Ngjarje e vërtetë: Si doli në pah lidhja që shkatërroi dy martesa (2)

  • 10 June 2021 - 15:51
Ngjarje e vërtetë: Si doli në pah lidhja që shkatërroi dy martesa (2)

- Diana, kam një lajm të mrekullueshëm - thashë sapo hyra në shtëpi dhe ia dhashë gruas një të puthur të madhe. - Më thuaj - tha ajo, duke më shikuar, meqë unë me qëllim nuk i tregova menjëherë, me qëllim që ta rrisja kureshtjen e saj. - Qëlloja kush po martohet! - Muharremi - tha ajo pa menduar fare. - Si e dite? - u habita unë. - Paj, vetëm ai nga shokët tanë ka mbetur pa u martuar - tha ajo. - Ke të drejtë - i thashë, duke vërejtur se ajo nuk ishte e gëzuar, sikurse unë. - Ti, a nuk gëzohesh, a? - e pyeti. - Natyrisht se më vjen mirë, ishte koha e fundit, më. Më pas biseduam edhe pak rreth detajeve dhe i thash se Merin dhe Muharremin i kam ftuar për drekë. Por, gjatë tërë kohës pyetesha pse gruaja ime nuk ishte gëzuar sikurse unë rreth këtij lajmi. Duke e njohur atë, prisja që ajo, me të dëgjuar, të bërtiste nga gëzimi, t'i telefononte Muharremit duke ia uruar. Por, nuk ndodhi asgjë nga këto.

Përndryshe, Dianës i pëlqente fort Muharremi dhe, që nga momenti që ishin takuar, kishin kaluar për mrekulli. Bile edhe kur ndodhte që të grindeshin, dihej nga të gjithë se ata nuk do të zemëroheshin me njëri-tjetrin. Që të dy ishin plot energji, iu pëlqente që të ishin në lëvizje, prandaj edhe profesionin e kishin të tillë. Ai në sipërmarrjen tonë ishte gjithmonë ai që punonte jashtë, në terren, e ajo ishte agjente për shitjen e preparateve të shëndetshme ushqimore, që organizonte takime, botonte prezantime. Për Dianën asgjë nuk ishte e vështirë: as të punonte, as të ziente, t'i rriste fëmijët, të organizonte ndeja, të udhëtonte, t'ia dilte në krye me familjen time të madhe, e as mua nuk më linte asgjë mangu.

Të gjithë e donin. - Nuk jam martuar, meqë nuk kam gjetur një grua, sikur tënden - më kishte thënë Muharremi njëherë, duke bërë shaka dhe, duke ia bërë me sy Dianës, ashtu që ta shihja edhe unë, duke u përgjigjur në pyetjen time rreth martesës. - Kjo nuk do të ishte mirë - kishte thënë ajo atëherë. - Mund të marr me mend, do të vriteshim midis veti. Me Krenarin është një kombinim më i mirë. - Doni të thoni se unë jam qyqan? - Larg qoftë! Ti je një ekuilibër i mirë - komentoi Muharremi. - Atëherë ty nuk të duhet një Dianë, por një ekuilibër. Hajt, gjeje njëherë e mirë atë të shkretë! Kjo ishte një bisedë marroqe, por ajo mu kujtua kur e pashë Merin për herë të parë. E bukur, e qetë, e mençur, tepër e re për një përbindësh sikur që ishte Muharremi, por verbërisht e dashuruar në të. Të tillë e kisha përjetuar.

E, më pas, sa më shumë që e njihja, kuptoja se ajo ishte e gatshme për martesë dhe amësi dhe se e dinte me saktësi çka donte nga jeta. Njëherë më tha se kishte bërë shkollën e infermierisë, vetëm që sa më parë "të dilte në bukë të vet". Më pëlqenin vetitë e saj, të cilat i zbulova më vonë: përkushtimi ndaj njerëzve të cilët i donte dhe me të cilët takohej privatisht dhe në punë, empatia dhe mirëkuptimi për të gjithë, ngrohtësia të cilën e përhapte rreth vetes. Shpesh pyesja veten si kishte mundur ajo të rritej duke u bërë një njeri aq i mirë, duke qenë se ishte rritur në një strehimore për fëmijë të braktisur. Ashtu sikur që Diana e kishte pranuar Muharremin, po ashtu edhe unë e pranoja Merin. E konsideroja si shoqen më të mirë dhe si një person me të cilin shpesh ndaja mendimet. Derisa, partnerët tanë bashkëshortorë ishin të një lloji tjetër, ngapak egoistë në çdo aspekt, por për ne të dashur edhe me të metat e tyre të vogla. Shoqëroheshim shumë shpesh. (vijon)

(Kosova Sot Online)