Ngjarje e vërtetë: Diktatori në shtëpinë tonë (5)

  • E.K /
  • 08 maj 2021 - 15:03
Ngjarje e vërtetë: Diktatori në shtëpinë tonë (5)

- Mirë je rregulluar, të lumtë! Nëna po rrinte në derë, me shami në kokë. Ishte me të vërtetë e pabesueshme se sa shumë vëmendje kishte tërhequr ajo grua me dukjen e saj. Në vitet e saj ta durojë gjithë natën maskën për rregullimin e flokëve - kjo ishte e papranueshme. Unë isha nja tridhjetë vite më e re se ajo, e me ditë të tëra po ecja si shtrigë në punë. As nuk kisha të holla për stil e rregullim të flokëve, e as nuk kisha vullnet të ndërmerrja diçka. Situata në shtëpi thjesht ma kishte mbytur vullnetin për gjithçka. - Gjatë gjithë jetës time nuk kam përjetuar një parehati kaq të madhe sa në shtëpinë tuaj për një kohë të shkurtë - po gozhdonte derisa po e lironte mllefin e saj.

A e tha ajo pikërisht këtë për një kohë të shkurtë? Vegimi dhe unë e kemi shikuar me dyshime. Kanë kaluar pothuajse pesë muaj dhe trembëdhjetë ditë që kishte jetuar te ne. Dhe asaj i dukej pak. E kishte të vështirë, natyrisht nuk mund të heshtë. - Gjyshe, gjithë jetën je te ne - tha shpejt dhe me po aq shpejtësi u largua nga banesa. - Turp të qoftë! Njeri i pavlerë, turp të qoftë - por bërtiste kur ajo kishte mbyllur derën. - A e ke parë ti atë, sa i pafytyrë! Tash përsëri ishte mërrolur dhe me zemërim po më shikonte mua.

E pafuqishme e kam shikuar Vegimin, por edhe në sytë e tij po ashtu shihej një lloj vetëtime. Duke mos gjetur strehë, përsëri ktheva shpinën dhe shkova në kuzhinë. Lukthi po më vlonte dhe po e vëreja se si nga momenti në moment do të mund të prekesha nga gastriti. Të gjithë po dëshironin diçka prej meje, që t'i përkrah dhe të jem në anën e tyre. Por, pa marrë parasysh se sa po mundohesha ta mbaj ekuilibrin në atë çmendinë, frerët po më iknin nga duart.

Të gjithë, edhe Vegimi dhe nëna mllefin e tyre po e kalonin përmes meje dhe askush nuk pyetej se si ndihesha unë. Nga nëna mu desh ta dëgjoja se si fëmijët e mi janë të këqij dhe pa kulturë, e fëmijët po më gjuheshin pse nuk po i mbroja nga kjo shtrigë e vjetër, derisa Vegimi po sillej si një i huaj në shtëpi. Daljet e tij me miqtë po shpeshtoheshin, madje ai dilte çdo pasdite. - Edhe unë ia besoja, se edhe unë do dilja po të isha në vend të tij: xhaketën nën krah dhe rrugën nën këmbë - po bërtisja unë një ditë kur më erdhi shpirti në fyt. - Mendon se mua s'më rrihet në shtëpi pas një dite të lodhshme në punë? Nuk mendon që edhe me dëshirë do të dilja me shoqet për kafe? - E kush po ta ndalon - Vegimi uli krahët duke më shikuar. - Mos u bëj i marrë tani - po bërtisja unë duke pasur kujdes se mos më dëgjojnë fqinjët. - E di ti fare mirë se unë nuk mundem të lëviz prej këtu. Deri në mbrëmje, së paku njëzet herë nëna do të kërkojë diçka prej meje. 

Po kjo është nëna jote - përsëri më tha me ftohtësi dhe uli krahët dhe e kapi rezën e derës. Kjo me të vërtetë nuk ishte fer nga ana e tij. E vërteta ishte se ajo ishte nëna ime, por ne ishim çift bashkëshortor i cili ishte betuar se do të jemi bashkë si në të keq po ashtu edhe në të mirë. Ku ishte ai premtim kur tani erdhën ditët e vështira? - Më shikoi - e lëshoi rezën e derës dhe mu afrua një hap më afër. - E di se nuk jam duke të ndihmuar edhe aq, më tha, por, kjo është mënyra e vetme që ët mbetem normal në këtë shtëpi. Më duhet të largohem nga shtëpia sepse ajo po më çmend.

Nuk po mundja, nuk dëshiroja ta kuptoja. Kush po më kuptonte mua? - Lule! Luleeee! Bisedën tonë në korridor e ndaluan këto britma nga dhoma. Kjo nuk ndalonte, kjo britmë. Më nuk po mund të bisedonim as në mënyrë normale. Vegimi më shikoi me ndjenjën e fundit se durimi i tij po sosej. - Po shkoj unë - tha i nervozuar dhe u zhduk nga banesa. As fëmijët nuk ishin në shtëpi. Edhe ata po provonin që çdo kohë të lirë ta kalonin jashtë shtëpisë. Përsëri mbetëm vetëm ne dyja në shtëpi: Nëna dhe unë. (vijon)

(Kosova Sot Online)