Ngjarje e vërtetë: Jeta në kafazin e mirësisë (9)

  • E.K /
  • 26 March 2021 - 15:53
Ngjarje e vërtetë: Jeta në kafazin e mirësisë (9)

- Unë mund të ta fal gabimin, sikur edhe atij djaloshit, të cilit nuk mund t'ia zë për të madhe që i është vardisur një gruaje të bukur, por pyetem, a do të të falë ndonjëherë vajza jonë? Ajo kërkon nga unë që të kthehemi në shtëpi vetëm unë dhe ajo, por kjo nuk vjen në shprehje. Do të kthehemi që të tre, prandaj të lus që t'i përgatisësh valixhet, në mënyrë që të mund të nisemi menjëherë. Nesër paradite kam një takim të rëndësishëm - tha ai, duke folur me një lehtësi të tillë. sikur nga e tërë kjo mesele, më së shumti rëndësi kishte që ai të mos vonohej në takim. Më me dëshirë do të doja që ai të çmendej nga xhelozia, bile edhe të ma mëshonte.

Prisja që ai të më kërcënonte me shkurorëzim, por ai as që e përmendi një gjë të tillë. Gjithçka do të ishte më normale sesa falja e tij gjeneroze. Ai mundohej që, para të tjerëve, ta linim përshtypjen e një familjeje normale, e cila për njëfarë arsyeje kishte qenë e detyruar që të kthehej para kohe në shtëpi. Bile e detyroi edhe Sarën që të darkonte me ne. Kur u ulëm për të ngrënë, pashë se vajza ime më injoronte tërësisht. - Më vjen mirë që ke notuar çdo ditë, kështu që mund të vazhdosh me not edhe në pishinë, kur të kthehemi në shtëpi - tha Muharremi, duke u munduar që ta fillonte bisedën, por vajza e ndërpreu me ashpërsi: - Unë nuk kthehem në shtëpi nëse edhe kjo vjen me ne! - tha ajo me një zë të dobët, por të vendosur.

Do të kthehemi të tretë! Mos harro, bijë, se jemi një familje, anëtarët e së cilës duhet që të kenë mirëkuptim për njëri-tjetrin - tha Muharremi duke e shikuar Sarën drejt në sy. - Nuk jemi më familje! - tha ajo me një vendosmëri e cila mund të vërehet vetëm te adoleshentët, duke u larguar më pas nga tryeza. - Kam frikë që me Sarën do të kemi probleme. Të paktën, derisa të rritet edhe vetë. Ndoshta atëherë do të mund të kuptojë... - Ndalu, Muharrem! - m'u desh që ta ndalja, meqë ajo formë e qetë e të folurit të tij, që ishte jo e natyrshme për situatën në të cilën gjendeshim, ishte bërë e padurueshme për mua, prandaj u përpoqa që t'ia shpjegoja me qetësi propozimin tim.

Shkoni ju në shtëpi, ti dhe Sara, e mua më lini që të ballafaqohem me veten time, që ta marr veten dhe të mendoj se çka mund të bëj me jetën time pa ndihmën dhe mirëkuptimin tënd të pakufishëm. - Mos po pret që Agimi të të marrë me vete? Unë bisedova me të. ai me të vërtetë dëshiron ta bëjë një gjë të tillë edhe pse kisha menduar se, për të, kjo ishte vetëm një aventurë verore, e cila përfundon pa pikëllim dhe vajtim. Por, ai është vetëm një arsimtar i varfër, i cili mund të shkojë në pushime vetëm me nxënësit, bile duke bërë të njëjtën kohë edhe punën e shpëtuesit, duke u ekspozuar kështu ndaj rreziqeve. Jeton në një qytet të vogël provincial, si qiraxhi.

Ai nuk ka asgjë tjetër të të ofrojë përpos dashurisë, por mos harro se varfëria e mbytë edhe dashurinë më të madhe! Vetëdijesohu, Ariana! Ti ke nevojë për siguri, të tillë sikur që mund ta gjesh në shtëpinë tonë, e cila pa ty nuk do të ishte më ajo që është. Për këtë shkak, nesër do të kthehemi që të tre, në rregull? Mos ia vej veshin Sarës dhe sjelljeve të saj adoleshente. Ajo do ta harrojë shpejt ngjarjen nga pushimet verore! Do të rritet dhe do të shkojë udhës së saj, e ne do të mbetemi bashkë deri në fund. Fundja, a nuk ia premtuam këtë njëri-tjetrit? Në të mirë dhe në të keq, kështu që edhe këtë të keqe që na ndodhi, duhet ta tejkalojmë. Ishte ky monologu më i çmendur i Muharremit prejse ishim të martuar, të cilin e dëgjova me vëmendje dhe, më duhej të pranoja, kishte të drejtë. Nuk më urdhëronte, e as nuk më akuzonte apo ofendonte me ndonjë fjalë. Vetëm propozonte, prandaj edhe e dëgjova. (vijon)

(Kosova Sot Online)