Ngjarje e vërtetë: Si doli në pah lidhja që shkatërroi dy martesa (1)

  • 09 June 2021 - 15:51
Ngjarje e vërtetë: Si doli në pah lidhja që shkatërroi dy martesa (1)

Muharremi dhe unë ishim moshatarë, nga i njëjti vendbanim, miq që nga fëmijëria, thuajse vëllezër, i kishim premtuar njëritjetrit se do të martoheshim të njëjtën ditë dhe ta themelonim një sipërmarrje ndërtimtarie, gjë që më pas edhe u bë realitet. Studimet i kaluam bashkë, duke u argëtuar e duke këmbyer të dashurat, deri atë ditë kur unë për herë të parë putha Dianën. Menjëherë kuptova se ajo ishte e bërë për mua. Dy vjet më pas tanimë ishim të martuar. Kur u martova kisha 25 vjet, e Diana 21.

Gjatë vitit të parë të martesës u kënaqa me të, e më pas filluan të vinin fëmijët. Isha duke u çmendur nga gëzimi kur na lindën binjaket, të cilat dita-ditës vinin duke u bërë si Diana në miniaturë. I magjepsur nga lumturia ime, vazhdimisht i thosha shokut: - Muharrem, hajde edhe ti gjeje ndonjë femër dhe rehatohu. Më beso, shumë më mirë është kur të martohesh. Ke me kë të biesh në mbrëmje dhe me kë të zgjohesh, t'i ndash mendimet, të shoqërohesh, dikë që të do dhe kë e do. Më pas vijnë fëmijët, të cilët e forcojnë lidhjen edhe më shumë.

E, kur të përqafojnë fëmijët me ato duart e tyre të vockla dhe kur të puthin për herë të parë, pa ditur mirë si ta bëjnë atë, lumturia nuk ka fund. - Uh, sa romantik je. Nuk ke qenë i këtillë gjatë studimeve - buzëqeshi shoku im, i cili, sa më i moshuar që bëhej, aq më të reja i preferonte femrat. Bile edhe bënte shaka në llogari të tyre. - Mos u shqetëso ti për mua. Edhe mua më pëlqejnë fëmijët, por vetëm ata që kanë arritur moshën e pjekurisë dhe që janë femra. - Marre të qoftë! - i thosha unë në këto raste, edhe pse e dija se ai ishte duke e ekzagjeruar. - Kur të bëhesh prind edhe vetë do të shohësh se çka dmth një gjë e tillë. - Për këtë shkak edhe nuk bëhem!

Me këso debatesh kalonin vitet, por një ditë shoku im 35- vjeçar më ftoi për pije, në një kafene aty afër, duke më thënë se e kishte gjetur "atë të vërtetën". Më duhet të pranoj se u ndjeva i lehtësuar kur e dëgjova këtë. - Mirë, të paktën nuk është fëmijë - i thashë pasi dëgjova se ajo ishte dhjetë vjet më e re. - Por, tregomë ti mua, a do të na njoftosh Dianën dhe mua me atë të gëzuar femre? - Jarani im, jo vetëm që do t'ju njoftoj, por ju do të jeni edhe të ftuarit e parë në dasmën time - më tha duke u ngritur dhe, sikur që e kishte zakon, duke i hapur krahët, paksa në mënyrë teatrale, duke pritur përqafimin tim dhe urimet e mia.

Prandaj u ngrita edhe unë, e përqafova, ia urova dhe u ula me buzëqeshje në fytyrë, por ai vazhdoi që të mbetej krahëhapur. - E tani çohu edhe një herë dhe uroma faktin që, pas gjashtë muajsh, do të bëhem baba. Krenar, të gjitha ëndrrat e tua po realizohen - më tha ai, duke buzëqeshur. - Po, po, Muharrem, por pranoje se këto janë edhe ëndrrat e tua - i thashë, kësaj here duke e përqafuar edhe më fort. - Më vjen mirë që t'i paska marrë mendtë fisnikja. Hajde, organizoje ndonjë mbrëmje njoftimi. Ja, mund të vini te ne për drekë. - Do të të njoftoj - më tha.

E, tani më duhet që të shkoj te Meri, e më pas në ultrazërin e parë. Mezi po pres - tha ai, disi me një zë tallës. - Vetëm tallu ti. Por, e di se, në realitet, nuk je i këtillë. Krejt çka duhet të bësh, është që të relaksohesh, t'u japësh hapësirë ndjenjave të tua dhe të pushosh së luajturi rolin e maços dhe bandillit. Në fakt, gjithmonë besoja se Muharremi kishte një shpirt të ndjeshëm, edhe pse ai kurrë nuk preferonte që të fliste për ndjenjat e veta. Apo, thënë më mirë, ai tallej me meshkujt që shfaqnin ndjenjat e tyre, ndonjëherë edhe me detaje vulgare. Dhe, mu për shkak të këtij roli të tij të maço-s dhe të mashkullit pa ndjenja, femrat atij i shkonin vetë pas.

(Kosova Sot Online)