Ngjarje e vërtetë: Si u martova me një grua të tmerrshme? (2)

  • E.K /
  • 18 May 2021 - 15:48
Ngjarje e vërtetë: Si u martova me një grua të tmerrshme? (2)

Për fëmijët e mi e doja vetëm më të mirën, por Diana nuk ishte e tillë. Me vite të tëra kam qenë i verbër, por erdhi koha kur përfundimisht i hapa sytë. - Nuk do të më nxjerrësh jashtë si një thes me bërllok - ishte evidente se ajo donte ta fillonte një diskutim të gjatë e të rëndë. - Unë e thashë timen, e ti e di shumë mirë se unë e mbaj fjalën. Nuk do të bëj zhurmë, vetëm do të veproj - iu përgjigja, e më pas shkova në dhomë, te vajza jonë më e vogël. Aty, në dysheme, respektivisht në një dyshek, kisha fjetur me muaj të tërë. Gjithmonë hyja aty pasi që ajo të kishte fjetur dhe zgjohesha para saj, në mënyrë që, as asaj, e as fëmijëve më të rritur, të mos detyrohesha t'iu tregoja pse nuk flija më me nënën e tyre në të njëjtën dhomë. Duke menduar se çka më priste në të ardhmen, më mori gjumi dhe pash një ëndërr tepër të mirë.

Afër meje më nuk ishte rrospia Diana, por një grua e mrekullueshme plot mirëkuptim për situatën në të cilën gjendem, për të gjitha problemet dhe shqetësimet e mia. Derisa isha duke e larguar dyshekun, mendoja për atë ëndërr. Pas tërë atyre viteve për herë të parë mendova sesi do të doja sikur me të vërtetë ta gjeja një grua, sikur atë që e kisha parë në ëndërr. Më duhej dora e ngrohtë e dikujt në faqe, puthjet e dikujt, afërsia, më duhej dikush që do të ma kthente besimin te dashuria, që do të më jepte kurajë kur do të isha i dëshpëruar, që do të më ngrehte në këmbë. Mëngjesi ishte i zymtë, e shikimi nga dritarja nuk ishte aspak inkurajues. Fillova që të përgatisja petulla për fëmijët.

Ndoshta ky nuk ishte kafjalli më i shëndetshëm, por që të tre fëmijëve u pëlqente pa masë. Diana hyri pasi që i kisha pjekur disa petulla, e mori njërën prej tyre, e leu me pekmez dhe e mbështolli. Derisa e hante, më pyeti se pse nuk i kisha qitë kafet. - Nuk e dija se do të zgjoheshe kaq herët. Ti zakonisht zgjohesh, pasi që fëmijët të shkojnë në çerdhe dhe shkollë, e kafe as për vete ende nuk kam bërë - ia ktheva dhe e mora xhezven. Ajo buzëqeshi. - Mendova rreth gjithçkaje që më the mbrëmë. Në njëfarë mënyre ke të drejtë. Ti dhe fëmijët edhe ashtu vetëm më nervozoni, e ti nuk mund të ma ofrosh jetën të cilën e kam ëndërruar gjithmonë. M'i jep 50000 euro dhe do të të hiqem qafe. Këto fjalë më tronditën aq shumë, sa që më ra xhezvja nga dora, sapo e mbusha me ujë.

U laga i tëri dhe u lagën edhe pllakat e kuzhinës dhe, derisa unë shikoja i tmerruar në dysheme, ajo qeshte me tërë zërin e saj. - Kjo vetëm tregon se sa i ngathët je si amvise - tha ajo, duke u dridhur nga të qeshurat. Në atë moment sikur plasi diçka në mua. Harrova mirësjelljen, harrova ujin që e kisha derdhë. Iu afrova, ia mora petullën nga dora, e kapa me të fortë, ashtu të veshur me pizhame të mëndafshta dhe e tërhoqa zvarrë deri te dera kryesore. E hapa derën, e shtyra atë jashtë, e më pas e tërhoqa edhe përgjatë oborrit. Pasi që arrita te porta, e hapa portën dhe e hodha atë jashtë. Më vinte neveri nga afërsia e saj. - Këtu e ke vendin, e sa më përket mua, këtu në rrugë mund të rrish përgjithmonë. Leckat tua do të t'i dërgoj te nëna jote - i thashë duke bërtitur me zë të lartë dhe ia mbylla portën. Hyra brenda, mora çelësin, u ktheva te dera dhe e mbylla.

Nuk mërzitesha që bënte mot i lig, se ajo ishte veshur vetëm me pizhame dhe se mund të sëmurej. Ishte ajo që mua dhe fëmijët na kishte shndërruar në njerëz të sëmurë. Për fajin e saj kishim humbur çdo sens për humor, për fajin e saj ishte zhdukur gëzimi dhe rehatia nga jeta jonë, për fajin e saj kishim harruar të qeshnim, e lotët na ishin bërë pjesë e përditshmërisë. Na kishte shkatërruar me disponimin e saj vazhdimisht të keq, me ankesat për gjithçka, me dembelinë dhe shkujdesjen e saj, me padurimin për të gjithë ne. (vijon)

(Kosova Sot Online)