Roman dashurie: Gruaja me sekrete (29)

  • A.P /
  • 30 May 2021 - 10:20
Roman dashurie: Gruaja me sekrete (29)

Vlora u nervozua për një moment. I kishte thënë disa herë se i pëlqente, por fjalët binin në kundërshtim me veprat e tij. - Ti më njoftove me të dashurën tënde! Je i zënë, e këndej më thua se të vjen keq që jam me tjetrin. - E them atë që e ndjej. Nuk jam mësuar t'i fsheh ndjenjat sikur që, duket, nuk jam mësuar që, me vajzat si ti, të sillem në mënyrën e duhur. - Me vajzat sikur unë? Nuk kuptoj, çfarë vajze qenkam unë? Dini buzëqeshi. - Përsëri më kuptove gabimisht. Fjalën e pata për vajzën, e cila vjen nga shehri i madh dhe, si duket, është e pasur dhe e cila, besoj, di saktësisht se çka dëshiron. Ty nuk mund të të bëjnë përshtypje paratë, sepse i ke vetë ato. Besoj se nuk jepesh as pas bukurisë, sepse ka aq shumë meshkuj të bukur që të vardisen. Për ty duhet bërë përgatitje, analizë, thurje të planeve. Të paktën kështu unë i shoh gjërat. Vlora mohoi me kokë. - Këto janë marrëzi. - Me të vërtetë? Atëherë, çka nevojitet për ta bërë për vete një vajzë si ti? Asaj nuk iu desh që të mendonte, por u përgjigj aty për aty. - Këtë e vendos vetëm zemra ime. Erdhi deri te një heshtje e pakëndshme. Sikur edhe motori nuk bënte zhurmë më. Vlora shpresonte në përgjigjen e tij, por atë e mori vetëm pas pesë minutash.

- Kuptova. Zemra jote, si duket, paska zgjidhur dikë tjetër. Dhe, unë nuk mund të bëj asgjë në këtë drejtim. Në atë moment zemra e Vlorës filloi të rrihte me të madhe. Ishte shumë afër veprimit me të cilin do t'i thoshte se Sokoli kishte qenë vetëm një njeri i mirë, i cili kishte qëlluar afër saj në momentet kur nuk kishte mundur ta dinte se çka donte, respektivisht çka ndiente ndaj Dinit. Por, në ato momente atij i cingëroi telefoni, çka u pasua nga një bisedë e gjatë me një punëtor. E, pasi Dini kreu bisedën, Vlora më nuk e kishte guximin që të thoshte ndonjë gjë.

KAPITULLI I NJËZETEDYTË

Dimri erdhi në qytet dhe gjithçka u mbulua me një shtresë të bardhë dhe të pastër. Vajza e "shehrit të madh" nuk ishte mësuar me këtë pamje. Dimri në kryeqytet shkaktonte tollovi në trafik, gjë që humbte tërë magjinë e kësaj stine. Këtu gjithçka dukej krejtësisht ndryshe. Bardhësia e dëborës thjesht të ftonte që të dilje në rrugë dhe të ecje, derisa bora nën këmbët tua kërcëllonte këndshëm. Ata hapën edhe një dyqan me shitje me pakicë. Punësuan dy punëtore, e më pas meqë obligimet e saj sa vinin e shtoheshin, Vlora angazhoi edhe një zëvendëse. Dini ishte i kënaqur me punë dhe marketing, meqë për shkak të kërkesave të mëdha, ishte dashur të hapte edhe një repart prodhues. Me këtë merrej ai gjatë atyre ditëve të ftohta dimërore, prandaj Vlora e shihte shumë rrallë. (vijon)  

(Kosova Sot Online)