Ngjarje e vërtetë: Jeta në kafazin e mirësisë (7)

  • E.K /
  • 24 March 2021 - 15:54
Ngjarje e vërtetë: Jeta në kafazin e mirësisë (7)

Ju lutem, mos i thoni se ju tregova unë. Apo, ndoshta më mirë, mos i thoni asgjë, se do ta ruaj unë dhe do t'i them që të mos largohet fort nga bregdeti. Agimi më dukej si një person i afërt, sikur njiheshim gjatë tërë jetës, prandaj pa hezitim vazhduam bisedën. - Ariana! Një emër i bukur, për një grua të bukur - më tha Agimi, duke më shikuar me sytë e tij të zi, me të cilët më paralizoi në tërësi. - Më duhet të kthehem - thashë papritmas, me dëshirë që sa më shpejt të largohesha nga ai mashkull i pashëm. Ai filloi që të më vinte pas, pa thënë gjë. Pasi që arritëm deri në fund të malit, unë shkova me vrap në drejtim të banesës, ku Sara më priste në ballkon. Nuk të gjeta në dhomën tënde, prandaj u shqetësova.

Ku ishe? - më pyeti, duke pritur me kureshtje përgjigjen time. - Dola që të vrapoja! Nesër edhe ti do të vish me mua - thash automatikisht, edhe pse nuk e doja një gjë të tillë. - Të zgjohem në mëngjes dhe të vrapoj me ty!? As që më shkon në mend, nënë! Dua që ta ruaj forcën për të notuar me miqtë nga kampi. - Në rregull, Sara! Që të mos shqetësohesh më për mua, të tregoj se çdo mëngjes do të dal të vrapoj, përndryshe do të dembelosem dhe do të filloj të trashem - mundohesha që paraprakisht t'i arsyetoja daljet e mia. Të nesërmen dola në të njëjtën kohë, me dëshirën që ta takoja sërish Agimin, e ai, sikur të ishim marrë vesh, më priste në të hyrë të malit. Sapo më pa, në fytyrën e tij u paraqit një buzëqeshje, e mua filloi që të më rrihte zemra më shumë. U përshëndetëm shkurt dhe filluam që të vraponim nëpër mal.

Pasi që vrapuam shpejt, u mbushëm frymë, prandaj u ndalëm që të pushonim në ulëset nën pisha. Ai ma qiti me kujdes bluzën e tij mbi krahë, duke më prekur lehtazi. Nga çdo prekje e tij më rrëqethej trupi, gjë që nuk i shpëtoi as atij pa e vërejtur. Isha e befasuar nga fuqia e dëshirës për ato prekje, dëshirë të cilën nuk e kisha përjetuar gjatë viteve të fundit me Muharremin gjatë dhjetë viteve të fundit. Por, sapo më ra në mend burri, sikur të më kishin lagur me ujë të ftohtë, menjëherë u ngrita, me qëllim që të largohesha, por më ndalën fjalët e Agimit: - Relaksohuni, Ariana! Lërini mendimet e këqija për një kohë tjetër! Jemi vetëm ne të dy, një grua e mrekullueshme dhe një mashkull, i cili të dëshiroi që nga momenti kur të pa për herë të parë - fliste ai në vetën e tretë, sikur fjalët e tij të mos kishin të bënin me ne.

Ta dini, u befasova kur pash se burri juaj ju la vetëm. Vajza juaj shumë shpejt u kyç në shoqërinë e kampit, e ju ngelët në vetmi. A kam të drejtë? E, a e dini pse u takuam? Për shkak të dëshirës së madhe timen që të ndodhte një gjë e tillë - më tha ai, duke më folur me të butë. Më pas më përqafoi, e mua mu ligështua trupi dhe nuk munda pa ia ofruar buzët. Ky ishte momenti kyç i jetës sime. Për herë të parë pas kaq shumë vitesh përsëri më donte dikush dhe më ofronte kujdes, duke më bërë që të ndihesha një grua e dashur. Kënaqësinë që e ndjeja në përqafimin e Agimit nuk doja ta humbja as për shkak të parimeve të mia morale rreth tradhtisë, prandaj pranova propozimin e tij që të takoheshim atë mbrëmje në kamp shtëpizën e tij. Që nga ai moment ditët filluan të më bëheshin tepër të gjata, në pritje të mbrëmjes, kur sapo flinte Sara, unë përvidhesha dhe dilja nga banesa. (vijon)

(Kosova Sot Online)