
Lexoni edhe:
A është më e përshtatshme një byro për konfiskimin e pasurisë apo një gjykatë kundër korrupsionit?
Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi
Gabimet fillestare në politikë e bëjnë një politikan të urryer. Mbështetja ndaj njerëzve të tillë të politikës nga qytetarët doli se ishte kundërproduktive. Këtu e kam fjalën jo për pak njerëz të politikës, të cilët nuk ishin në nivelin e kërkuar. Arroganca është sëmundje tipike për njerëz të papërgjegjshëm në politikëbërje. Nuk po dëshirojnë të mësojnë nga gabimet. Politikanët është e nevojshme të jenë njerëz të përulur, të ndershëm dhe gjithëpërfshirës dhe, sa më gjatë të jesh në pushtet, aq më shumë këto cilësi duhet të dalin në pah.
-Në Kosovën e lirë dhe të pavarur ndodhi e kundërta. Arroganca dhe lakmia për pushtet absolut po na dërgojnë në katastrofën politike. Nuk po arrihet një konsensus as për president të vendit, duke e futur vendin në kriza të vazhdueshme me pasoja të mëdha. Po shihet ashiqare se blloku opozitar nuk është i interesuar që kjo krizë të tejkalohet. Pse? Sepse këta po dëshirojnë prapë të rrëzojnë qeverinë e Albin Kurtit, duke menduar se zgjedhjet e reja do ta dobësojnë në vota LVV-në dhe të vijnë në shprehje që këta ta formojnë qeverinë. Kryeministri Albin Kurti u takua disa herë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, duke i ofruar poste pushtetare tepër shumë në krahasim me votat që disponon LDK, vetëm që të tejkalohet kriza për zgjedhjen e presidentit. Edhe në zgjedhjet paraprake Kurti i kishte bërë thirrje LDK-së që të futet në koalicion me LVV-në, por që ishte refuzuar pa asnjë bazë një thirrje e tillë. Nuk e di çka po mendojnë LDK-ja dhe pjesa tjetër e opozitës, të cilët nuk po tregojnë gatishmëri që më në fund të kompletohen institucionet e shtetit, kur dihet për dëmet e mëdha që po i shkaktohen vendit.
Për të pasur pushtet, duhet të kesh vota, e këta nuk i kanë. Nuk dua të them se Albin Kurti nuk ka ndonjë mëkat, por këta kanë aq shumë mëkate sa nuk mund të paramendohet. Si nuk po mendojnë për qytetarët dhe për shtetin e Kosovës në këtë krizë globale? Aset e pokerit politik nuk duhet të kenë pushtet. Ky kuartet i njerëzve të politikës paraqet rrezik. Nëse ndonjëri prej tyre dikur ka qenë idhulli i qytetarëve dhe i Kosovës, jo që nuk janë më, por po bëhen të mërzitshëm me retorikat e tyre pa asnjë efekt pozitiv. Dëshpërimi i popullit në këtë klasë politike ka arritur tashmë kulmin. Po vihen në peshore vlerat e luftës çlirimtare dhe çdo vlerë tjetër shoqërore dhe politike. Sikur po krijohen dy Kosova: njëra për shumicën që po jeton nën mesataren dhe tjetra Kosovë e klasës politike, e cila po jeton në luksin më të madh të mundshëm.
Nga ky kënd duhet shikuar edhe pse vendi po përjeton krizë pas krize politike, institucionale, ekonomike me humbje të mëdha donacionesh nga BE-ja. Nëse Kosova nuk lirohet nga njerëzit e tillë, do të përkeqësohet situata në çdo segment të saj edhe më shumë. Unë nuk e di se si njeriu me dy kokrra mend në kokë e sjell vendin në një situatë të tillë, tepër serioze për të ardhmen e tij. Vendit i nevojiten njerëz të devotshëm, të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm, që krijojnë stabilitet, e jo propagandistë. Kosova është shtëpia jonë! Kosova është mëkat të shkojë në zgjedhje të reja, thua se ne jemi vendi më i pasur në botë. Kjo është e patolerueshme për një shtet që mëton të jetë serioz. Këto shuma marramendëse që po shpenzohen për zgjedhje kaq të shpeshta nacionale, më mirë do të ishte të dedikohen për nevojat e shumta që i kemi. Politikanët tanë, me vetëdije apo pa vetëdije, po i prinë kaosit në prag të konflikteve në nivel botëror. Populli duhet të vendosë që politikanët e tillë të mos jenë zgjedhja e tyre…!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".