Ngjarje e vërtetë: Kur u zgjua nga koma ishte njeri tjetër (1)

  • E.K /
  • 06 April 2021 - 14:35
Ngjarje e vërtetë: Kur u zgjua nga koma ishte njeri tjetër (1)

Thuhet se gjërat e mira nuk ndodhin brenda natës, por në rastin tim nuk ishte ashtu. Edhe pse nuk është edhe aq mirë që të thuhet se është i mirë një aksident trafiku, në të cilin bashkëshorti im ka mundur ta humbë jetën. Lëndimet në kokën e Astritit ishin aq serioze saqë mjekët mendonin se nuk do të mbijetonte, por ai ia doli dhe u kthye si një njeri krejtësisht tjetër. Megjithatë, nuk mund ta sqaroj pse kemi qëndruar ne të dy aq gjatë së bashku. Madje as mirëqenia e fëmijëve nuk ishte një justifikim i mirë. Fëmijët me siguri që kishin vuajtur po aq sa edhe ne, ndoshta edhe më shumë.

Po të mos ndodhte aksidenti i trafikut, sipas të gjitha gjasave nuk do të qëndronim për shumë kohë së bashku. Fëmijët tashmë ishin në gjumë, e unë isha duke e veshur këmishën e natës kur cingëroi telefoni. Një infermiere më njoftoi se bashkëshorti im kishte përjetuar një aksident në trafik. Nuk më dha më shumë informata përmes telefonit. Vetëm më tha se është gjallë dhe se duhej që të shkoja sa më shpejt në spital. Menjëherë e pata të qartë se kishte ndodhur diçka serioze. I telefonova shoqes sime më të mirë për ta lutur që të qëndrojë me fëmijët e mi.

Edhe pse Ariani dhe Arta ishin mjaftueshëm të mëdhenj për të qëndruar vetëm, nuk dëshirova që të nesërmen të zgjohen dhe të mos jetë askush në shtëpi. Nuk e dija se kur do të kthehem dhe nuk dëshirova që t'i zgjoj nga gjumi e t'u them se babai i tyre është në spital. Jeta erdhi pas gjysmë ore. Tashmë isha e veshur kur i ra ziles dhe duke i treguar ato gjëra që dëgjova nga infermierja, hyra në veturë dhe me shpejtësi u nisa për në spital. Ngutja nuk më ndihmoi, sepse mjeku, i cili do të mund të më informonte në lidhje me gjendjen e Astritit, ishte në sallë të operacionit dhe më duhej ta prisja. Orët kalonin njëra pas tjetrës, e mjeku nuk vinte, operacioni po zgjaste më shumë sesa që e kishin planifikuar. Në mëngjes mjeku i lodhur doli nga salla e operacionit.

U ul në karrigen pranë meje dhe më tha: - Nuk mund t'ju jap shpresë të rreme. Bashkëshorti juaj është ende në gjendje kritike. Nëse mbijeton, do të duhet që të kalojë një kohë në mënyrë që të mund të zbulojmë me siguri se sa të mëdha janë dëmet në tru. Do ta mbajmë disa ditë në komë të shkaktuar në mënyrë artificiale. Kur do ta kthejmë, do t'i bëjmë analizat, të cilat do të na ofrojnë një pasqyrë të qartë të gjendjes së tij. Fjalët e tij më lanë krejtësisht të zbrazët. Me siguri të gjithë ndihen ashtu në situata të tilla. Nuk është pasojë e pandjeshmërisë, por e tronditjes dhe ndjenjës së pafuqisë totale. - Infermierja do t'ju dërgojë në dhomë që ta shihni bashkëshortin, e pas kësaj shkoni në shtëpi dhe provoni që të pushoni. Tani vetëm mund të presim, tha mjeku.

E thirri infermieren dhe duke më përshëndetur u zhduk prapa dyerve të repartit. - Zonjë, ejani pas meje, më tha qetë infermierja. Ndjeva se si po më dridheshin këmbët derisa po e përcillja sikur një fëmijë i humbur. E pashë bashkëshortin të shtrirë në shtratin e spitalit, i cili ishte i lidhur për aparate të ndryshme. I shihej vetëm koka, por edhe ajo ishte e mbështjellë me fasha. Sytë i kishte të mbyllur, ishte i palëvizshëm sikur të ishte i vdekur. Aparatet ia mbanin në lëvizje funksionet e jetës, ndërsa mendova se ai do të largohej përgjithmonë. Qëndrova ashtu për disa momente duke mos ditur çfarë të bëj. Nga tronditja as nuk mund të qaja. Është e vështirë të mendosh se dikush me të cilin një ditë më parë ke qenë së bashku, ke qeshur, biseduar ose grindur, papritmas është i shtrirë si i pajetë para teje. Dera u hap dhe hyri infermierja. (vijon)

(Kosova Sot Online)