Ngjarje e vërtetë: Aventura e fundit jashtëmartesore (4)

  • E.K /
  • 21 June 2021 - 15:49
Ngjarje e vërtetë: Aventura e fundit jashtëmartesore (4)

- Dhe, çka me të? A do të ndryshojë kjo ndonjë gjë? Çka ka lidhje mosha me këtë që jemi duke e ndier? - Më vërshoi me pyetje. - Por, Zeshkan… - Unë të dua ty, ti më do mua. Mundohu që ta demantosh këtë. Në fund dorëzohesha. Natyrisht, nuk mund ta fajësoj vetëm të për atë që ndodhi midis nesh, meqë unë isha shumë më e pjekur dhe më me përvojë se ai dhe e dija se nuk do të duhej ta filloja një lidhje të tillë. Por, as sot e kësaj dite, përkundër të gjithave, nuk i bie pishman. Afër tij, pas aq shumë vitesh, përsëri ndihesha e gjallë. Më donte dhe e doja dhe përsëri kisha zbuluar domethënien e fjalës "pasion", fjalë të cilën kisha menduar se kurrë më nuk do ta përdorja në fjalorin tim. Gjithmonë takoheshim në banesën e tij: mjaftonte që të zbrisja dy kate më poshtë dhe t'i bija ziles. Kur ma hapte derën, mjaftonte që ta shikonim njëritjetrin, asnjë fjalë nuk nevojitej.

As atëherë, e as tani nuk ndjej ndonjë brejtje të ndërgjegjes për shkak të burrit tim. Atij nuk i lija asgjë mangu, vetëm vetes ia dhuroja marrëzinë e fundit para se të më shkelte jeta. Asnjëherë nuk kisha menduar se ajo aventurë do të mund të zgjaste, apo do të transformohej në diçka më serioze. Kjo ishte një përrallë e mirë e cila nuk mund të zgjaste më shumë se disa javë. Nuk doja që të shndërrohesha në një plakë patetike e cila me çdo kusht dëshiron ta mbajë të dashurin e vet, i cili, herët a vonë, do ta donte lirinë e vet. Për këtë shkak, dhjetë ditë më parë i thash se çdo gjë kishte marrë fund. Ia thashë këtë derisa më shtrëngonte në përqafimin e vet.

Pse, Lule? - më pyeti i habitur. - Mendoj se jemi duke ia kaluar mirë së bashku. - Më mirë të ndahemi tani, sa mund të kesh kujtime të mira për mua - ia ktheva, duke i buzëqeshur me nostalgji. - Gjithmonë do të kem mendime të mira për ty! - ma ktheu me të shpejtë. - Më beso, më mirë kështu. Që nga fillimi e kemi ditur se lidhja jonë nuk ka ardhmëri. Unë jam e martuar, e ti je i ri dhe tërë jetën e ke para vetes. - Por, nuk ka nevojë që të ndahemi tani. Mundemi... - Jo! - ia ktheva me zë vendimtar. - Menjëherë! Nuk ka kuptim që të vazhdojmë me këtë. Më vonë do të jetë shumë më vështirë.

Unë do ta kem më vështirë. Nuk doja më që të diskutoja rreth kësaj çështjeje, e ai ishte aq i arsyeshëm, saqë këtë e pranoi pa diskutime shtesë. Ai me të vërtetë e respektonte vendimin tim, meqë nga ajo ditë, sa herë që takoheshim vetëm më shikonte me butësi, më buzëqeshte dhe largohej. Edhe pse më dhembte zemra, e dija se kështu ishte më së miri. Ëndrrat nuk duhet të zgjasin tepër, meqë më pas shndërrohen në ankthe. Sot është dita e Shën Valentinit. Sikur edhe më parë, burri im e injoron këtë ditë dhe as që ma ka uruar bile. Ai doli me fëmijët diku, e unë, pasi i kreva punët e shtëpisë, dola në shoping. (vijon)

(Kosova Sot Online)