Roman dashurie: Një jetë më e mirë (4)

  • E.K /
  • 16 June 2021 - 15:55
Roman dashurie: Një jetë më e mirë (4)

Trupi i saj ndonjëherë ishte nën ndikimin e hormoneve, kështu që kishte epsh seksual, por jo ndaj ndonjë njeriu të veçantë, por vetëm ashtu, kryesisht kur ishte vetëm, por kurrë nuk i dorëzohej asaj ndjenje, duke e orientuar energjinë në lexim, thurje, në shkrimin e poezive dhe në aktivitete të tjera, të cilat nuk kishin shumë lidhje me meshkujt. Edhe atë ditë e hapi kafenenë më herët. Ishte ajo një ditë e vërtetë pranverore, ku dielli sapo kishte dalë dhe e ngrohte qytetin. Pasi që vendosi çdo gjë në vend dhe i shërbeu mysafirit të parë, një zotërie të vjetër, me kapelë, edhe vetë u ul në kopsht, duke vështruar kalimtarët.

Dikur i kishte pëlqyer ajo qytezë, sidomos gjatë ditëve me diell. Në ato momente harronte çdo gjë që ndodhte në shtëpinë e saj. Por, më shpesh ndodhte që ta urrente jetën e vet dhe pafuqinë që disa njerëzve, të cilët nuk do ta vlerësonin për shkak të fasadës së dëmtuar të shtëpisë dhe portës së ndryshkur, t'u tregonte se megjithatë e meritonte një çikë dashuri. Ofshau dhe e ngrehu tymin e cigares. Babai do ta vriste po ta dinte se pinte duhan, por ai nuk dilte ditën, e sidomos nuk shkonte në qendër.

Kafenetë e tij të preferuara gjendeshin në dalje të qytezës, aty ku takohej vetëm me ata që ishin aq të dehur, saqë nuk ndienin turp të rrinin me të. E pyeste veten se a e donte të atin. Nuk mund të besonte se kishte ardhur deri në atë derexhe, saqë nuk mërzitej fort ku gjendej ai, a do të sëmurej nga cirroza e mëlçisë, kush do ta sillte në shtëpi, ashtu të dehur... E, ishte e sigurt se për të atin e saj nuk kishte aspak rëndësi se çka do të ndodhte me të bijën e tij, me të pra. Ndonjëherë ky mendim e bënte të qante, por lotët kaherë i ishin shterur.

KAPITULLI I TRETË

Ndërrimi i saj mbaroi. U përshëndet me disa djem, të cilët gjatë tërë pasdites në kopsht merreshin me plotësimin e disa tiketave të bastoreve, e më pas u nis për në shtëpi. I ati zakonisht zgjohej pak para darke dhe kërkonte diçka për të ngrënë, e po të mos gjente asgjë, thyente gjithçka në shtëpi dhe e shante nënën e vdekur të Jehonës. Për këtë shkak, Jehona përpiqej që të blinte diçka me paratë e bakshisheve, për t'i ikur zemërimit të të atit. Kur iu afrua shtëpisë, u befasua, pasi që pa një automobil ngjyrë argjendi, të parkuar para dere. Vërejti regjistrimin e kryeqytetit.

Dëgjoi zëra që vinin nga shtëpia dhe supozoi se i kishin ardhur mysafirë. Hyri në oborr. Dëgjoi qartë zërin e shteruar të të atit, por nuk mund të kuptonte saktësisht se çka ishte duke thënë ai. Ai belbëzonte, duke gromësirë herë pas here. Kureshtare për të parë se kush nga kryeqyteti i kishte ardhur mysafir, hyri brenda. Në dhomën e ditës pa të atin të veshur me pjesën e poshtme të pizhameve, me një kanotiere të shqyer lart dhe me birrë në dorë, sesi fliste me një njeri shtatlartë, të thinjur, të veshur me kostum. Për një moment ndjeu aromën e parfumit të shtrenjtë. I erdhi turp nga vetja, nga shishet e hedhura gjithandej, nga fytyra e parruar e atit të vet, edhe pse nuk e kishte idenë pse duhej t'i vinte turp nga një njeri i panjohur. (vijon)

(Kosova Sot Online)