Roman dashurie: Një jetë më e mirë (6)

  • E.K /
  • 18 June 2021 - 15:54
Roman dashurie: Një jetë më e mirë (6)

Për një moment mendoi mos i ati e donte në njëfarë mënyre të vet, se megjithatë, gjatë atyre momenteve të shkurtra sa nuk ishte i dehur e dinte se edhe ajo ishte aty, me të, por për shkak të alkoolit i harronte të gjitha. Mirëpo, vazhdimi i fjalëve të babait ndikoi si goditje, e cila ia qartësoi mendimet. - Dëshiron që të ta jap? Do ta marrësh me vete, që të bësh çka të duash me të? E, çka do të ndodhë me mua? Ajo është personi i cili sjell para në këtë shtëpi, përndryshe unë moti do ta kisha përzënë. Si të jetoj unë këtu pa të? Jehona ndjeu sikur i zihej fryma. Paratë ishin arsyeja e vetme që ende ishte në atë shtëpi.

Priste që njeriu me flokë të zbardhur të nervozohej, ta bënte një të sharë dhe të ikte me veturën e tij të përhirtë. Por, ai u kollit, u mendua paksa dhe propozoi me zë të qetë: - Sikur çdo muaj do të të dërgoja mjaft para, të themi sa rroga e vajzës, a do ta lejoje në atë rast që të vinte me mua? Në sy ia pa lakminë. Tani ai nuk ishte më i zemëruar, tani si dhelpër e lëmonte mjekrën dhe numëronte paratë në kokën e tij. Jehona nuk mund të besonte se qëndronte para dy njerëzve të gjakut të vet dhe priste që njëri nga ta, ta huazonte atë te tjetri.

Por, ishte pajtuar me të gjitha, prandaj nuk kishte dëshirë që të kundërshtonte. - Pa... si do ta di se do të mi dërgosh paratë? - Mund ta nënshkruajmë ndonjë kontratë rreth mbajtjes. Natyrisht, kjo do të ishte një marrëveshje e brendshme, sepse vështirë do të mund ta përpilonim ligjërisht ndonjë dokument rreth huazimit të një personi të rritur. I ati i saj edhe një herë mendoi e më pas buzëqeshi më me zemër sesa që e kishte parë ndonjëherë, ia zgjati dorën bashkëbiseduesit, në shenjë marrëveshjeje. - U morëm vesh, merre. Por, paratë i dua menjëherë. Selamiu u kthye kah Jehona. - Sa e ke rrogën në kafene? Asaj iu bë një duq në fyt. E shikoi të atin dhe kuptoi se shifra të cilën e tha, ishte më e lartë sesa rroga e saj e vërtetë. E bëri këtë nga frika, në mënyrë që i ati të mos ndërronte mendjen. Selamiu pa bërë fjalë nxori kuletën dhe, derisa i numëronte paratë, i tha asaj që t'i përgatiste valixhet.

KAPITULLI I KATËRT

Nuk e tha as edhe një fjalë të vetme derisa dolën në autostradë. Kishte frikë se krejt kjo ishte ëndërr e saj. Vetëm pasi që e pa tabelën për kryeqytet, e diti se ishte realitet. Xhaxhai voziste shpejt dhe kjo gjë e frikësonte. Atë as që guxonte ta shikonte, meqë, për çudi, kishte frikë mos po e shihte fytyrën e ndonjë njeriu tjetër. Pyeste veten se ku ishte duke e çuar xhaxhai. Në mendimet e saj, kryeqyteti ishte një shehër tepër i madh. U ndalën në një pompë karburantesh. Ai doli nga vetura, derisa kjo vazhdonte që të qëndronte brenda, e strukur nga frika. - Hajde, shkojmë që të pimë diçka. Por, vajza nuk lëvizi. Kishte frikë që Selamiu do ta dorëzonte te disa njerëz tjerë dhe se nuk do të arrinte deri në kryeqytet. (vijon)

(Kosova Sot Online)