Kosova duhet t'i përshtatet doktrinës dhe standardeve të NATO-s

Kosova duhet t'i përshtatet doktrinës dhe standardeve të NATO-s
Kosova duhet t'i përshtatet doktrinës dhe standardeve të NATO-s

Nexhat Bexheti

  • 06 June 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Nexhat Bexheti

Për të ofruar një opinion mbi shërbimin ushtarak të detyrueshëm – premtim ky i bërë nga Qeveria Kurti në vitin 2019 – është e nevojshme të analizohet kronologjia e ndërtimit të shtetit që nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Shtetësia e Kosovës, përveç se rezultat i sakrificës së popullit të saj, u jetësua edhe falë mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë, të cilët janë partnerë në themelimin e shtetit. Për këtë arsye, ata vazhdojnë të kenë një rol kyç në vendimet me karakter ushtarak dhe të sigurisë, përfshirë këtu edhe çështjen e shërbimit të detyrueshëm.

 

Meqenëse Kosova synon anëtarësimin me të drejta të plota në NATO, ajo detyrimisht duhet t'i përshtatet doktrinës dhe standardeve të kësaj aleance. Siç dihet, pjesa dërrmuese e vendeve anëtare të NATO-s nuk aplikojnë shërbim ushtarak të detyrueshëm, por bazohen në ushtri profesionale. Si rrjedhojë, edhe Kosova, si aspirante për anëtarësim, duhet t'u nënshtrohet këtyre parimeve. Dëshirat e brendshme politike shpesh nuk përkojnë me konceptet strategjike ndërkombëtare, ndaj ky premtim ka gjasa të mbetet i parealizuar.

Para se të jepen premtime të kësaj natyre, çdo qeveri duhet të konsultohet paraprakisht me strukturat e NATO-s. Pa një vlerësim pozitiv nga ekspertët ushtarakë, premtimi i vitit 2019 mbetet i paargumentuar. Në mungesë të një stafi të kompletuar dhe ekspertizës së jashtme ushtarake, qeveria rrezikon të dështojë përballë premtimeve të dhëna para elektoratit.

Kosovës i nevojitet një model mbrojtjeje i huazuar nga shtetet me pozitë të ngjashme gjeopolitike dhe gjeostrategjike, me qëllim që t'u pritet rruga iluzioneve hegjemoniste të fqinjëve. Fokusimi duhet të jetë te pajisja me armatim të sofistikuar dhe ngritja e një ushtrie profesionale.

Të njëjtat premisa vlejnë edhe për idenë e themelimit të Xhandarmerisë. Ndonëse është pozitive që qeveria i ka paraparë shërbimin e detyrueshëm dhe Xhandarmerinë si projekte afatgjata, në rrethanat aktuale ato mbeten vetëm në nivel idesh. Kosova ende nuk e ka buxhetin e mjaftueshëm dhe as kapacitetet organizative për t'i jetësuar këto plane. Për qeverinë, prioritet absolut duhet të jetë anëtarësimi në NATO, sesa shpërdorimi i kohës dhe i mjeteve financiare në projekte aktualisht të paimplementueshme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".