Roman dashurie: Një jetë më e mirë (18)

  • E.K /
  • 30 June 2021 - 15:50
Roman dashurie: Një jetë më e mirë (18)

- Si e dini ju këtë? - Më ka interesuar historia e këtij qyteti kur, dy vjet më parë, kisha vendosur që të rrija këtu. I gjeta të dhënat rreth asaj familjes së varfër. Kjo më interesonte, prandaj i gjeta. Natyrisht, as që më shkonte ndërmend që trashëgimtarët e një bamirësi aq të madh mezi arrinin që të mbijetonin. - Unë do të doja që t'u jepja atyre krejt çka mund t'ju duhet! Këtë e tha me një ngazëllim të madh. - Unë do t'ua dërgoj të gjitha ato që do të m'i jepni ju. - Do të doja që edhe vetë t'i njihja ata njerëz.

Ai e shikoi me vëmendje, sikur të dyshonte që, qëllimi i saj për t'i parë ata, ishte që ata ta dinin se kush ua dhuron ato gjësende. - Ju e patë sesi duket shtëpia e babait tim. Me gjasë keni dëgjuar se ç'jetë ka bërë ai. - Kam dëgjuar diçka. - E, shikoni, deri në moshën 20-vjeçare ajo shtëpi ishte edhe shtëpia ime. Dhe, më besoni, ajo nuk ishte as atëherë më e mirë se tani. Prandaj, arsyet e mia pse dua personalisht t'i takoj anëtarët e kësaj familjeje, kanë të bëjnë me atë që kam qenë dikur.

 

Edhe mua jetën ma ndryshoi një kamion, një moment i gabueshëm i të atit tim, një sekondë në të cilën nuk kam mundur të ndikoj. Agimi vazhdonte që ta shikonte pa ndryshim të shprehjes së fytyrës. - Ju nuk keni qenë asnjëherë të varfër, prandaj e keni vështirë të më kuptoni. U befasua kur ndjeu që dora e tij kapi dorën e saj dhe e shtrëngoi. - Unë ju kuptoj. Dhe, është krejt në rregull që doni t'i njoftoni. Vetëm nuk dua t'ua marrë kohën, meqë m'u duk sikur nuk donit të humbnit kohë. Mundemi të shkojmë atje që nesër.

Jehona kishte menduar se nuk do të rrinte më shumë se një ditë këtu, e tani nuk i ngutej që të largohej. Pra, pasonte edhe një thirrje telefonike, për t'ia bërë me dije Selamiut se çdo gjë ishte në rregull. - A mund të të pyes diçka? Ajo e shikoi e frikësuar. - Më thatë se dikur keni qenë e varfër. Tani, derisa ju shikoj, e kam të vështirë t'ju paramendoj duke jetuar në atë shtëpi. Kah erdhi ky ndryshim? Ajo u ndie e lehtësuar. Sa herë që fliste rreth jetës së saj më të mirë, i rritej vetëbesimi. - Ju nuk jeni i vetmi që keni një njerk zemërgjerë. - Jeni martuar për ndonjë pasanik? Vërejti që Agimi tani kërkonte unazën në dorën e saj. - Jo, nuk jam martuar. Daja im erdhi një ditë që të më takonte. Ajo ishte dita më e lumtur në jetën time.

KAPITULLI I DHJETË

Agimi i luti djemtë që rrinin në pjesën e sipërme të kafenesë që t'i ndihmonin diçka. Jehona u habit sesi, pa përtesë, dy prej tyre menjëherë u paraqitën për të ndihmuar, me respekt në shikimin e tyre. Ua dha dokumentet e Jehonës për t'i fotokopjuar, duke i shpërblyer me para. Ata e kryen këtë punë për dhjetë minuta.

Janë fëmijë të mirë këta. Por, kam frikë mos po shkojnë udhës së gabuar. Pasi që ta mbaroj qendrën tregtare, do ta blej kinemanë e qytezës, që të bëj diçka për ta. - Mirë nga ana juaj. - E di se kjo për ju ishte tepër e mundimshme. Shkoni që të pushoni, meqë ju pret edhe një ditë e vështirë. Do t'ju ftoja me dëshirë për darkë, por kam frikë se këtë do ta kuptonit si të tepërt. Do t'ju dërgoj në hotel. Jehona nuk ishte e lodhur. Për më tepër me gjithë dëshirë di të rrinte në shoqërinë e tij, sa më shumë që të ishte e mundur. Megjithatë edhe vet kuptoi se ftesa e tij për darkë më shumë ishte shenjë e mirësjelljes. (vijon)

(Kosova Sot Online)