Roman dashurie: Një jetë më e mirë (9)

  • E.K /
  • 21 qershor 2021 - 15:54
Roman dashurie: Një jetë më e mirë (9)

KAPITULLI I GJASHTË

Nëntë vjet më vonë, një 'Audi' i kuq si gjaku u ndal në autostradë. Një grua me flokë ngjyrë kafe, të prera shkallëshkallë doli nga vetura, u mbështet në haubë dhe filloi ta vështronte pompën e benzinës, përtej rrugës. Automobilat kalonin afër saj, disa meshkuj ndaleshin, duke menduar se ajo kishte nevojë për ndihmë, por ajo ua bënte me dije me mirësjellje, se çdo gjë ishte në rregull. Ishte kthyer në të kaluarën, në atë ditë kur Selamiu e kishte marrë me vete, në të panjohurën.

Buzëqeshi dhe ofshau në të njëjtën kohë - sikur atëherë ndokush t'i kishte thënë se do të bëhej kjo që ishte sot, do ta konsideronte të marrë. E, ajo ishte bërë. Jehona, e cila nga provinca me vete kishte sjellë tre palë pantallona dhe disa bluza, Jehona e cila në kryeqytet kishte ardhur nga xhungla, Jehona, e cila në shfaqjen e parë teatrore kishte menduar se do të vdiste nga lumturia, tani qëndronte e mbështetur në haubën e automobilit të vet. Në trup kishte një kostum të një kreatori të njohur dhe këpucë që vlenin sa shtatë rroga të kamerierit, e në dorën e majtë kishte një unazë të bukur fejese. Për herë të parë, pas nëntë vjetëve, kthehej në qytetin e lindjes.

Pritej të binte shi. Të gjitha retë ishin mbledhur disi në një vend dhe një pikë shiu i ra në hundë. U kthye në automobil, e lëshoi CD-në e preferuar dhe përsëri filloi vozitjen. E dinte se kishte edhe një orë kohë për përtëritjen e kujtimeve, për të analizuar se kush dhe çka ishte tani. E dinte se tani me krenari mund të shëtiste në qendër të qytezës. Kishte titullin e doktoreshës, e çdo gjë në të ishte aq pedante, sa që askush nuk do ta merrte guximin që t'ia përmendte ndotësinë e dikurshme. Por, njerëzit nuk thonë më kot, ujku qimen e ndërron, e zanatin nuk e harron. Iu kujtuan të gjitha. Mozaiku i jetës më të mirë, të cilën e kishte falë Selamiut dhe Dafinës, i bëhej më i qartë me çdo metër që e kalonte. Voziste ngadalë në mënyrë që të së kaluarës t'i jepte mjaft kohë që t'i zbulohej në tërësi. Shumë gjëra i kishte harruar, bile edhe shumë përjetime të veta.

Mbante mend vetëm gjërat më të rëndësishme. Pasi që arritën në Beograd, Dafina i priti përzemërsisht. Flokët e verdha, të ngjyrosura, të dredhura mbi supe, në stilin Merilyn Monroe, venin në pah fytyrën e bukur të një gruaje rreth të dyzetave. Dafina kishte sy të mëdhenj të kaltër, një hundë përpjetë dhe një ten tepër i bardhë. Jehona që atëherë kishte vërejtur stilin e saj të veçantë të veshjes. Duke mos e ditur se do ta kishte një mysafir të paftuar për darkë, burrin e priste e veshur me një fustan të gjatë, gjysmë të tejdukshme, i cili ia përcillte vijën e trupit dhe vinte në pah thatësinë e një ish manekineje. Në vete kishte shumë stoli, e Jehonës më së shumti i pëlqente qaforja masive, e kaltër, e cila bënte një zhurmë të këndshme derisa ecte Dafina. Me kalimin e kohës Jehona mësoi shumë gjëra nga ajo grua, sidomos rreth modës, rregullimit, rreth sekreteve të vogla të femrave, etj. Të njëjtën mbrëmje e çuan në një dhomë të madhe me shumë ormanë të rregulluar dhe me një shtrat të butë, duke i thënë që të vendosej aty dhe të pastrohej në banjën që gjendej aty afër. (vijon)

(Kosova Sot Online)