Roman dashurie: Ai i vërteti (13)

  • E.K /
  • 05 April 2021 - 13:47
Roman dashurie: Ai i vërteti (13)

Pa se e habiti, meqë atij iu desh një kohë derisa foli përsëri. - D.m.th., dikush i veçantë? - Po. Më duket se po. Kurrë më parë nuk jam ndier kështu. - Më vjen mirë. Do të më tregosh kur të kthehem. Tani po e mbylli, meqë Jehona është duke bërë dush dhe dua që ta "befasoj". Pasi që përfunduan bisedën, ajo u ndal dhe e pyeti veten se çka kishte hetuar në zërin e tij pasi që i kishte treguar për të dashurin e ri. Ai nuk u gëzua, bile mund të thuhej se ishte ndier tepër i zhgënjyer. E dinte se ai nuk kishte arsye për një gjë të tillë, vetëm nëse ishte prekur pse nuk i kishte treguar më parë atij, shokut më të ngushtë, se kishte rënë në dashuri. Po, me gjasë kjo duhej të ishte, mendoi ajo. Por, nuk donte që ta ngarkonte veten tani me një gjë të tillë. Sidomos jo para një takimi kaq të rëndësishëm.

U nis sërish për të shkuar në banjë, për ta lyer trupin me qumësht kozmetik, por e ëma nuk donte ta lëshonte aq lehtë. - A dëgjova mirë, apo më bënë veshët? Një i dashur i ri? Tani duhej edhe nënës t'ia shpjegonte disa gjëra. Në fillim tentoi të bënte shaka. - Dmth, po i përgjon bisedat e huaja? - Pasi që je rregulluar aq shumë, sikur të ishe duke konkurruar për mis dhe pasi që ke filluar të vishesh me ato rroba që më shumë zbulojnë sesa që mbulojnë, atëherë do të mundeshe që të martoheshe. Më mirë. Ky mund të ishte fillimi i një grindjeje më të madhe, por Doruntina nuk kishte kohë për një gjë të tillë. - Nënë, do të martohem pasi që të bie në dashuri, e për të rënë në dashuri, për ta gjetur atë të vërtetin, duhet të dal, të takohem me njerëz. - Të vërtetin?

E, si duket ai i vërteti? - Nuk e di, ende nuk e kam gjetur. - Dmth mund ta ndërrosh çdo ditë nga një mashkull, e më pas të thuash përsëri se nuk e ke gjetur atë të vërtetin. - Nuk kam kohë. Më duhet që të bëhem gati. - Për atë, "të riun"? - Po, nënë. - Shumë mirë. Deri para dy jave ishe me atë tjetrin, e tash me këtë... - Nuk dua që të bisedoj rreth kësaj teme. Jo tani. Hyri me të shpejtë në banjë dhe e mbylli derën, para se e ëma të mund t'i thoshte edhe ndonjë gjë tjetër. Nuk i pëlqente që t'ia kthente nënës shpinën gjatë bisedës, por me të vërtetë nuk ishte e gatshme që të diskutonte rreth këtyre temave. E dinte se e ëma e fajësonte transformimin e saj në femër për të gjitha gjërat që ndodhnin tani dhe se çdo kritikë e saj kishte të bënte me faktin se ajo i kishte dalë nga kontrolli. Mezi priste që të takohej me Drenin.

KAPITULLI I NJËMBËDHJETË

U ulën në kopshtin e kafenesë, afër lumit, për të pirë diçka. Ajo mori kafe dhe lëng pemësh. U pa se ai nuk ishte interesant vetëm gjatë vardisjes së parë, por se kishte edhe një sens të mirë të humorit dhe se sharmi ishte pjesë përbërëse e tij. Në fillim insistoi që ajo t'i tregonte diçka më shumë rreth jetës së vet. Doruntina mendonte se nuk kishte kushedi çka për të treguar. Ende nuk e njihte aq mirë Drenin, sa që t'i tregonte se kishte vetëm katër vjet që kishte pamje të këtillë. Këtë nuk ia tha, e të tjerat, po. Mori frymë lirshëm pasi që e mbaroi rrëfimin rreth vetvetes, e më pas kërkoi edhe nga ai që ta bënte të njëjtën gjë. Mori vesh se ai kishte dy vëllezër më të vjetër, se me njërin jetonte në të njëjtën banesë, e që tjetri ishte në Itali, ku punonte si programues. Prindërit i jetonin në pjesën tjetër të qytetit dhe dukej se ishin një familje harmonike, meqë ai fliste për ta me një dashuri të madhe. Kishte 28 vjet dhe, bashkë me vëllanë, kishin një dyqan fotografish. - Nëse dëshiron që fotot tuaja t'i zhvillojë ndonjë profesionist, atëherë m'u drejto mua. Ajo pohoi me kokë. (vijon)

(Kosova Sot Online)