Ngjarje e vërtetë: Na bashkoi macja e fqinjit (3)

  • E.K /
  • 19 April 2021 - 15:47
Ngjarje e vërtetë: Na bashkoi macja e fqinjit (3)

Po e shikoja mashkullin që po qëndronte para meje dhe për vetëm disa minuta për të arrita një mendim krejt ndryshe. Më preku me sjelljen e tij të sinqertë. Askush nuk më kishte dashur sikurse ai. Iu afrova, për të parën herë e putha me sinqeritet dhe nga prekja e tij po ndjeja drithërimë në gjithë trupin. Nga ajo ditë jam munduar të jam bashkëshorte e mirë. Me ndihmën e Taulantit kam hapur sallonin e parukerisë dhe me të vërtetë po jetoja sikurse një princeshë. - Sa të çuditshme janë rrugët e jetës. Po e urreja, e në fund shumë shpejt arrita ta duaja dhe u bëra një grua e lumtur - po mendoja me veten time. Koha po kalonte, ne po kënaqeshim me kuptimin e fortë të jetës.

Taulanti kishte probleme dhe ne nuk mund të kishim fëmijë, por kjo nuk më dhembte dhe aq shumë. Po jetonim njëri për tjetrin dhe kjo na mjaftonte. Pas më shumë se dhjetë viteve jetë martesore gjithçka filloi të zbehej ngadalë. Edhe ai edhe unë për çdo ditë kishim gjithnjë e më shumë obligime dhe deri në natën vonë që të dy po përfundonim punët tona. Kur flinim ishim të lodhur dhe të rraskapitur, ditën tjetër na prisnin obligimet tjera, humbnim në shumë punë dhe harronim në lidhjen e ndërsjellë. Kohët po ndryshonin, e ne gjithnjë e më shumë po largoheshim nga njëri tjetri. Martesa jonë ishte drejtuar në përfundimin e obligimeve që kishim, komunikim dhe por në kënaqjen e obligimeve fizike. Unë isha gjithnjë e më e pa kënaqur, më e heshtur, por edhe Taulanti.

Lumturia e dikurshme ishte heshtur, e ne të dy sikurse fantazma të vërteta po kalonim përmes jetës. Kishte ditë kur ai dhe unë provonim të ndërmerrni diçka, por gjithmonë dilte ndonjë obligim i ri në punë dhe lejonim që koha të na barte me vete. Për problemet e mia në martesë nuk i kam folur askujt, mes tjerash nuk kisha aq kujt t'i flisja. Me prindërit e mi që nga martesa shihesha vetëm në ndonjë festë apo ditëlindje, miq të mirë nuk kisha fare, e me bashkëpunëtorët nuk ndihesha rehat t'i ndaja problemet e mia. Disi thellë në veten time po shpresoja që Taulanti ta bëjë ndonjë hap romantik nga i cili do të më ndalej fryma, që do të më shtynte ta dashuroja më shumë, sikur në ditën e parë kur më kishte deklaruar dashurinë. Koha po kalonte me hapa të shpejtë, e Taulanti nuk po ndërmerrte asgjë.

Po shtriheshim në shtrat të heshtur, heshtje kjo që futej midis nesh dhe ashtu zgjoheshim në mëngjes. Isha e lodhur, e pikëlluar, e më shumë me faktin se kishim të gjitha të mirat për jetë të lumtur. Jeta po na kalonte, e ne kishim humbur në të. Ishte një e diel në mëngjes herët. U ngrita para Taulantit dhe hapa dritaren në mënyrë që të futej pak dritë dhe ajër i pastër. Hodha shikimin në rrugë, e më pas dëgjova një mjaullimë me panik. Shikova nën dritare, në rrugë dhe shteg, por nuk vërejta gjë. Shikova më lart dhe në qershitë tonë e vërejta macen e fqinjit tonë. - Niki, zbrit poshtë! Çfarë po bën atje - po i bërtisja, por Niki nuk lëvizte nga qershia. I kam bërtitur edhe disa herë, e më pas solla numrin e fqinjit. Pasi nuk u përgjigj askush, mu kujtua se gjithë ditën ata nuk do të jenë aty. Një mace. Çfarë do të bëj me të? Niki, Niki - po e thërrisja nga gjithë zëri dhe e zgjova burrin tim. - Hej, pse gjithë kjo zhurmë që në mëngjes? Do ta zgjosh gjithë lagjen. Çfarë po ndodh - më pyeti ashtu i përgjumur dhe mu afrua ngadalë. - Shiko - po i tregoj me gisht ku ishte macja. - Kjo është e fqinjit, apo jo - e njohu edhe Taulanti. - Po, e ata kthehen natën vonë. Çfarë do të bëjmë me Nikin? Po e thërras por nuk po vjen. (vijon)

(Kosova Sot Online)