Ngjarje e vërtetë: Raporti im special me motrën (4)

  • E.K /
  • 13 maj 2021 - 15:52
Ngjarje e vërtetë: Raporti im special me motrën (4)

Me kënaqësi kujtoja atë ditë kur Iliriana vazhdoi që të jetonte përsëri... E, tani do të duhej që t'u vishesha punëve, meqë do të më vinte vajza ime për fundjavë. Mjaft më me mendimet rreth Ilirianës. Për mua, sa herë që më vinin vajzat, ishte ditë feste. Pas një dreke të bollshme, unë dhe Sara mbetëm një kohë duke biseduar pranë tryezës, kur papritmas ndjeva një ftohtësi të papërshkrueshme, sikur të kisha hyrë në ndonjë frigorifer! U drodha nga të ftohtët e Sara më shikoi me habi. - Çka u bë, nënë? A po të dhemb diku, a? - Jo, jo... Nuk e di çka kam. Më kaloi. Për një moment sikur të kisha hyrë në frigorifer. Asgjë të tillë nuk kam ndier në jetën time - i thashë me sinqeritet.

Derisa ne të dyja ashtu vazhdonim duke u habitur, mu kujtua zgjimi i ditës së djeshme dhe gjoja bërtitja. Mendova mos me të vërtetë isha duke u çmendur. Sarës nuk guxoja t'i thosha asgjë që të mos e prishja gëzimin e ardhjes së saj në shtëpi, meqë kjo për ne kishte rëndësi të madhe. Edhe mëngjesin tjetër vazhdoi repriza e zgjimit dhe bërtitjes. Tani, për shkak të asaj ndjenjës së ftohtësisë, u binda se burri im nuk kishte sajuar asgjë. Situata më frikësonte. Çka duhej të bëja? Kisha frikë nga vetja ime. Ishte e shtunë, nuk mund të shkoja te mjeku. Meqë Sara vërejti se më mundonte diçka, mu desh që t'ia tregoja të gjitha. - Nënë, a të mungon tepër tezja Ilirianë? - më pyeti pas një pauze. 

Pa, çka të them, më mungon, por jo aq shumë sa që për këtë gjë të kam probleme psikike. Komunikojmë me anë të emailave, për gjithçka, kështu që, në fakt, nuk e kam vështirë që ajo gjendet larg dhe që nuk e kam parë për një kohë të gjatë. Më shumë më mungonte derisa sorollatej këtu, ashtu depresive dhe e mjerë. Atëherë me të as që mund të bisedoje. - E di se nuk je e prirë që ta besosh atë që do të ta them, por megjithatë merre parasysh këtë situatë. Mos bëhet fjalë për telepati? - Tele… pati? Kah të erdhi kjo ide? Dje dhe sot në mëngjes nuk e ndjeva fare. Derisa bisedonim dje pas dreke as që i kisha mendtë te ajo. E, përndryshe, ne nuk jemi binjake.

Çfarë lidhjeje ka kjo? E dija se do t'i mohosh që të gjitha! - tha Sara, tani paksa e zemëruar. - Mirë, do të të dëgjoj. Si e shpjegon ti këtë? Mes a e di, me anë të fuqisë së vullnetit gjoja mund ta realizosh ndonjë komunikim në distancë me personin me të cilin je e lidhur emocionalisht, por unë nuk tentova ta bëja një gjë të tillë. Të thashë, kur përjetova ato ngjarjet e çuditshme, nuk e kisha mendjen te ajo. - Unë mendoj - vazhdoi Sara - se ka shumë mënyra dhe forma të asaj dukurie. Mund të ndjesh atë që ndien ai person edhe pse ajo që ndien nuk përputhet me situatën tënde. Dua të them, ai përjetimi i ftohtësisë. Mundohu që të kujtohesh, kur bërtite, a ndjeve ndonjë dhembje, frikë...? Kur ke biseduar për herë të fundit me tezen? - O, paskan kaluar katër ditë.

Po shkoj ta thërras. Nuk e hapte telefonin, edhe pse ishte e shtune dhe ajo të shtunave nuk punonte. Nuk lajmëroheshin as fëmijët e saj, e as shoqja e saj, Anita. I thirra disa herë, por kot. Fillova të shqetësohesha mos iu kishte ndodhur diçka të gjithëve së bashku, ndonjë fatkeqësi trafiku?! Në anën tjetër, e pyesja veten pse më kishte kapur paniku, kur deri pak më parë absolutisht nuk besoja në gjëra të tilla. Ilirianës ia dërgova një email. Derisa e kisha vajzën në shtëpi, nuk doja që tërë kohën të bëja telefonata pa përgjigje. Por, nuk mora përgjigje as në email. Përsëri i thirra të gjithë numrat që i kisha, përsëri shkrova email, kështu tri ditë me radhë. Sarës i duhej që të kthehej në fakultet, e ende nuk i kishin sqaruar gjërat rreth telepatisë eventuale. (vijon)  

(Kosova Sot Online)