Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (23)

  • E.K /
  • 19 March 2021 - 15:53
Roman dashurie: Shumë larg shtëpisë (23)

Askush nuk mund të thoshte se ata kishin një marrëdhënie të ngushtë, në mënyrë që Adelina të duhej ta sakrifikonte kohën e saj të vlefshme për të udhëtuar përtej oqeanit... Teuta e tundi kokën e pikëlluar dhe i vendosi gjësendet aty ku i kishte gjetur. Ajo mbeti në dyshemenë e dhomës së gjumit, duke u ndier si dështakja më e madhe e mundshme. E bija e saj dukej e vendosur që ta përjashtonte atë nga jeta e saj, duke i përjetuar momentet më të mëdha të jetës pa familjen e saj. Ndoshta pas një kohe të gjatë, Teuta ia nguli vetes sytë në pasqyrë, duke e analizuar mirë e mirë imazhin që shihte. Ajo kurrë më parë nuk e kishte konsideruar veten nënë të keqe, por kishte filluar që ta shikonte veten nga perspektiva e Adelinës dhe, i duhej ta pranonte se pamja që imagjinonte, nuk i pëlqente aspak.

KAPITULLI I NJËMBËDHJETË

Adelina ishte veshur për ndejë, me shpresë se do ta linte një përshtypje të mirë, por nuk ishte munduar shumë në atë aspekt. Ajo kishte përzgjedhur një fustan të gjelbër, të errët, me dantellë rreth qafe, të cilin e kishte blerë në "Liberty", dyqanin e saj të preferuar në Londër. Ai i arrinte deri mbi gjunjë, mjaft i shkurtër sa për t'i treguar këmbët, por në të njëjtën kohë mjaft i gjatë për ta mbajtur një pamje modeste. Kishte një trup seksi dhe elegant.

Kishte vënë vathë diamanti dhe i kishte ngjyrosur buzët me një të kuqe të errët. Thënë të vërtetën, ishte ndier mirë duke u përkujdesur për pamjen e vet, gjë që kishte kohë që nuk e kishte bërë. Hera e fundit kur ishte veshur kaq mirë, kishte qenë për një rast solemn në punë. Me gjithë zemër shpresonte se ndeja do t'ia përmirësonte disponimin. Grindja me të ëmën ende i tingëllonte në tru, pa përmendur stresin shtesë, nga takimi me ish kolegët e shkollës së mesme. Ajo merrte me mend pyetje që do t'ia bënin, si "Çfarë dreqi ke bërë gjatë këtyre shtatëmbëdhjetë vjetëve? Pse nuk na ke vizituar kurrë më parë? A nuk i mungon familjes, a"? Derisa donte të dilte, mendonte a t'i binte nëpër kuzhinë, apo jo. Nuk e kishte parë e as nuk kishte folur me të ëmën që nga momenti kur ishin grindur dhe nuk e dinte se a ishte ajo ende e shqetësuar, apo jo.

Në fund, vendosi që të mos shkonte pa u përshëndetur. Derisa ecte nëpër kuzhinë, nëna filloi ta admironte me shikimin e saj. "Qenka një fustan i bukur ky", tha Teuta, e paaftë që ta fshihte admirimin ndaj të bijës. "Është për raste solemne". "Duhej të ma merrte mendja". Teuta e mbylli derën e frigoriferit. "A dëshiron të hash diçka para se të shkosh?" "Jo, jo. Jam e sigurt se edhe atje do të ketë ushqim". "Po, por me gjasë ti do të jesh tepër e zënë duke biseduar dhe nuk do të kesh kohë për të ngrënë", tha Teuta. "Do të ha, të premtoj". "Bëre një punë të mrekullueshme sa i përket tortës", tha e ëma. "Më vjen keq që nuk arrita të të ndihmoja". "Faleminderit, por nuk kisha nevojë për ndihmë", tha Adelina, por menjëherë u frikësua mos po e ofendonte të ëmën. Kuptoi se do të kalonte një kohë derisa të mund ta arrinin një marrëveshje."A Besa t'i rregulloi flokët, a?", e pyeti e ëma. "Po. A m'i ka rregulluar mirë?" "Shumë bukur. I kam dy vajza të talentuara dhe të bukura unë", tha Teuta, duke u shtirë kinse ishte duke i shikuar thonjtë. "Më vjen keq që të duket sikur të kemi zhgënjyer. Ky nuk ishte qëllimi ynë". (vijon)

(Kosova Sot Online)