Ngjarje e vërtetë: Ndërgjegjen e kam dënimin më të madh (1)

  • E.K /
  • 23 June 2021 - 15:49
Ngjarje e vërtetë: Ndërgjegjen e kam dënimin më të madh (1)

Të gjithë pyeteshin se çka kishte ndodhur me të vërtetë. Askush nuk do të mund të supozonte pse një grua e re, plot energji, do të çonte dorë kundër vetvetes së saj, mu sikur askush nuk kishte vërejtur njeriun e fshehur prapa trungut të gështenjës së vjetër. Ai njeri, apo thënë më mirë, ajo hije njeriu, isha unë. Por, deri para një viti, në jetën time çdo gjë ishte në rregull. Edhe pse, kur mendoj më mirë, çdo gjë kishte filluar shumë më parë... Me gruan time Arianën isha i martuar më shumë se njëzet vjet. Nuk kishim fëmijë, por përkundër kësaj, bënim një jetë të lumtur dhe të qetë.

Fakti që nuk mund të bëheshim prindër në fillim na ishte dukur një sprovë tepër e madhe, por më pas ishim pajtuar me fatin dhe ishim përqendruar në martesën dhe karrierën tonë. Unë, si inxhinier i makinerisë, i kisha të gjitha dyert e hapura, derisa Ariana, nga shitësja në një butik, përparoi deri te pronarja e një salloni të rrobaqepësisë me nam. Do ta teproja po të thosha se notonim në para, por kurrë nuk kemi pasur ndonjë problem financiar. Një ditë, pasi kishim kursyer mjaft, kishim vendosur që ta blinim shtëpinë e ëndrrave tona. Në fakt, ideja lindi krejt spontanisht derisa një të diel ishim duke shëtitur në një lagje të rregulluar mirë. - Oh, Fitim, shikoje këtë! - më tha e ngazëllyer Ariana, duke u ndalur pranë një prone të bukur. - Çfarë bukurie! Dhe, kishte të drejtë.

Nëpër gardhin e madhërishëm të bërë nga hekuri i kalitur dukej një pamje e barit të prerë bukur, si dhe disa pemë të vjetra, me kurora mbresëlënëse, të mëdha. Në mes të truallit gjendej shtëpia,e në të majtë të saj një liqen artificial i vogël. Në pjesën e përparme të shtëpisë ishte mbjellë një dredhkë, e cila arrinte deri te kati i dytë. - Me të vërtetë është e mrekullueshme - u pajtova me gruan time. - Duket si në përrallë. - Shiko, po kjo qenka në shitje - tha ajo duke bërtitur nga gëzimi, duke bërë me dorë kah një dërrasë me mbishkrim, të ngulur në bar. Ajo ishte tepër e eksituar. Sytë e saj të çeltë ishin në një kontrast të theksuar me flokët e saj të zezë. Ah, sa e doja! Më pëlqente gjithçka tek ajo, e edhe vetia që të ngazëllehej aq lehtë. Unë nuk isha i aftë për një spontanitet të tillë, por tani, pa hamendje, mora vendimin: - Do ta blejmë këtë shtëpi! Do ta shikojmë dhe, nëse edhe nga brenda është kaq e bukur, sa edhe nga jashtë, atëherë do të bëhet e jona. Çka thua? Ariana më shikoi me sytë e saj të hapur nga entuziazmi. 

Seriozisht e ke?! E, si do ta paguajmë këtë? - Pikësëpari, kemi kursimet tona. E, së dyti, mund të marrim kredi, duke i paguar më pas këstet dalëngadalë. Këtë mund t'ia lejojmë vetes me rrogat që i kemi. Ariana m'u hodh e entuziazmuar në përqafim. - Mrekulli! Më pas mund t'i marr e t'i mbaj në shtëpi edhe dy mace, sikur që kam dashur gjithnjë - tha ajo e gëzuar. Brenda shtëpia ishte shumë më e mirë sesa që kishim pritur. Në fakt, ajo ishte tepër e madhe për dy njerëz, por neve na pëlqente hapësira e madhe, e Ariana përfundimisht mund ta rregullonte atelienë për qepje dhe, për hobin e saj, pikturimin.

Marrë në përgjithësi, mund të ishim njerëzit më të lumtur në botë, sikur fati të mos kishte rezervuar diçka tjetër për ne. Në punë përparova, kështu që edhe rroga mu rrit. Por, me përparimin erdhën edhe obligimet më të mëdha dhe udhëtimet e shpeshta, për çka kisha gjithnjë e më pak kohë për ta kaluar në shtëpi. Ariana nuk ndihej mirë vetëm, në tërë atë shtëpi të madhe. Kishte frikë nga hajnat dhe të pastrehët, që silleshin rreth shtëpisë, kështu që përpos dy maceve, Miki dhe Mini, morëm edhe një qen pastor gjerman, Maks. Maksi e bënte Arianën që të ndihej më e qetë. (vijon)

(Kosova Sot Online)