Ngjarje e vërtetë: Si më lëndoi mashkulli të cilin me të vërtetë e doja (1)

  • E.K /
  • 12 March 2021 - 15:46
Ngjarje e vërtetë: Si më lëndoi mashkulli të cilin me të vërtetë e doja (1)

Me hapa të shpejtë iu afrova ndërtesës ku banonte Jonuzi, burri i jetës sime. Kishte një vit që ishim në një lidhje idilike dhe gjithçka shkonte në favor të martesës sonë të shpejtë. Edhe pse ende jetonim ndaras, konsiderohej vetëm çështje kohe kur ai do të më ftonte që të jetoja me të. Ashtu i gjatë dhe i pashëm, ai përfundimisht ishte mashkulli me të cilin do të doja ta kaloja jetën. Kënaqesha në çdo moment tonë të përbashkët dhe gëzohesha pafundësisht për ditët që do të vinin, pasi që do të bëheshim burrë e grua. Duart më dridheshin nga eksitimi derisa në tufën e çelësave kërkoja çelësin e banesës së tij.

Nuk doja të trokitja e t'ia prishja gjumin. Mezi prisja momentin kur ai do të më përqafonte dhe kur do ta ndjeja shijen e buzëve të tij të ngrohta, të cilat më kishin munguar kaq shumë këtyre ditëve. Tanimë e paramendoja se sa i gëzuar do të ishte kur do të shihte se isha kthyer më herët nga udhëtimi zyrtar. Më kënaqte paramendimi i reagimit të tij. Me duart që më dridheshin arrita disi që ta hapja derën e banesës së tij. Edhe sot e kësaj dite nuk e kam të qartë sesi nuk më bëri përshtypje fakti që, në mes të ditës, dera e tij ishte mbyllur me çelës. Më kujtohet sesi, pasi që ai nuk mu hodh në përqafim me të hyrë në banesë, ndjeva një dozë dëshpërimi.

Krejt çka përjetova më pas edhe sot e kësaj dite mundohem që ta harroj. - Jonuz! - thirra, në fillim me zë të ulët, e më pas me një zë më të lartë. Më dukej se nga dhoma e gjumit vinte njëfarë zhurme. Me gjasë më kishte parë nga dritarja se isha duke ardhur dhe ai tani donte të ma bënte një befasi. Arrita që ta shihja shikimin e tmerruar të tij kur më pa në derë, por më pas shikimi mu turbullua nga lotët. Duke marrë në thua në derë, u nisa me vrap që të dilja jashtë. - Prit Gane, nuk është ashtu sikur mendon ti - dëgjova zërin e tij, por nuk u ktheva për të shikuar. Nuk më interesonte se kush ishte vajza në shtratin e tij, e as çfarë domethënieje kishte ajo për të. Nuk më interesonin kurrfarë shpjegimesh kur çdo gjë dukej të kishte mbaruar.

Ai më kishte tradhtuar në mënyrën më të rëndë të mundshme dhe asgjë më nuk mund të bëhej në këtë drejtim. Kjo për mua shënonte fundin e lidhjes tonë. Pasi që përfundimisht shkova në skutën time të sigurt, në banesë, fillova që të qaja si e marrë. Edhe pse celulari më cingëronte pa ndërprerë, unë e injoroja atë. Isha e sigurt se ishte ai që më thërriste, por në ato momente nuk doja të dëgjoja për të. Le të më linte të qetë. Të gjithë meshkujt janë njësoj: të bëjnë që të dashurohesh në ta, e më pas të lëndojnë. Ata janë qyqarë meqë nuk kanë guxim që t'i pranojnë faktet. Ditët që pasuan qenë tepër të rënda për mua. U zhyta në punë, meqë doja që ta mbushja me diçka boshllëkun në zemrën time. Edhe pse ai tentonte që të më kontaktonte me çdo kusht, unë e evitoja sa mundja. Mendoja se ne të dy nuk kishim më asgjë për t'i thënë njëri-tjetrit. (vijon)

(Kosova Sot Online)