Ngjarje e vërtetë: Si doli në pah lidhja që shkatërroi dy martesa (6)

  • E.K /
  • 14 June 2021 - 15:49
Ngjarje e vërtetë: Si doli në pah lidhja që shkatërroi dy martesa (6)

Më thirri sërish. Më tha që të shkoja tek ajo, meqë do të më thoshte diçka me rëndësi. - Ai më mashtron. Me vite të tëra! - Meri, nuk di ç'të të them. Nuk e kam vërejtur këtë në asnjë aspekt. - Unë e njoh atë femër. - Meri... - Kam dëshmi. Edhe ti e njeh. - E, kush është ajo? - Të lutem më ndihmo që ta tejkaloj këtë. Ti e di se nuk kam askënd më të afërt. Ty të kam më të afërmin. Nuk kisha kujt t'i tregoja, e ty nuk mundja. - Më thuaj tani - i thash duke e kapur për dore. - Njëherë ishin ndarë. Tani kanë filluar përsëri. - Më trego! Në tavolinë e qiti një zarf të madh, të verdhë. Në të gjendej një zarf tjetër, më i vogël, një faturë hoteli dhe celulari i punës së Muharremit, të cilin e kishte humbur gjatë qëndrimit në det.

E shikova faturën e hotelit. Aty ishte e shënuar data dhe ora. Kuptova se, atë ditë, gjatë pauzës së drekës, ai kishte qëndruar në një dhomë hoteli. Më pas hapa zarfin më të vogël me fotografi, të cilat po ashtu e kishin të shënuar orën dhe datën. Në foton e parë shihej Muharremi, duke hyrë në hotel në orën 11.05, e në tjetrën duke dalë nga hoteli, në orën 11:55. Në një fotografi tjetër ishte Diana, e cila hynte në hotel në orën 11:00, e dilte në orën 12:15. Kishte shumë fotografi të tilla, me data të ndryshme, por gjithnjë në kohë të njëjtë. Më pas pash fotografinë e atyre dyve, para hyrjes së një ndërtese banimi. Shihej bile edhe emri i rrugës dhe numri. - Kjo është një foto e bërë tash vonë - më tha Meri. - Shkova atje. Ata e kishin marrë me qira një banesë, që të takoheshin.

E, çka me celularin? - e pyeta i dëshpëruar. - E thirri gjatë qëndrimit në det, kurse më pas ia dërgoi dy mesazhe. I lexova dhe kuptova se përsëri ishin bashkë. Ia vodha celularin derisa përgatiteshim për t'u kthyer nga deti. Sa nuk çmendej se i kishte humbur celulari, por para meje nuk e manifestonte këtë. Tanimë i kisha fotografitë, por e angazhova një njeri që t'i incizonte. E kam edhe faturën e hotelit, të cilën e harroi në xhep. Doja të shihja çka fshihte celulari i tij dhe ta kisha si dëshmi. Doja të isha e sigurt, edhe për shkak tëndin - më tha e mërzitur. - Ti e ke ditur gjatë tërë kohës. Edhe atëherë, kur ma the për herë të parë. Ajo pohoi me kokë. - Qe sa kohë është duke zgjatur një gjë e tillë? - Mesa kuptova nga ato mesazhet në telefon, mendoj se kanë qenë në lidhje edhe para se unë të njoftohesha me Muharremin.

Me gjasë ai vendosi që të martohej, që ta harronte Dianën. Por, kur linda fëmijën, u binda se ai e kishte dikë tjetër. I zbulova, por Muharremi më ra në gjunjë, duke mu lutur që të të mos tregoja, duke më premtuar se çdo gjë do të përmirësohej. E kuptoja frikën e tij që të të mos lëndonte dhe të mos e rrezikonte martesën tuaj, meqë ai e dinte se sa i doje Dianën dhe vajzat. Ia fala sinqerisht, por tani shoh se paskam gabuar. U ngrita dhe shkova deri te dritarja. Nga dritarja shikova qytetin e lagur nga shiu. Nuk isha i zemëruar. Nuk e urreja askënd, nuk thash asgjë, nuk e dija ku gjendesha. Nga ajo gjendje më nxori Meri. - Krenar, tani do të vijë Muharremi nga puna. Të lutem shko! Nuk mund ta paramendoj takimin tuaj! - Ke të drejtë - i thashë, mora gjësendet nga tavolina dhe u largova. - Mos i thuaj asgjë derisa ta marr veten. Më duhet më parë që të bisedoj me Dianën - mezi arrita t'i thosha. Derisa isha në auto, mundohesha që ta qetësoja veten. Pasi arrita në garazh, qëndrova disa minuta aty, duke menduar. Pasi që u ngjita në shtëpi, Diana ishte duke i tharë flokët, që iu kishin lagur në shi, derisa binjaket ishin duke ngrënë në kuzhinë. (vijon)

(Kosova Sot Online)