Ngjarje e vërtetë: Kur u zgjua nga koma ishte njeri tjetër (4)

  • E.K /
  • 09 April 2021 - 15:51
Ngjarje e vërtetë: Kur u zgjua nga koma ishte njeri tjetër (4)

E dija se tek ai vlonte një vullkan me pakënaqësi, por as unë nuk mund të thosha se po kënaqesha me punën time, se atje gjithçka është me lule. Thjesht po pajtohesha me situatën që po vinte dhe mundohesha që të ambientohesha sa më mirë që mundesha. Gjithmonë e kisha në mendje atë thënien e vjetër "Vallja hidhet, si me ty si pa ty" dhe po shpresoja të vinin ditë më të mira. Isha e bindur se punëdhënësi i Astritit po i shfrytëzonte punëtorët e vet deri në maksimum derisa lodhja gjithmonë po tensiononte nervat e burrit tim. Fëmijët dhe unë tashmë kishim filluar të ecnim në majë të gishtërinjve, pasi që gjithçka po i pengonte atij.

Fliste se të gjithë do t'i dërgonte në dreq, e unë e lutja të qetësohej dhe të mos e braktis punën derisa ta gjejë një tjetër punë. Gjithmonë pas bisedave të tilla do të më shikonte me hidhërim, duke m'i shtrënguar dhëmbët, e dilte duke i përplasur dyert. Thuajse mbi shtëpinë tonë po qëndronte një re e zezë, e nuk po lejonte të depërtonte as dritë as ajër. Tash më duket se gjithçka ishte një paralajmërim i keq për këtë që ndodhi tani. Në gjithë këtë pikëllim, shumë seriozisht po mendoja ta braktisja Astritin. As fëmijët e as unë nuk po mund ta duronim gjithë këtë presion. Kisha frikë nga pasojat që e gjithë situata do të mund të linte te ne. Fëmijët kishin lëshuar mësimin, ndërsa që me zemërim e shikonin të atin e tyre. Për të mirën e tyre duhej t'i largoja. Atëherë erdhi thirrja e kobshme telefonike nga spitali.

Mëngjesin tjetër Astriti duhej të nisej për rrugë. Kur jam kthyer nga puna, i kam përgatitur rrobat e ngrohta dhe darkën, e ai nuk erdhi. Nuk e dija se ku kishte shkuar ai, pasi që kishte dalë pak para se unë të arrija në shtëpi, e nuk kishte lënë asnjë porosi. Isha paksa e lënduar nga ky fakt. Unë isha e vetëdijshme se ne në fakt më shumë po e shmangnim njëri tjetrin se sa që po tentonim të bisedonim, por kam menduar se kishte ardhur koha që të qëndrojë më gjatë me fëmijët dhe me mua. Kur ora kishte kaluar dhjetëshin, i kam dërguar fëmijët në shtrat, ndërsa që edhe vetë po bëhesha gati të shtrihem. As në ëndërr nuk kam mundur ta imagjinoj se për një orë do ta shikoj burrin tim në spital, në shtrat duke mos lëvizur, duke mos e ditur nëse do të zgjohet ndonjëherë. Po e shikoja orën dhe e pashë se ishte pothuajse mesditë. Nuk po mund të flija kështu që më mirë vendosa të ngrihem.

E ka thirr spitalin për t'u siguruar nëse kishte ndonjë lajm më të ri, por infermierja që e lajmërova nuk më tha asgjë të re. Unë nuk e dija nëse kjo është shenjë e mirë apo e keqe. Më pas e kam përgatitur drekën, e kur fëmijët u kthyen në shtëpi, u thashë se pasdite do të shkojmë së bashku në spital. Gjatë kohës së drekës, ishin shumë të qetë, kjo ishte shumë interesante. Dhe, derisa po shkonim në spital, mezi se e kanë thënë ndonjë fjalë të vetme. Po i vëreja se si po e shikonin të atin e tyre, ashtu të ngjitur për shumë aparateve. - Nënë, a mundet të na dëgjojë babi - më pyetën. - Nuk e di shpirt, mjekët thonë se është në komë. - Unë kam dëgjuar se njerëzve që janë në komë duhet t'ju flitet, thanë ata.

Thonë se ata mund t'i dëgjojnë zërat, por se nuk mund të lëvizin, tha djali. - Edhe unë kam lexuar diku kështu. Për çdo rast, babit nuk i pengon nëse ia themi ndonjë fjalë të bukur. Vajza iu afrua shtratit dhe e kapi atë për dore. Djali edhe më tutje po qëndronte larg. Disi po e ndjeja se te ai edhe më tutje ekziston një zemërim dhe armiqësi me të atin gjatë kohës kur ai ishte një njeri plot mllef. Afërsia që e kishin dikur tashmë ishte shkrirë. Nuk më kujtohet kur Astriti e kishte dërguar djalin në një ndeshje futbolli, apo kishte dalë me të për shëtitje, me miqtë e tij, për të luajtur futboll. (vijon)

(Kosova Sot Online)