Ngjarje e vërtetë: Si u martova me një grua të tmerrshme? (3)

  • E.K /
  • 19 May 2021 - 15:48
Ngjarje e vërtetë: Si u martova me një grua të tmerrshme? (3)

Në shtëpi edhe vetë jam kthyer i lagur, por kjo nuk më ka penguar. Isha tepër i mllefosur. E kam hedhur shikimin në orë, e koha edhe më tutje po kalonte. Fëmijët nuk duhej të vuanin shkaku i marrëdhënies sonë, dhe kam filluar t'u pjek petulla. Disa minuta më vonë u zgjua vajza ime më e re. Më përshëndeti dhe u habit kur e pa ujin në dysheme. - Babi, përse nuk e ke fshirë ujin nga pllakat - më pyeti edhe pse ishte vetëm katër vjeçe, me duart e vogla shkoi për një peshqir, për ta fshirë ujin. Kam menduar se ishte më e mençur se e ëma e saj. E kam ledhatuar me dorë në faqe, e kam puthur edhe njëherë dhe e kam ulur në tavolinë, ia mora nga dora peshqirin dhe i kam fshirë pllakat. Ajo po më vështronte me habi. 

Baba, më nuk jam aq e vogël. Po e shoh se çfarë po ndodh, edhe pse s'po më tregon gjë. E di se gjithnjë fle në dhomën time. Përse ti dhe nëna nuk po duheni më - më pyeti, e fjalët e saj më prekën sikurse rrufeja. Thjesht, nuk e dija si t'i përgjigjem. Kishte vetëm katër vjet dhe kishte të drejtë për një fëmijëri të lumtur, me nënë dhe baba, e jo ajo të kujdesej për neve. Sa shumë jam turpëruar atë moment para syve të bijës sime. Sinqeriteti i fëmijës të prek në zemër më shumë se çdo gjë tjetër. Në fillim më erdhi t'ia shpjegoja të gjitha, arsyen pse nuk e dashuroja nënën e saj, por e kam kuptuar se ta turpëroja atë në sytë e fëmijëve nuk ishte e drejtë nga ana ime.

Shpirti, ti ende je e vogël. Kur të rritesh, do ta kuptosh se disa dashurive me kalimin e kohës i humbet shkëlqimi. Atëherë e kupton se personin që e dashuron duhet ta lësh të ikë dhe ta gjejë fatin e vet. Ti dhe motra jote, së bashku me vëllanë jeni gjithçka për mua në botë. Juve në këtë botë ju ka sjellë nëna juaj dhe gjithmonë do t'i jam falënderues për këtë. Nëna, që nga sot nuk do të jetojë me ne. E dini edhe ju që nëna nuk ka qenë e lumtur në shtëpinë tone. Ajo do të provojë që përsëri ta gjejë fatin e saj - po ia shpjegoja, duke besuar se ashtu ishte më së miri. Shumë shpejt erdhën djali gjashtë dhe vajza nëntë vjeçe. Edhe atyre ua kam thënë lajmin sikurse vajzës së vogël.

Asnjëri prej fëmijëve nuk e ka lëshuar asnjë lot të vetëm për nënë e tyre. Mendoj se kjo më së miri fliste si ishte nëna e tyre. Shpjegimin e njëjtë ua kam dhuruar edhe fëmijëve të tjerë dhe e kanë pranuar pa kundërshtim. Kur të gjithë kemi dalë nga shtëpia, unë në punë e ata në shkollë, ajo më nuk ishte para shtëpisë. Kisha frikë se çfarë do të ndodhte po të ishte aty, kisha frikë nga skenat, por për fat nuk kishte pritur para shtëpisë. Unë nuk e di se ku kishte shkuar ajo, nuk e dija, por mund të hamendësoja. Kur kam përcjellë fëmijët, kam thirrur shefin në ditë dhe e kam lutur për një ditë të lire. Kisha nevojë për pak vetmi, kohë për ta menduar të ardhmen time.

Duke menduar si dhe çfarë, duke u sjellë nëpër shtëpi dhe duke përgatitur drekën për fëmijët, koha po më fluturonte. Kam shkuar te fëmijët dhe kisha frikë se si do të reagonin, kur në tavolinë nuk do të ishte e ëma e tyre. Me asnjë gjest nuk e treguan se po ju mungonte Diana. Kur kemi përfunduar, më ka thirrur e ëma ime. Ishte krejt jashtë vetes, plot mllef dhe zemërim. - Djalosh, a ke luajtur mendsh ti? Çfarë ke bërë? Si e ke përzënë Dianën prej shtëpisë? A mendon se je në gjendje të kujdesesh vetë për tre fëmijët e vegjël - po bërtiste në mua porsa e hapa telefonin. (vijon)

(Kosova Sot Online)