Maloku: 'Republika e tretë' e Albin Kurtit

Maloku: 'Republika e tretë' e Albin Kurtit
Maloku: 'Republika e tretë' e Albin Kurtit

Fadil Maloku

  • 23 April 2026 - 15:13

“Republika e tretë” e Albin Kurtit, kulmim i sovranitetit apo fillim i një konflikti të rrezikshëm në Ballkan?

Shkruan: Prof. Dr. Fadil Maloku, sociolog

(Kjo ese synon të analizojë konceptin e “Republikës së tretë” si një projekt dhe mision politik e simbolik në kontekstin e shtetformimit të Kosovës. Duke u mbështetur në përvoja krahasuese ndërkombëtare dhe në teorinë klasike të shtetit, argumentohet se sovraniteti nuk kulmon në mënyrë lineare, por mbetet një proces dinamik, i ndërvarur dhe shpesh kontradiktor. Rasti i Kosovës, nën diskursin politik të Albin Kurtit, paraqet një përpjekje për ri-legjitimim të shtetit përmes një narrative të re republikane, e cila përmban njëkohësisht potencial emancipues dhe rreziqe strukturore.)

I

“Republika e tretë”, një mit politik apo domosdoshmëri e ri-legjitimimit të shtetit?

Fillimisht duhet konstatuar se, nga perspektiva dhe dioptria sociologjike, “Republika e tretë” nuk është ndonjë “gogol” i shpikur nga vizioni i Albin Kurtit (meqë ai është i pari që përdori sufiksin “e tretë” në Kosovë), për të marrë pushtetin (sepse atë e ka tash e gjashtë vjet!), e as ndonjë fazë përfundimtare e ushtrimit të sovranitetit, por është një ripërpjekje për ta ri-legjitimuar institucionin e shtetit të Kowovës në rrethanat dhe konstelacionet e reja gjeopolitike. Të gjithë parametrat nga përvojat e shteteve në botë na dëshmojnë se sovraniteti nuk është frymë që ad hoc krijohet dhe mbetet ashtu si në fillet e tija embrionale, por është një proces dinamik që “lëvizë” në varësi të rrethanave të caktuara historike. Dihet poashtu se ky institucion, duke qenë i varur nga këto rrethana merr si formë ashtu edhr përmbajtje që zakonisht janë në përputhje me shkallën e emancipimit social, me nivelin e zhvillimit ekonomik dhe paradigmën e formësimit kulturor të një kombi. Që nënkupton se shteti, si instrument rregullues si në paqë ashtu edhe në rrethanat e kërcënimeve dhe rreziqeve duhet të ndjek “kursin” e një balance sistematike mes autonomisë vetanake dhe ndërvarësisë me akterët të tjerët publik.

II

Sfida reale, nga narrativat politike te ndërtimi i sovranitetit substancial

Tani, kur analizohet roli, synimi dhe ambicia që ka shteti i Kosovës para vetes, sfida kryesore për të nuk është domosdoshmërisht vetëm akti i shpalljes së një “Republike të tretë”, që edhe mund t’i shërbejë si narrativë ndonjë lideri apo subjekti të caktuar politik për ta “mirëmbajtur” veten në pushtet, por edhe fakti i ndërtimit të një shteti funksional e të qëndrueshëm ligjor, ku sovraniteti ushtrohet jo vetëm formalisht, por përmes ndryshimit substancial të sjelljeve dhe normave sociopolitike. Pra, një shtet normal ku qytetari, pa dallim feje, gjinie, kombi, race apo etnie arrinë të ndihet i sigurt në emancipimin e vet dhe në vlerat sublime të familjes dhe kombit të vet. Synim tjetër, zgjerimi i sovranitetit të shtetit duhet ta ketë edhr forcimin e kapaciteteve vendimarrëse në mënyrë që të krijoj mekanizmin e kontrollit social në politikat publike, “cep më cep”. Ky proces, nëse shoqërohet me reforma reale e të prekshme dhe e rritë në mënyrë lineare besimin qytetar në institucione, ai bëhet me automatizëm i pranueshëm për gjithë shoqërinë. Mirëpo, nëse i njejti shtet tenton apo frymon të “përkthehet” në përqendrim të një pushteti absolut  (qoftë ai edhe i butë!) duke dobësuar kështu ndarjen e pushteteve, gjasat për të “kalëruar” në ujërat e autokracisë dhe për ta zbehur kapitalin politik të besimit qytetar rriten maksimalisht. Projekti në fjalë për të cilin po flasim, në leximin tonin sociologjik që mbretërojnë në rastin e Kosovës, është tipik një “thikë me dy teha”. Për shkakun e thjeshtë se e gjithë ngrehina e konstruktit të kësaj shtetësie, anipse ende e cunguar dhe e mbikqyrur online nën llupën e “hisedarëve” ndërkombëtar, papaseprap kur analizohet është një e arritur biblike e historike. Mirëpo, a mund të thuhet se kjo shtetësi e dalur nga “sui generisi i hisedarëve” ështe identike me shtetësitë simotra në Evropë dhe gjetiu? Përgjigja, është jo! Ka shumë arsye që tani nuk janë objekt i kësaj analize. Tani, pyetja e gjitha pyetjeve është: A duhet pra Kosova ta kompletoj shtetësinë e saj, sikurse gjitha shtetet në rajon e gjetiu? Dhe a i duhet asaj zgjerimi i kompetencave sovraniste? Përgjigja është Po! Dilema, që unë shtroj këtu është: Si? Përmes, një reforme substanciale që unë e perceptoj përmes një “Republike të tretë”, apo përmes një improvizimi formal që derivoj nga Kushtetuta aktuale që e prodhuan “Republika e parë” (e Ibrahim Rugovës) dhe “Republika e dytë (e Hashim Thaçit)? Por, për të kuptuar rreziqet dhe pasojat eventuale bashkë me ato hipotetike, për Projektin e “Republikës aë tretë” le të shërbehemi me përvojat e tri modeleve  sovraniste që ndodhën në tri shtete tashmë sovraniste.

III

Modeli francez, ku zgjerimi i sovranitetit institucional nuk garantoj funksionalitet

Këtë konstatim, po edhe imperativ, e kishte edhe “Republika e tretë Franceze”, që u krijua pas disfatës së pësuar në Luftën Franko-Prusiane, ku Franca arriti përfundimisht ta konsolidojë sovranitetin e vet përmes modelit të një parlamentarizmi të fuqishëm dhe tejet liberal, pastaj përmes afirmimit të laicizmit dhe sidomos përmes kontrollit civil mbi segmentet ushtarake.

Në narrativën e “Republikës së tretë franceze” ka një paradoks të llojit të vet, me të cilin edhe sot e kësaj dite ende merren historianët dhe sociologët. E ky paradoks, lidhet kryesisht me faktin se sovraniteti francez, në fillet e veta, u bymeh e zgjerua euforikisht nëpër gjitha institucionet e vendit, sa që me shpejtësi drite filluan të vëhen në pah si mangësitë ashtu edhe defektet e këtij zgjerimi horizontal. Ndërkaq, kur ishte fjala te dobësitë e funksionalizimit të kësaj Republike, ato u identifikuan vetëm kur Franca u fut në situatat krizologjike që u shfaqën nga kërcënimet që vinin nga fashizmi, i cili po pushtonte një nga një shtetet evropiane. Kjo republikë kolapsoi në vitin 1940. Kjo përvojë na mëson se kulmimi euforik i zgjërimit të sovranitetit të një shteti nuk është gjithnjë linear, anipse, në pamje të parë mund të duket institucional e jo domosdoshmërisht funksional.

IV

Paradoksi modelit italian, ku zgjerimi i sovranitetit prodhoj fragmentarizëm të frikshëm politik

Një përvojë tjetër për narrativën e “Republikës së tretë” që mund të na shërbejë si leksion dobiprurës është edhe përvoja e “Republikës së tretë Italiane”, ku pas shfaqjes së krizës së korrupsionit të njohur si “Mani Pulite”, shteti ndërmori një aksion të riformatimit të elitave politike në emër të krijimit të një shteti ligjor, ku sundimi i ligjit do të bëhej alfa dhe omega e konsolidimit social, politik e sidomos ekonomik të vendit. Dhe çfarë ndodhi? Pjesa e narrativës për zgjerimin e sovranitetit, që ishte fillimisht tejet atraktive për kulturën dhe mentalitetin italian, me shpejtësi drite u shndërrua në “bumerang”! Edhe në Itali, si në rastin e Francës, shtrirja dhe zgjerimi juridik i sovranitetit shtetëror u përhap aq shumë, sa sfera e politikës u fragmentarizua në atë masë që institucionin e shtetit e solli buzë greminës së kolapsit. Leksioni që ne duhet të mësojmë nga “Republika e tretë kosovare” e Albin Kurtit është se; riformatimi i elitave në pesë sfera (politike, ekonomike, sociale, ushtarake dhe kulturore) jo gjithmonë na jep automatikisht garanci për një stabilitet sovranist të shtetit.

V

Modeli turk, shembull tipik i një sovraniteti të centralizuar por me pasoja të tkurrjes së pluralizmit dhe kufizimemeve politike

Ose rasti i “Republikës së tretë Turke” që identifikohet me populizmin e Recep Tayyip Erdoğan-it që edhe erdhi dhe ende mbahet në pushtet me këtë slogan. Për dallim nga “Republika e tretë Franceze” dhe “Republika e tretë Italiane”, kjo turke ka disa specifika që lidhen sidomos me nuancat e mentalitetit dhe etnopsikologjisë. Ku, në emër të shtrirjes së sovranitetit, pushteti u centralizua aq shumë, sa “frymëmarrja” e pluralizmit edhe sot e kësaj dite mbetet temë debatesh pro et contra. Leksioni që mund të mësojmë nga “Republika e tretë Turke” është se tendenca për zgjerimin e sovranitetit shtetëror na privon nga “ngjyrat” dhe “frymarrja” aktive e pluralizmit dhe llojllojshmërisë së mendimeve dhe sjell një cungim evident të të drejtave të njeriut, të mediave dhe margjinalizim të shoqërisë civile. E thënë më thjesht: rritja apo zgjerimi formal i sovranitetit shtetëror mund të çojë në reduktim të pluralizmit politik – një kosto mjaft e lartë për një vend të vogël si Republika e Kosovës.

VI

Modeli i Kosovës, ku zgjerimi i sovranitetit përmes “Republikës së tretë” po synon të “shkurorëzohet” nga sovraniteti i mbikëqyrur

Pra, çfarë mund të na sjellë “Republika e tretë” si ide e hedhur nga vetë kryeministri Albin Kurti?

Unë për vete mendoj se kjo ide, ndoshta edhe si mision që ia ka parashtruar vetes Ai, duhet interpretuar si një tentativë e re për ta kompletuar sovranitetin e munguar, që derivon nga sovraniteti “i mbikëqyrur” (i manifestuar edhe pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008), në drejtim të një sovraniteti më substancial dhe operativ, sidomos në sferën juridike dhe atë politike, e më pak në atë ekonomike.

Kur përmendim sintagmën “sovranitet substancial”, aludimi im ka të bëjë me reduktimin e varësisë nga ndërhyrjet ndërkombëtare alias nga ambasadat e ndryshme, si edhe me vendimmarrjet shumë më autonome në sferën politikës së jashtme dhe sidomos asaj të brendshme.

VII

Rreziqet apo dilemat te projekti i “Republikës së tretë”, personalizimi i pushtetit dhe mundësia e një izolimi ndërkombëtar

Në dioptrinë e sociologjisë së njohjes, sintagma e sovranitetit duhet thënë se nuk kuptohet vetëm si atribut statik që u është dhënë njëherë e përgjithmonë kombeve, por edhe si një raport social i institucionalizuar ndërqytetar, ku shteti definohet ekskluzivisht nga monopoli legjitim i përdorimit të forcës brenda një territori të caktuar. Megjithatë, në rrethanat e procesit të globalizimit, ku sovraniteti u fragmentarizua aq shumë sa që shteti pësoi degradim të paparë ndonjëherë në historinë e njerëzimit, roli i sovranitetit me shembjen e këtij rendi nga Donald Trump po rifiton rëndësi dhe peshë interesante. Që nënkupton jo më hamendësime që ndodh te shtetet që ende gjenden në ethet e tranzicionit sikurse jemi ne, por edhe te vetë “arkitektët” e rendit të ri në horizont. Ndërkaq, kur jemi te çështja e “Republikës së tretë të Kosovës”, duhet kuptuar se ajo veç ka filluar të lançohet si narrativë që ka të bëjë me sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga ish-qeveritarët që ishin ithtarë besnikë të globalizmit. Andaj nuk është e rastësishme që ky projekt përveç që po synon një “resetim” deciziv institucional, po shpreson edhe një riformatimi të kastës së vjetër politike (opozita e sotme dhe të djeshme) që në “syzet” e saj është atrofuar nga pushtetmbajtja e stërzgjatur pas luftës së ndodhur. 

Megjithatë, rreziqet nga ky “resetim” dhe riformatimi janë bërë tani edhe evidente. Rreziku i parë është fillimi i centralizimit të pushtetit në duart e një personi të vetëm, një fenomen që në teorinë sociologjike njihet si “sindroma e sovranitetit personalist”, që zakonisht shndërrohet në pararendëse të autokracisë. Tjetër fakt, një centralizim i nxituar do të mund të dobësojë raportet ndërkombëtare dhe të ekspozojë Kosovën një rreziku izolimi politik, ashtu siç ndodhi gjatë “telenovelës” së ngërçit, ku pothuajse u paralizuan raportet me këta “hisedarët” e “sovranitetit të mbikëqyrur”. Këto rreziqe reale na japin një dëshmi evidente se çështja e shtrirjes apo zgjerimit të sovranitetit shtetëror të Kosovës ka probleme serioze të realizohet vetëm përmes vullnetit ad hoc politik. Arsyeja e vetme është se një proces i tillë përveç që kërkon kohë ka nevojë edhe për kapacitete administrative dhe një balancë ekuilibruese demokratike me këta “hisedarët” e lartcekur. Thënë më shkoqitur ky rrugëtim në formë të një hapërimi “turbo” euforik të pamenduar thellë dhe të pamatur me “peshoren” e argjentarit, mund të na sjellë si shtet në pozicione e situata të sikletshme që shumë lehtë mund të shndërrohen në kundërefekte me pasoja e rreziqe të paparashikueshme për gjithë kombin…

Andaj Albin, bë kujdes me “Republikën e tretë” dhe merr mësim edhe nga sovranisti i fundit në Europë, Viktor Orban…

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".