Ngjarje e vërtetë: Pas vdekjes së babait, mësova se kam një motër (4)

  • E.K /
  • 01 July 2021 - 15:47
Ngjarje e vërtetë: Pas vdekjes së babait, mësova se kam një motër (4)

Kam qenë sekretare e babait tënd … - tha ajo, duke më shikuar herë mua, e herë të bijën. - Ti atëherë kishe 2-3 vjet. Unë isha një bukuroshe e famshme e qytetit. Për mua shtyheshin të gjithë djemtë e qytetit. Kam mundur ta zgjidhja kë të doja, por unë zgjodha një të martuar. Ai m'u ankua në ftohtësinë në raport me gruan, në shtrat, në jetë, në shpirt. Donte të kishte ende fëmijë, e unë e doja atë, e edhe tërë botën me të. Por, Zoti kishte plan tjetër: mora vesh se kisha ngelur shtatzënë. Kur ia kumtova këtë lajm, ai sa nuk u çmend nga gëzimi. Mendonte që të më përparonte me post në punë, të ma rriste rrogën, të ma blinte një banesë, një veturë... Asokohe puna i shkonte si mos më mirë.

Donte të bënte gjithçka për mua, me përjashtim të shkurorëzimit. Frikohej që gruaja, në rast të shkurorëzimit, do t'ia merrte të gjitha, sepse edhe ajo kishte të njëjtën meritë për zhvillimin e kompanisë, sa edhe ai. Derisa i dëgjoja këto fjalë, më dukej se isha duke e shikuar ndonjë film dokumentar rreth një jete të huaj dhe rreth disa njerëzve të panjohur, duke mos mundur t'i lidhja të gjitha. Zonja pinte cigare pas cigareje, e unë me padurim prisja vazhdimin.

Të gjitha m'i tha ai vetë... Babai yt kishte një zemër të madhe, ishte burrë i vërtetë. Nuk doja as të mendoja që tërë jetën të mbesja vetëm e dashura e tij. Mendoja, më mirë të rri vetëm, sepse ai i takon asaj tjetrës. Më betohej se nuk e donte, më qante në përqafim dhe më luste në gjunjë, por unë nuk desha që të vazhdoja lidhjen me të, sipas kushteve të tij. Që muajin e ardhshëm më pushuan nga puna. Thuhej se zonja i kishte rënë në fije se çka ishte duke ndodhur, e ai nuk kishte mundur a guxuar që ta kundërshtonte. Ia kapi dorën vajzës, derisa ajo si e magjepsur për herë të parë në jetë dëgjonte rrëfimin rreth nënës së saj, por edhe për veten e saj. 

As që më shkonte mendja për abort dhe ky ishte vendimi më i mirë në jetën time. Prindërit kurrë nuk ma falën këtë kabahat, shumë njerëz të tjerë nuk më kuptuan, por unë më pas fitova dikë që më donte me gjithë zemrën dhe kjo mi kompensonte të gjitha. Kur linde ti, e dashura ime, babai yt ma dërgoi një buqetë të madhe me lule dhe një qafore të artë. E dinte se i kishte lindur vajzë. Kishte pyetur të tjerët se a i ngjante e bija, por sikur që atëherë ia ktheva këto dhurata, kështu edhe më pas kurrë nuk kam pranuar asgjë nga ai. Kam refuzuar çdo dhuratë të tij. Tani edhe vajza u shkreh në vaj. Asaj ishte evidente se i kishte munguar babai gjatë tërë jetës, të cilin unë e kisha, të paktën në letër. Dhe, tani nga ajo filloi që të dilte zemërimi. - Nuk mundja, e dashur. Ai njeri ma hëngri zemrën. Nuk mund ta lejoja që të të afrohej, meqë kisha frikë se do të të lëndonte edhe ty, sikurse mua. (vijon)

(Kosova Sot Online)