Ngjarje e vërtetë: Si doli në pah lidhja që shkatërroi dy martesa (8)

  • E.K /
  • 16 qershor 2021 - 15:51
Ngjarje e vërtetë: Si doli në pah lidhja që shkatërroi dy martesa (8)

Diana e kundërshtonte një takim të tillë. Ishte e qartë se donte ta evitonte. - Mu gjatë asaj kohe më duhet që të intervistohem - tha ajo. - Në epokën celularëve me gjasë mund të merresh vesh me kohë - i thashë paksa me zë të ashpër, kështu që në mbrëmje megjithatë u përgatit kështu që të katër ne shkuam te Meri dhe Muharremi. Diana dhe Muharremi menjëherë vërejtën se situata nuk ishte e rëndomtë. I pashë sesi u shikuan kur unë, me qëllim, thashë që të shkonim me një veturë, atë timen dhe që të vozisja unë. As njëri, e as propozimi tjetër nuk ishte i rastit, meqë kurrë nuk kishim shkuar me një veturë dhe Muharremi gjithmonë kishte vozitur.

Por, megjithatë pranoi. Me gjasë për shkak të tonit tim. - Ku po na çon - pyeti pas pak Diana. - Te ne, në banesë - u përgjigja me qetësi. - Kam përgatitur për ne një shfaqje. - Mos ndonjë film pornografik? - u mundua që të bënte shaka Muharremi. - Kjo është më mirë se filmi - iu përgjigja me zë të ftohtë. Biseda vdiq dhe, më pas, askush nuk tha gjë. Pasi hymë në banesë, iu thashë që të rehatoheshin dhe solla zarfin. Diana iu ofroi kafe, por unë thashë se nuk kishte nevojë, meqë na duhej tavolina e zbrazët. Më pas nxora fotot nga zarfi. Gjysmën ia dhashë Dianës, e gjysmën tjetër Muharremit. Ua lëshua nga një sy dhe që të dy, pa bërë fjalë, i lëshuan në tavolinë. Atëherë nxora faturën e hotelit dhe ia qita përpara Dianës. Ajo nuk deshi që ta shikonte, prandaj e zhvendosa te Muharremi. As ai nuk e shikoi. Pastaj qita në pah celularin e Muharremit. - Çka është kjo? - tha, pasi e pa celularin e vet.

Kjo është marrëveshja - i thashë dhe me të shpejtë ua shpjegova kushtet. Muharremi kërceu në këmbë dhe filloi të bërtiste, sesi nuk do ta lejonte askënd që ta shantazhonte. - Atëherë mund të largohesh menjëherë. Gjësendet e tua do të t'i dërgoj me postë - i tha përfundimisht Meri. - Edhe unë jetoj dhe kontribuoj këtu me vite të tëra - u dëgjua Diana. - Çka ke kontribuuar ti me rrogën tënde? Natyrisht, nëse lëmë anash rrobat e tua intime, të shtrenjta - i thashë me pacipëri. - Në shtëpinë time erdhe me një çantë udhëtimi, me të edhe mund të largohesh. - Fëmijët janë të mitë. - Njëmend, të kujt janë ata? Të tutë, të mitë, apo të Muharremit? - Fëmija janë të tutë - tha ajo me një zë të tillë, që bëri të ditur se ishte dorëzuar. - Nëse pranoni, atëherë askush nuk do ta marrë vesh këtë.

Nëse nuk pranoni, atëherë dëshmitë do të shumëzohen dhe do t'iu tregohen të gjithëve: prindërve, vëllezërve dhe motrave, të të afërmve, miqve. Përpos triumfit dhe njëfarë kënaqësie që i poshtërova dashnorët, ajo që në fund fitova ishin dhomat e ndara të gjumit dhe shikimet e trishtuara të vajzave tona. Kjo mjaftoi që, me zemër, t'ia falja Dianës, por më nuk e doja si femër, si grua. Ajo në fillim u zemërua, prandaj edhe mundohej të arrinte diçka në atë drejtim, por më pas u dorëzua. Më mirë, meqë ajo më nuk ishte ajo femra në të cilën isha dashuruar. Për fat, Muharremi gjeti shumë shpejt një vend pune. Por, dy vjet më pas filluan që të dëgjoheshin zëra se ai dhe Meri ishin duke u ndarë. Sapo e dëgjoi atë lajm edhe Diana kërkoi shkurorëzim. Mendova se mos këta dy e kishin bërë këtë me marrëveshje, por kur e thirra Merin, për herë të parë pas "marrëveshjes", ajo më tha se shkurorëzimi ishte vetëm formalitet. Kishte qenë ajo që nuk kishte mundur më të duronte dhe ia kishte dhënë Muharremit lirinë e plotë. Meqë edhe në martesën time situata ishte e ngjashme, menjëherë pranova kërkesën e Dianës për shkurorëzim dhe u angazhova që procedura të mbaronte sa më parë që të ishte e mundur.

(Kosova Sot Online)