Ngjarje e vërtetë: Si doli në pah lidhja që shkatërroi dy martesa (9)

  • E.K /
  • 17 June 2021 - 15:52
Ngjarje e vërtetë: Si doli në pah lidhja që shkatërroi dy martesa (9)

Ti e merr Muharremin, e unë fëmijët - i thashë atëherë dhe, merreni me mend, ajo pranoi. Them sinqerisht se më vjen keq që Muharremi dhe Diana nuk ia dolën bashkë. Ata u ndanë shpejt, e edhe më shpejt Muharremi shkoi në Gjermani. Përkundër asaj se çdo gjë mori fund me rrugë paqësore, kjo ishte një kohë e vështirë gjatë së cilës me mijëra herë e pyesja veten pse duhej të ndodhte një gjë e tillë, ku kisha gabuar, si kisha mundur të isha aq i verbër, pse kisha pritur aq gjatë, si do ta mbijetonin tërë këtë situatë vajzat tona. Kur më binin ndërmend ato, ndjeja dhembjen më të madhe.

Kisha tentuar që të bisedoja me to, që të takoheshin me nënën, t'ia falnin, por kjo nuk shkonte lehtë. Shkuarja e binjakeve te nëna gjatë fundjavës ishte bërë mundim për të gjithë ne, prandaj Diana në fund pushoi së insistuari për shoqëri, duke ua bërë me dije se do të priste me durim që t'ia falnin. Më pas, u martua shpejt me një njeri tjetër. Meri e shiti banesën të cilën Muharremi ia kishte lënë dhe gjysmën e parave i futi në bankë. Me pjesën tjetër të parave bleu për vete dhe për vajzën një banesë më të vogël. Unë i ndihmova që të ishte afër shtëpisë sime, në mënyrë që unë dhe vajzat t'i ndihmonim sa herë që të kishte nevojë.

Kështu vajza e Merit i kalonte mbrëmjet te ne sa herë që nënën e kishte në ndërrim të dytë, e kur ajo ishte në ndërrim të tretë, vajza bunte te ne. Bashkë shkonim për blerjen e ushqimit, meqë Meri nuk kishte veturë. Ajo, në anën tjetër, na ndihmonte rreth punëve të shtëpisë dhe na kishte mësuar që të përgatisnim ushqime. Pushimet verore i kaluam së bashku, në shtëpinë tonë në bregdet. Nuk e di se si, por kjo kohë e keqe thjesht kaloi. Në punë, në mendimet rreth së kaluarës, rreth përkujdesjes për fëmijët. Në një moment, pasi që binjaket diplomuan dhe u punësuan, mendova sesi kisha kryer një detyrë të madhe jetësore. Edhe punën e kisha të mirë. Disi natyrshëm doja që të bëja diçka të mirë për veten dhe me ditë të tëra mendoja për këtë. E, më pas, mendimi mu imponua vetë.

Diçka të bukur meriton edhe Meri, mikesha dhe shoqja ime, prandaj vendosa që ta përfshija edhe atë në këtë punë. - Hajde ti dhe unë le të bëjmë diçka të mirë për ne. Mundemi p.sh. të udhëtojmë diku. Në Paris, në Romë, Moskë. Ku të duash. Nëse dëshiron që të udhëtosh diku vetëm, unë do t'i paguaj shpenzimet. Le të jetë kjo një dhuratë e imja në emër të tërë asaj që kemi kaluar bashkë. - Megjithatë, unë më me dëshirë do të udhëtoja bashkë me ju - tha ajo duke buzëqeshur. Pas asaj buzëqeshjeje të bukur të saj, ndjeva njëfarë dashurie ndaj saj dhe i thashë: - Le të fillojmë nga Parisi. Sapo hipëm në avion, raporti midis meje dhe Merit u ndryshua. Kisha përshtypjen sikur e kisha partnere, e jo shoqe. Edhe ajo sillej ashtu. Me qëllim të vërtetimit të ndjenjave të mia, derisa ishim në avion e kapa për dore. Ajo nuk e tërhoqi dorën. Edhe pse kishim rezervuar dy dhoma singëll, ne tani e shfrytëzonim vetëm njërën. Putheshim rrugëve të Parisit dhe kënaqeshim me njëri-tjetrin. As unë, e as ajo nuk mund të ishte kaq e thjeshtë. Shumë të lumtur, u kthyem në shtëpi, të vendosur që ta bënim publike lidhjen tonë. Duket se të tjerët u befasuan më pak se ne. FUND

NGA NESËR MUND TË LEXONI TREGIMIN E VËRTETË:

"AVENTURA E FUNDIT JASHTËMARTESORE"

(Kosova Sot Online)