janë ato. Ndoshta desha të thosha ndjenja miqësore, apo thjesht, një nostalgji". Ai tani sikur u bë më serioz."Nuk mendoj se ishte nostalgji, duke pasur parasysh prirjen tënde për të harruar". Kësaj here ishte ajo që buzëqeshi.

"Më vjen shumë keq që nuk të mbaj mend nga shkolla e mesme". "Ndoshta më kanë ikur shumë gjëra pa i vërejtur", tha ajo sinqerisht. Adelina nuk e dinte se a ishte ndikimi i Tefikut, apo koha e gjatë që nuk kishte qenë këtu, apo ndoshta të dyja, por ishulli kishte filluar që t'i dukej më joshës sesa që i ishte dukur kur kishte qenë më e re. "A lundron ndonjëherë me kaike, apo edhe këtë e ke harruar?", e pyeti ai. Ajo mohoi me kokë. "Nuk është se më pëlqen tepër". "A do të doje të provoje?" Ajo e shikoi kaiken. "Por, kjo është vetëm për një person, apo jo?" Shikimi i tij mori një nuancë seksepili. "Mund të më ulesh në prehër. Kështu mund t'i ndiesh të gjitha lëvizjet e mia". Adelina ofshau.

"Nëse dëshiron që përsëri të të fshij nga kujtimet, atëherë je duke bërë mu atë që duhet". "Të lutem", i tha Tefiku, duke mos mundur ta ndalte buzëqeshjen. "Jo, nëse më duhet të ulem në prehrin tënd, atëherë jo" "Hi në kaike", e urdhëroi ai. "Urdhëro?" "Jo me mua. Vetëm ti. Do të të tregoj se çka të bësh. Vetëm të shohësh se sa mirë është. Më pëlqen të lundroj me kaike kur kam nevojë për relaksim". "A edhe sot kishe nevojë për relaksim, a?", e pyeti ajo. Ai e shikoi Adelinën me një pasion të paparë deri atëherë nga ajo. "Edhe shumë, bile". "Epo, mirë atëherë", tha ajo. "Do të provoj edhe unë". Ai e mbajti kaiken derisa ajo u ul në të. Pas një demonstrimi të shpejtë rreth përdorimit, ai e shtyri Adelinën në det.

Adelina në fillim e pati vështirë ta gjente shpejtësinë e duhur të lundrimit, por më pas ia arriti kësaj. Derisa kaike rrëshqiste mbi ujë, ajo u befasua se sa mirë ndihej, sa e lirë... Uji i njelmët i binte në fytyrë në formë të stërpikëve dhe, pa dashur, filloi të buzëqeshte. Në fakt, qielli i kthjelltë përmbi ishte tërë që ajo mund të shihte. Si kishte mundur të kishte paragjykime kundër lundrimit me kaike? Ajo e mallkoi arrogancën që e kishte pasur si e re. Lundrimi me kaike ishte gjë e mrekullueshme, ekzistuese, mu sikur e paramendonte edhe puthjen e Tefikut. Por, më pas e qortoi veten për shkak të mendimeve të tilla. Nuk kishte asnjë të drejtë që të fantazonte rreth tij. Mori frymë thellë dhe u përqendrua te kaikja. Filloi ta ndryshonte drejtimin dhe të kthehej prapa.

(Kosova Sot Online)