Ngjarje e vërtetë: Si më lëndoi mashkulli të cilin me të vërtetë e doja (4)

  • E.K /
  • 15 March 2021 - 15:10
Ngjarje e vërtetë: Si më lëndoi mashkulli të cilin me të vërtetë e doja (4)

Ditët po kalonin dhe nuk po ndodhte ndonjë gjë e rëndësishme. Jeta ime po vazhdonte që të zhvillohej mes punës dhe shtëpisë, deri në momentin kur në qytet rastësisht e takova Jonuzin. Edhe pse zemrën e kisha të lënduar, nuk kishte kurrfarë kuptimi që të ikja nga ai. Megjithatë, kur më përshëndeti, po i mbaja lotët, e vendosur që të mos e kuptojë se sa më ka lënduar. - Gane, të lutem, mos ik nga unë. Duhet të bisedojmë, dëshiroj që të t'i sqaroj disa gjëra. A ke kohë për një kafe?, më pyeti. -Më vjen keq, por tani më kalon koha e pauzës.

Më duhet që të kthehem në punë, i thashë derisa po shtiresha se jam duke u ngutur. -Kurrë nuk ke ditur që të gënjesh mirë... -Po, për dallim nga disa të tjerë. -Shiko, e di se kam vepruar keq. Më vjen keq që çdo gjë përfundoi kështu. As vetë nuk e di si të ta sqaroj, por u dashurova në tjetrën. Jam dashuruar me të vërtetë dhe të lutem që së paku të provosh të më kuptosh. Natyrisht me këtë nuk dua të them se nuk kam ndier asgjë për ty. -Mjaft! Nuk më intereson, i bërtita dhe lotët filluan të më rrjedhin nga sytë. Përkundër të gjitha përpjekjeve të mia që të përmbahem, pranimi i hapur i tij ishte i tepërt.

Të mos e përmendi edhe zhgënjimin që ndjeva kur kuptova se ai në fakt nuk e di se e kisha kaluar natën me shokun e tij më të mirë. derisa po qëndroja para tij, dëshirova që vetë t'ia them. Isha e bindur se po ta mësonte se çfarë ndjenje është kur të mashtrohesh, do ta kuptonte se sa e rëndësishme jam për të, e atëherë me siguri do të kërkonte që ta fali. Por nuk e bëra një gjë të tillë, thjeshtë ika nga ai me shpejtësi. Që nga ajo ditë jeta ime u çrregullua. Nuk mund të përqendrohesha në punë sepse tërë kohën në mendje i kisha fjalët e Jonuzit.

Atë mbrëmje i telefonova Muharremit dhe e ftova për pije. Natyrisht, pas pijeve duhej që të vinte edhe ajo pjesa për të cilën më ishte sërish i nevojshëm. Gati më ra të fikët kur ai më tha se nuk ka kohë për mua. -Sonte jam i zënë, e përveç kësaj, edhe ashtu nuk je e interesuar për mua. Apo jo? Nuk dua të jem i pasjellshëm, Gane, por me të vërtetë nuk dëshiroj të jem lodër e dikujt, më tha ai. Me zemërim e ndërpreva lidhjen. Për një moment megjithatë dëgjova zërin e arsyes. Çfarë po prisja nga ai pasi që disa herë kisha refuzuar telefonatat e tij.

A duhet të më presë krahëhapur? Por, më vonë i thashë vetes që nëse ai nuk dëshiron do ta gjej dikë që dëshiron. I telefonova Sarandës dhe i thashë që të dalim sërish . -Nëse planifikon që të më lësh vetëm si herën e kaluar, nuk dëshiroj të dal, tha ajo paksa e ofenduar. - Dhe, ku humbe ti me Muharremin atë natë? Së paku ke mundur të më tregosh se ku je duke shkuar, vazhdoi ajo, por unë e ndërpreva me padurim. -Më fal, nuk do të përsëritet. Pra do të shihemi sonte në orën tetë, i thashë dhe e ndërpreva lidhjen. Për atë mbrëmje u rregullova me kujdes të veçantë. Edhe pse fustani im i shkurtër e i ngushtë kufizohej me rrezik me shijen e mirë, nuk e kisha problem. Në fund të fundit, ai ishte një lloj garancie për suksesin tim që duhej ta arrija në mbrëmje. /vijon/  

(Kosova Sot Online)