Roman dashurie: Ai i vërteti (12)

  • A.P /
  • 04 April 2021 - 14:21
Roman dashurie: Ai i vërteti (12)

KAPITULLI I DHJETË

Në orën tetë filloi që të përgatitej. U përcaktua për fustanin e bardhë, me dizajn të thjeshtë, por mjaft të shkurtër që figurës së saj t'ia jepte atë sensin e nevojshëm seksi. Me Drenin kishte folur dy orë më parë dhe ishin marrë vesh që ai të vinte për ta marrë atë, kështu që ia kishte treguar adresën dhe kishte qëndruar edhe pak në shtrat, duke u shtirë kinse flinte, e në fakt ishte duke menduar rreth takimit që e priste. Cingëroi telefoni. Nëna u lajmërua, e më pas e thirri me zë të lodhur. - Doruntina, për ty është! Doli nga banja ende e lagët nga dushi. Nëna e shikoi sikur ta pyeste me sy se për ku ishte duke u përgatitur. - Kush është? - Rinori. Nuk i vinte mirë që duhej të bisedonte. Disi nuk ishte e gatshme për bisedë miqësore, sidomos pasi që gjatë ditëve paraprake kishte marrë disa sms nga ai, e nuk i ishte përgjigjur në asnjërin nga ta. Por, tani e mbante kufjen e telefonit në dorë dhe i duhej të thoshte diçka. - Alo? - A jemi ende miq, apo ke vendosur që të më fshish nga jeta jote? Zëri i Rinorit ishte goxha serioz. Doruntinës iu desh që të mundohej të arsyetohej disi, por as vet nuk dinte si ta bënte këtë.

- Për çka e ke fjalën? Natyrisht se ende jemi miq, nuk di pse nuk do të ishim?! - Atëherë pse nuk më përgjigjesh në mesazhe? Ky ishte momenti kur Doruntinës i duhej ta sajonte ndonjë rrenë të mirë. - Kam pasur disa probleme të vogla në punë. Më është dashur të punoja edhe pas orarit. Ti e di se unë mendoj për ty, por jam e sigurt se je në duar të mira. A është gjithçka në rregull? Si ia kaloni? Ishte mirë që, në ato momente, ai nuk mund të shihte sesi ajo ishte skuqur. Por, vërejti sesi e ëma e shikonte me interesim. E dinte se me të do të duhej të shpjegohej më vonë, pasi që ta përfundonte këtë bisedë të mundimshme. Por, dukej sikur rrena e saj e arriti qëllimin e vet, meqë zëri i Rinorit, pasi që foli sërish, u duk më i qetë. - Nuk është keq, jam tërësisht i relaksuar. - A po të dëgjon e dashura? - Nuk mund të ankohem. Mund të të them se më ka befasuar për të mirë. Asnjëherë nuk më ka dhënë arsye që të pendohem pse e kam marrë me vete. Doruntina për një moment mendoi sesi ishte tërësisht normale që ajo të ishte e dëgjueshme, kur i kishte të gjitha shpenzimet e paguara, aq më tepër kur këtë ia kishte servuar mashkulli që e donte, por nuk e tha këtë me zë. - Mirë. Më vjen mirë që qenke i lumtur. - E ti? A ka te ti ndonjë gjë të re? Sapo u përgatit që të thoshte se nuk kishte asgjë, në momentin e fundit ndërroi mend.

Pse do ta fshihte nga Rinori se ishte njoftuar me dikë? Le ta dijë edhe ai se nuk i kishte prishur shumë punë pasi që kishte anuluar në momentin e fundit pushimet me të. - Ka... edhe pse ende nuk di si do ta quaja këtë gjë. - Ndonjë mashkull? I ri? - Natyrisht se është i ri. Ti e di se unë nuk kthehem te e vjetra. - Dhe? Deri ku keni arritur? - Jo fort larg. Pritet që të ndodhë takimi i parë. - I mjeri ai! Nuk e ka idenë se çka e pret. Doruntina u prek nga këto fjalë. Kishte njëfarë pezmi në to, ajo ndiente sesi Rinori mendonte që atij i lejohej gjithçka në lidhjet e tij, që nga ish të dashurat të krijojë të dashura të ardhshme, e që ajo disi kishte më së shumti të drejtë në vetmi midis dy ndarjeve. Për këtë shkak, vendosi që ta ndryshonte këtë. - Mendoj se kësaj here është ndryshe. (vijon)   

(Kosova Sot Online)