Ngjarje e vërtetë: Raporti im special me motrën (2)

  • E.K /
  • 11 maj 2021 - 15:49
Ngjarje e vërtetë: Raporti im special me motrën (2)

Njësoj sillej edhe te imtësitë e rëndomta, sikur p.sh. a e kemi parë ndonjë film. Unë pohoja se e kemi shikuar së bashku, e dija edhe kur, ia rikujtoja komentin tonë të përbashkët rreth atij filmi, por jo, ai me këmbëngulje thoshte se nuk e kishte parë atë film, dhe se unë vetëm isha duke e bërë atë budalla. E, unë e kisha ndjenjën se ai nuk mund ta durojë faktin se unë gjithmonë mbretëroja me situatën, e ai jo. Duke pirë kafen e mëngjesit, për befasinë time të madhe, ai e filloi bisedën: - Dëgjo, unë me të vërtetë kam qenë gjysmë i çmendur, por ka kohë që jam mirë dhe mos më servo aso gjërash të kota, sikur që më the më parë. Nëse ishe zgjuar, atëherë pse bërtite? - më pyeti.

Meqë nuk dija çka të thosha, vetëm i rrudha krahët, ashtu e pafuqishme sikur që isha. Gjatë ditës vazhdimisht mendoja rreth bërtitjes së pretenduar dhe gati e pranova si të vërtetë versionin e tij të ngjarjes. Ndoshta përgjatë viteve më ishin grumbulluar frustrimet për shkak të martesës së keqe dhe vetmisë, meqë fëmijët ishin larguar nga shtëpia, e aty ishte edhe shqetësimi rreth gjendjes së pasigurt në punë. Fëmijët studiojnë në kryeqytet, prindërit kanë vdekur para disa vitesh, me fqinjët nuk është se shoqërohem meqë nuk kam asgjë të përbashkët me ta, e në punë që të gjithë jemi të mërzitur për shkak të mungesës së likuiditetit të kompanisë. Në fakt, jam tepër e vetmuar. Shoqërimi më kualitativ për mua manifestohet në formë të bisedave tepër të gjata telefonike me vajzat e mia, falë "Viber"-it dhe "Skype"-s.

Gjithmonë kemi qenë tepër të afërta, për çka ma kanë zilinë si shoqet, po ashtu edhe burri. Kohëve të fundit, kur të më përfshijë ndjenja e vetmisë, gjithnjë e më shumë më mungon motra ime, Iliriana. Tërë jetën, deri para pak vitesh, kur ajo shkoi jashtë shtetit, ishim shoqëruar në mënyrë intensive, duke e konsideruar njëra-tjetrën edhe si shoqen më të mirë. Duke qenë vetëm 14 muaj më e madhe sesa ajo, unë thjesht nuk e mbaj mend jetën pa të. Prej vegjëlisë luanim bashkë, sidomos në mbrëmje, pasi që të gjithë fëmijët e tjerë shkonin nëpër shtëpitë e veta. Ato vajza që nuk kishin motra më dhimbseshin, meqë gjatë mbrëmjeve të gjata dimërore, ishin të detyruara që të rrinin me prindërit e mërzitshëm.

Kur filluan që të bëheshin përgatitjet për dërgimin tim në shkollë, Iliriana i kishte përjetuar si tronditje të madhe, e vetëdijshme për ndarjen që pasonte, prandaj prindërit pranuan që edhe ajo t'ia fillonte shkollës. Ia kalonim për mrekulli, kurrë nuk grindeshim dhe gjithmonë i ofronim mbrojtje njëra-tjetrës. Kur ndonjëra prej nesh bënte ndonjë sherr, ajo tjetra e arsyetonte atë me aq shpirt, sa që prindërit thjesht nuk kishin çka të na bënin. Raportin tonë të përkryer ia arrita që ta bartja edhe te vajzat e mia dhe, mund të them se ia kam dalë për mrekulli. Vajzat e mia, Sara dhe Doruntina, që kanë katër vjet diferencë në moshë, ia kalojnë për mrekulli dhe e respektojnë njëra-tjetrën.

Motra ime Iliriana dhe unë kemi mbaruar shkollën e njëjtë, bile edhe fakultetin e njëjtë, teknologjinë ushqimore, përkundër insistimit të prindërve dhe profesorëve që të ndaheshim dhe secila ta ndiqte pasionin dhe talentin e vet. Edhe shoqërinë e kishim të njëjtë, meqë dilnim në vendet e njëjta, dëgjonim muzikën e njëjtë, hanim ushqimet e njëjta. Nëna shpesh shfaqte kënaqësinë me raportin tonë, por kishte edhe një dozë frike, se një ditë, do të dashuroheshim në mashkullin e njëjtë. E, kjo nuk kishte gjasa që të ndodhë, meqë shijet tona për meshkujt ishin shumë të ndryshme. Dallonim edhe për një gjë. Mua gjithmonë më kishte pëlqyer dielli dhe deti, derisa ajo preferonte borën dhe bjeshkët. (vijon)

(Kosova Sot Online)