Roman dashurie: Ai i vërteti (18)

  • E.K /
  • 10 April 2021 - 16:17
Roman dashurie: Ai i vërteti (18)

- Kjo nuk është e vërtetë, çka thua? Me të vërtetë kam dëshiruar të të shihja. - Më vjen keq, nuk do të mundesh. Jam i zënë. Diçka në bark iu ndez, që e dogji fort. Frikësohej në përgjigjen e pyetjes së saj të ardhshme: - Përgjithmonë? - Jo, nuk desha të thosha përgjithmonë, por vetëm sot. Do të të thërras gjatë ditëve të ardhshme dhe do të takohemi pastaj. Edhe pse zëri i tij vazhdonte që të ishte i ftohtë, akull, ajo mori frymë lirshëm. U ndie me faj në ato momente. - Në rregull, më thirr atëherë kur të mundesh. Pasi që ai e ndërpreu lidhjen, mendoi se ai sillej tepër në mënyrë të padrejtë ndaj saj. Por, më e keqja ishte se me të vërtetë ndihej e vetmuar dhe se nuk kishte si ta kalonte kohën.

KAPITULLI I PESËMBËDHJETË

U zgjua dhe pa porosinë në telefon. Ishte nga Dreni, i cili në orët e vona të natës i kishte shkruar sesi mendonte për të. Nuk i pëlqente dyshimi i saj, meqë nuk mundej aspak ta merrte me mend sesi prindërit e tij do të kishin qëndruar zgjuar deri aq vonë. Biseduan rreth pasdites dhe u morën vesh që të takoheshin atë mbrëmje. Pas fjalëve të tij të thëna disa herë, se ndiente mungesën e saj, ajo filloi të ndihej më mirë. Diku rreth orës gjashtë të mbrëmjes, kur përfundoi me tharjen e flokëve, e thirri Rinori. Edhe më tej zëri i tij tingëllonte i ftohtë, por e ftoi që të takoheshin dhe të darkonin së bashku. Kjo Doruntinës i dukej sikur zgjatje e dorës së pajtimit. Pranoi dhe u morën vesh që të takoheshin në njërin nga restorantet e tyre të preferuar, e Rinori mori përsipër obligimin që ta rezervonte tavolinën.

Ajo insistoi që të takoheshin më së largu në orën tetë, në mënyrë që, më pas, të mund të takohej edhe me Drenin. E, pasi që e thirri Dreni, i tha se do të ishte e lirë diku pas orës 11 të mbrëmjes. - Pse? Pse kaq vonë? Nuk mendonte ta rrente, por as që mendonte se ai do t'ia zinte për të madhe. - Do të dal me shokun tim më të mirë për darkë. Ti e di kush është ai, të kam treguar. - Po, po. Ama mua më ka marrë malli shumë për ty, kështu që, nëse takohemi aq vonë, d.m.th. se nuk do të mund të rrimë shumë bashkë. Të dy kemi për të punuar nesër, e mua bile më duhet që të zgjohem në orën shtatë. Të lutem, shtyje atë darkë për një ditë tjetër, meqë dua me çdo kusht që të takohem me ty. Deshi që të vepronte ashtu, por e dinte se Rinori nuk do ta priste mirë këtë vendim. - Nuk mundem, me të vërtetë. I kam premtuar. - A mundemi, të paktën, të takohemi më herët? - Në rregull... - Pres që të më telefonosh në dhjetë, e më pas takohemi? - Mirë, de! - Të puth. - Edhe unë ty.

KAPITULLI I GJASHTËMBËDHJETË

Bukur dukesh, qenke nxirë. Prisnin porosinë, e atmosfera ishte e tendosur. Rinori fliste aq pak, sa që Doruntina pa se, çdo tentim i saj për ta bërë që të fliste, ishte i kotë. Me të vërtetë dukej tepër i bukur në ato momente. Kishte veshur një këmishë të pastër, të bardhë, e cila vinte në pah tenin e tij të nxirë, e edhe flokët i kishte qethur shkurt, ashtu si i pëlqente asaj. - Edhe ti. Ky do të duhej të ishte një kompliment, por mënyra sesi e tha, bëri që të dukej si një formalitet i thjeshtë. - E, Jehona? Shikimi i tij i ashpër e bëri që të dridhej. Dukej se e kishte prekur në tel. - Çka Jehona? - Dua të them, si qëndroni tani? A jeni bashkë? - E, pse nuk do të ishim? - Nuk e di. Vetëm pyeta. Pasoi një pauzë e shkurtër. (vijon)

(Kosova Sot Online)