Roman dashurie: Gruaja me sekrete (42)

  • E.K /
  • 12 June 2021 - 17:17
Roman dashurie: Gruaja me sekrete (42)

Dini e çoi Fluturën lart, deri te zyrat. Zëvendësja ishte aty, në vendin e vet, e përmbajtur ndaj shefit, por e disponuar ndaj shefes. Kur ai e dërgoi edhe deri te zyra e saj e dikurshme, nuk u durua pa e pyetur pse kishin ardhur këtu. - Doja që të shohësh se asgjë nuk kam ndryshuar. Askush nuk është ulur këtu pas teje dhe, unë nuk kam ndryshuar asgjë nga ajo atmosferë të cilën ti e pate krijuar këtu. Ajo të pret. - Urdhëro? Deri tani e kishin evituar bisedën rreth punës së tij dhe rolit të saj në të. Sikur kjo të ishte ndonjë pikë e dobët, e cila do të mund ta prishte pasionin e dashurisë, të cilin e kishin gjetur te njëri-tjetri. Për këtë shkak Flutura u ndie e befasuar në këtë moment.

Flutur, do të doja që të ktheheshe këtu! Natyrisht, kur të jesh e gatshme. - Kjo do të nënkuptonte edhe një marrëveshje të re, apo jo? Vetëm donte që të bënte shaka, në mënyrë që të mos ia jepte përgjigjen. Thjesht, i duhej që të mendonte për këtë. Nuk donte të ngutej tepër. - Nëse do ta bënim një marrëveshje tjetër, atëherë ajo e vjetra do të bëhej e pavlefshme. - Çfarë marrëveshjeje tjetër? - Të themi, një marrëveshje... martesore? Kjo e bëri Fluturën që të mbetej pa fjalë. Nuk mund të besonte se ai e kishte seriozisht. - Po bën hajgare, apo jo? - E ti, çka po mendon? Ai u përkul dhe e puthi në atë mënyrë, sa që ia bëri me dije se aspak nuk tallej. Kur mbaroi puthja, ajo ishte e kuqe në fytyrë. Dini buzëqeshi. - Ia dola të të bëj të skuqesh, sikur të ishe vajzë e shkollës. 

Po, ia dole. - Nuk jemi duke u ngutur. Nuk është e thënë të jetë nesër, e as pas një muaji, a dy muajsh. Vetëm dua ta dish se mendimet dhe ndjenjat e mia shkojnë bashkë në atë drejtim. Në fakt, që nga dita e parë e di se kam dashur të më bëheshe grua. Nëse nuk ke ambicie të njëjta... do të doja ta dija menjëherë. Tani ishte Flutura ajo që buzëqeshi. - Nuk e di a mund të thuhet ambicie, por nuk iki nga një gjë e tillë. Tani për tani, këtë përgjigje e ke nga unë. - Jam i kënaqur. Mirë jemi duke përparuar. Deri tash vonë mendoja se nuk do të të shihja kurrë më. E di, nëse do të martoheshe me mua, do ta zgjidhje edhe një problem tjetër. - Cilin? - Problemin e mbiemrit. Ajo buzëqeshi nga zemra. - Epa, kjo është njëra ndër arsyet më të mira për martesë që kam dëgjuar ndonjëherë.

Vazhdonin të qeshnin, e më pas u nisën për në një restorant të afërt, për të drekuar. Por, mu para restorantit, hasën në Sokolin. Kur ai i pa së bashku, u zbeh si xhenaze. Flutura nuk ia kishte falur atë që ai i kishte bërë, por si duket Dini po. Ai iu afrua dhe ia shtriu dorën përzemërsisht. - Shok, më vjen shumë mirë që të takoj. Sokoli menjëherë ndjeu ironinë dhe përqeshjen. Vetëm bëri me kokë dhe iku si i pakrye. Flutura e përcolli atë me një shikim neveritës. - Sa do të doja sikur të mos e kisha takuar kurrë më parë. Si isha mashtruar dhe kisha menduar se ai është djalë i mirë.

Sikur të mos e kishe njohur atë, me gjasë nuk do të më njihje as mua. Ndoshta kështu është e shkruar ndonjëherë, që së pari të hasim në njerëz të këqij, e nëpërmes tyre, të arrijmë deri te ata të mirët. - Nëse logjikon kështu, atëherë ia ka vlejtur. Ajo e shikoi me butësi, kurse Dini në atë moment konstatoi se ajo i ishte hapur tërësisht, nuk fshihte më asgjë nga ai. Sytë e saj ishin aq të qartë dhe të pastër, saqë zor se ndokush do të mund t'iu dëshironte atyre ndonjë gjë të keqe. - Tani më ka mbetur të njoftohem me prindërit e tu dhe ta ndryshoj mendimin rreth politikanëve. Flutura buzëqeshi dhe pohoi me kokë. Njëherë e mirë ishte çliruar nga barra e mbiemrit të vet, e me këtë do të zhdukeshin edhe të gjitha fshehtësitë, të cilat i kishte pasur deri tani.

(Kosova Sot Online)