
Lexoni edhe:
Mulliqi: Arroganca dhe lakmia për pushtet absolut po na dërgojnë në katastrofën politike
Shkruan: ANALISTI-Skender Kapiti
Albin Kurti po kërkon që të arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, po kërkon një konsensus. LDK është partia politike më e dërrmuar politikisht dhe kjo për faktin se ajo ka dështuar dhe nuk është serioze për të nxjerrë një alternativë bindëse, por vetëm sa ka humbur dhe ka arritur deri aty sa, me siguri, do të rrëshqasë akoma më poshtë politikisht.Ajo politikisht funksionon si aventurë politike.
-Nëse do të kishte një marrëveshje për Presidentin e Kosovës mes LVV-së dhe LDK-së, LDK-së i duhet dhënë aq sa i takon sipas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025. Nëse, për hatër të kryeministrit Kurti, nëse Kurti për interesin e tij personal për postin kryeministror, nëse Kurti vepron si Sali Berisha, i cili vetëm për interesin e tij për të qenë kryeministër bëri një aleancë amorale me partinë e Ilir Metës, dhe Meta me 4 deputetë bënte ligjin dhe korrupsionin në koalicionin Meta-Berisha, gjë e cila i kushtoi shumë rëndë Partisë Demokratike, dhe prej kësaj aleance Partia Demokratike ka përfunduar në këtë farë derexheje, gati të falimentuar.
Nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme, nuk është problem shqetësues kostoja e zgjedhjeve, por problemi i madh është dëmi dhe imazhi për shtetin e Kosovës, sepse edhe po të bëhen zgjedhje të parakohshme, përsëri ndoshta do të ketë krizë, sepse asnjëra palë, as LVV dhe as koalicioni anti-LVV, nuk mund të sigurojnë numrin e deputetëve për zgjedhjen e Presidentit.
Zgjidhja do të ishte detyrimi ligjor që deputetët e parlamentit të Kosovës të jenë të pranishëm në seancën kur votohet Presidenti, sepse për këtë punë janë votuar: që të shkojnë në Parlament dhe jo të sillen sipas tekave e dëshirave partizane e personale; ose Presidenti të zgjidhet me votim popullor, krahas votimit të zgjedhjeve parlamentare, ashtu si në SHBA dhe në republikat presidenciale. Kosova nuk ka pse të mbetet peng e kapriçove të partive politike dhe as e interesave personale të deputetëve, prej të cilave burojnë vetë krizat.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".