Ngjarje e vërtetë: Si u martova me një grua të tmerrshme? (6)

  • E.K /
  • 22 May 2021 - 15:31
Ngjarje e vërtetë: Si u martova me një grua të tmerrshme? (6)

Gjatë tërë natës nuk futa gjumë në sy, e vajza nuk erdhi, se nuk erdhi. Vetëm pak para mëngjesit më ra ndërmend se Diana do të mund të vazhdonte me shantazhe, pasi që do të kuptonte se ia kisha dhënë aq sa kishte kërkuar, duke u bërë e pangopur, por tanimë ia kisha paguar paratë dhe ishte vonë të pendohesha. E thirra nënën e saj, por edhe nënën time, duke i informuar se çka ishte duke ndodhur. Vjehrra mbeti e tmerruar. Ajo kurrë nuk më kishte dashur mua, e as unë atë, por ishte e drejtë. Fjalët, të cilat i tha për vajzën e saj të hasretit, nuk mundem as t'i përsëris, aq të neveritshme ishin ato, por Diana i meritonte të gjitha. Ajo premtoi se do të më ndihmonte.

Vetëm njëzet minuta më vonë vjehrra më thirri dhe më tregoi se e kishte gjetur Dianën dhe se do ta sillnin vajzën. Nuk më dha shpjegime të tjera, vetëm më tha se vajza ishte mirë. Nuk vonoi shumë e ajo ma solli vajzën. Ajo ditë ishte e ftohtë, por kur e pash vajzën time, sikur më rrezatoi një diell i ngrohtë vere. Mi zgjati duart dhe, me atë zërin e saj të ëmbël prej fëmije, më tha: babi! Atë moment mu larguan të gjitha problemet dhe shqetësimet. Pasi që e mora në krahë dhe e putha në faqe, më tregoi sesi e ëma e kishte dërguar në një restorant dhe në një park, aty afër. Ajo nuk kishte kuptuar asgjë nga ajo që kishte ndodhur, gjë që ishte më mirë. Si do të ndihej vajza sikur të arrinte ta kuptonte se e kishte rrëmbyer nëna, për ta shantazhuar të atin?! Dy fëmijët e tjerë ishin duke dalë nga shtëpia, kështu që në shtëpi mbetëm vetëm unë, vjehrra dhe vajza e vogël.

E, vogëlushja ishte e gëzuar, kërcente nëpër dhomë. Vjehrra ma bëri me dije se si donte të bisedonte seriozisht me mua. - Më vjen turp, meqë nuk gjej fjalë tjetër për të thënë. E di se bija ime kurrë nuk ishte një grua të cilën ti e meriton. Që në vegjëli, bija ime ishte fëmija më i urryer, meqë grindej me të gjithë dhe bënte dredhi të cilat as të rriturve nuk do t'iu binin ndërmend. Kam bërë krejt çka kam mundur që të ndikoja te ajo, por më kot. Kam provuar me të mirë dhe me të shtirë, me dajak, por më kot. Kurrë nuk kam arritur të kuptoja çka kishe parë te ajo, që të kishte pëlqyer, por isha e gëzuar që, përfundimisht, ma hoqe atë nga shtëpia. Kurrë nuk kishte konsideratë ndaj ndokujt. Fjalët e pahijshme dhe sjelljet edhe më katastrofale ishin përditshmëria e saj. Nuk e di se kujt i ka ngjarë dhe pse është e tillë, por kaherë i kam ngritur duart nga ajo. ndoshta edhe ky ishte njëri nga gabimet që i kam bërë. Me këtë veprim, duke e rrëmbyer vogëlushen, ajo u degradua deri në fund.

Mjaft më! Nëse do të kesh probleme me marrjen e kujdestarisë ndaj fëmijëve, jam e gatshme që të dëshmoj për ty në gjyq. Paratë që ia ke dhënë nuk do t'i 'qëndrojnë' shumë, gjë që shpresoj se e di edhe ti. Krejt paratë do t'i bëjë rrush e kumbulla, duke mbetur në fund me gishta në gojë. Ajo nuk ka shoqe, e askush nga të afërmit nuk e do. Deshi, s'deshi, asaj do t'i duhet që të kthehet te unë, nuk do të ketë ku të shkojë. Nëse do të mundem, do të përpiqem që të t'i kthej një pjesë të parave që mi ke dhënë - më tha vjehrra, e cila ishte shumë e zemëruar me të bijën. Biseduam gjatë edhe pse vogëlushja, herë pas here, na ndërpriste, por kjo gjë nuk na pengonte. Që të dy e donim pa masë dhe ishim të lumtur që princesha e vogël përfundimisht ishte në të sigurt, me mua. Disa muaj më vonë u ndava edhe zyrtarisht nga Diana. Ajo nuk donte që të fliste në lidhje me rrëmbimin e vajzës, e as unë nuk insistova në atë drejtim. Paratë që ia kisha dhënë nuk i pash kurrë më, por lumturia e vajzës për mua kishte një vleftë më të madhe. (vijon)

(Kosova Sot Online)