Roman dashurie: Gruaja me sekrete (36)

  • A.P /
  • 06 June 2021 - 15:33
Roman dashurie: Gruaja me sekrete (36)

Atëherë filloi të qajë dhe hyri shpejt në veturë, duke ikur nga gjithçka që ia lëndonte shpirtin. Nuk kishte aty vetëm dhimbje për shkak se ishte kthyer në fillim, që mbiemri i saj sërish kishte mbizotëruar të gjitha kualitetet e saj jetësore. E lëndonte fakti që në këtë mënyrë, por ndahej nga Dini. E urrente, por në të njëjtën kohë e dinte që zemra e saj ndjen diçka krejtësisht të kundërt me urrejtjen. A aty diku e urrente edhe veten për shkak se nuk dinte të lirohej nga të dashuruarit në personin e gabuar.

KAPITULLI I NJËZETEGJASHTË

Të nesërmen e mori vendimin. Ishte më lehtë se që kishte menduar. Mund të ishte hakmarrëse, e që nëpërmjet babait të saj ta gjejë ndonjë avokat të fortë dhe të marrë më shumë nga Dini. Ishte në gjendje që t'ia shkatërronte biznesin. Por, ajo vetëm dëshironte që ta shërojë zemrën dhe shpirtin e saj. Shpirtin e kishte të lënduar nga mossuksesi, kështu që konsideronte që shkuarja në atë qytet dhe e tërë ajo që e kishte bërë më pas ishin gjëra për ta dëshmuar vetveten. Ndërsa, zemrën e kishte të lënduar, sepse ishte e zhgënjyer, e ofenduar nga mashkulli që për të ishte sikur ndonjë personazh nga filmat, një gjë, e cila nuk ishte supozuar që të ndodhë, por i cili që nga momenti i parë zuri vend në zemrën e saj. Jo, ajo kishte vendosur vetëm që të shkojë, në mënyrën më të thjeshtë të mundur. Pa avokat, pa komplikime, pa ndonjë fjalë apo kërkesë. Vetëm që të ikë atje ku, si duket, e ka vendin. Ajo gjithmonë do të mbetej vajza e prindërve të saj, nuk mund të bënte asgjë në atë drejtim. E kishte bartur atë barrë dhe tani e kishte dorëzuar armën në atë çantë. Ishte më e fortë se ajo. Për këtë arsye i kishte telefonuar avokatit të Dinit dhe i kishte thënë qartë se kërkon vetëm paratë që i ka investuar në atë biznes. Disa i kishte dhënë për qira të lokalit, disa për paga të punëtorëve, disa për disenjatorët që kishin punuar edhe në hapësirë edhe në produkte.

Avokati në fillim ishte i habitur, sikur nuk besonte që ajo është duke e prishur kontratën në atë mënyrë. Madje i tha që kompania e tyre kishte fituar shumë që nga koha kur ajo kishte hyrë në biznes, kështu që është reale që të kërkojë më shumë para se ato që ka investuar. Por, më pas e kuptoi që Vlora nuk është e interesuar që të bisedojë për atë punë. Vetëm përfundojeni! Dërgojani klientit tuaj lajmin e mirë dhe paguajeni për arsye se ka kaluar kaq mirë, por sa më parë. E pastaj e çlajmëroi banesën, e më pas, së pari Lolës i tregoi se do të kthehej në shtëpi. Vetëm më pas, i lajmëroi nënës se do të kthehej përsëri në dhomën e saj. Nëna i bëri shumë pyetje, e brengosur dhe e sigurt se vajzës së saj i kishte ndodhur diçka shumë e keqe, sepse në një bisedë parapake, vetëm disa ditë më parë, ajo ishte me grip, por e lumtur. Asgjë nuk kishte bërë me dije se ajo donte të kthehej në shtëpi. Vlora ia kishte dalë që t'iu ikte përgjigjeve direkte. Kishte vendosur që kurrë të mos ua tregonte të vërtetën prindërve të saj. (vijon)  

(Kosova Sot Online)