Roman dashurie: Ai i vërteti (14)

  • E.K /
  • 06 April 2021 - 14:25
Roman dashurie: Ai i vërteti (14)

Ishte aq i ëmbël, i veshur me një bluzë të thjeshtë të zezë, të kombinuar po ashtu me pantallona të zi xhinsi. Vërejta se kishte një vragë të vogël mbi syrin e majtë, gjë që e shpjegoi duke thënë se nuk kishte qenë i rehatshëm si i ri. - Më pëlqente të rrihesha, ushtroja boks dhe mendoja se isha më i forti. Por, rrahjet në rrugë, pa dorëza, janë tjetër gjë. Është mirë, si ka mundur të jetë. Nga të gjitha vragat, vetëm kjo më ka mbetur. Por, mos u shqetëso, tani jam një njeri tjetër, shumë më i qetë. E kapi për dore dhe ky ishte kontakti i tyre i parë prej se ishin takuar.

E, ai kontakt zgjati, meqë ai nuk ia lëshonte, se nuk ia lëshonte dorën. As asaj nuk i pengonte kjo, bile edhe vetë ia ledhatonte dorën atij. Ai i tregoi se kishte pasur një lidhje që kishte zgjatur pesë vjet, por se ishte ndarë më pas me atë vajzë, tetë muaj më parë. Ajo e pyeti pse. - Paj, ndoshta u ngopëm me njëri-tjetrin. Thjesht, fillova që ta evitoja, e vërejta se ajo kishte disa ëndrra për ne të dy, të cilat nuk përputheshin me planet e mia.

E di, ajo është nga ato vajzat të cilat mendojnë se, me t'u martuar, i zgjidhin të gjitha problemet. Mos më kupto gabimisht, unë nuk jam kundër martesës, bile e konsideroj atë si të shenjtë dhe të rëndësishme, por nuk dua që një gjë e tillë të përshpejtohet vetëm për shkak të moshës, apo presionit nga të tjerët. Duhet të jesh i sigurt që, pasi që të martohesh, nuk do të pendohesh më. I pëlqente sesi mendonte. Ishin të rrallë ata meshkuj të cilët ishin të gatshëm që, në takimin e parë me një femër jo të martuar, të flisnin mirë për martesën.

Doruntina ishte mësuar me meshkujt të cilët që në fillim ia kishin bërë me dije se martesa nuk vinte në shprehje. Nuk mundi të mos e pyeste se si ishin ndarë. Ajo nuk i tregoi atij sesi i braktis të dashurit e saj pa u mërzitur për ndjenjat e tyre, se papritmas zemërohet kur heton se ata duan ta kontrollojnë atë, prandaj ua bën me dije shkurt e shqip, se më nuk dëshiron të takohet me ta. Por, donte që nga ai të dëgjonte se çka mendonte rreth ndarjes edhe pse dukej ironike që, qysh në fillim të lidhjes, të mendonte për fundin e saj. - Mund të të them se ishte një ndarje shumë e keqe.

Nuk pata guxim që të ulesha me të dhe t'i tregoja se çka kishte ndodhur, por kërkova disa rrugë anësore, e mashtroja me këdo, e kur ajo dyshonte diçka, unë nuk pranoja, meqë më vinte keq ta shikoja duke qarë. Sa herë që hetonte se kishte ndodhur diçka që nuk i pëlqente, vazhdimisht qante. E, unë jam i ndjeshëm kur i shoh femrat duke qarë. Për këtë shkak, gjatë viteve të fundit të lidhjes tonë, gjithçka bëja prapa shpinës së saj dhe këto veprime i fshihja sa herë që mundja. Por, gjithçkaje i vjen fundi, kështu që ajo, një ditë, kishte luajtur rolin e agjentit sekret, me ndihmën e shoqes së saj më të mirë, duke më gjetur në klubin tim të preferuar. M'u afruan në momentin derisa isha duke u puthur me një femër tjetër.

Erdhi deri te grindja, shkulja e flokëve, goditje, derdhje të pijeve, e mua të gjithë më shikonin sikur të isha idioti më i madh. Më e keqja është ajo që unë edhe sot e kësaj dite më vjen turp që mu desh të vija deri te liria në një mënyrë të tillë. Përkundër të gjithave, i kisha takuar prindërit e saj, kisha fjetur dhe ngrënë në shtëpinë e saj. Edhe sot e kësaj dite marr mesazhe të tmerrshme nga ajo, por... Ja, pranoj se kam qenë i poshtër, por të paktën mësova që kurrë më asnjë femre të mos ia bëj në gjë të tillë. Kur ta hetoj se nuk shkon më, do t'ia them në fytyrë, si njeri, e ajo nëse dëshiron, le të ngufatet duke qarë. Por, nuk e di pse t'i them ty të gjitha këto gjëra, sepse jam më se i sigurt se kurrë nuk do të dua të ndahem nga ti. (vijon).

(Kosova Sot Online)