Ngjarje e vërtetë: Si u martova me një burrë shumë më të vjetër (3)

  • G.G /
  • 05 July 2021 - 15:16
Ngjarje e vërtetë: Si u martova me një burrë shumë më të vjetër (3)

Kuptova çka donte të më thoshte Dreni, por më pëlqente që ta tallja herë pas here. Në këtë mënyrë vërtetoja se sa më donte, si dhe a i isha bërë bajat. Por, në të njëjtën kohë, as që më shkonte ndërmend që ai, si më i vjetër që ishte, duhej të përkujdesej më shumë për atë punë, meqë ai i ka kaluar sfidat e rinisë. Nuk e di a mendonte për këtë gjë kur ma kërkoi dorën. Më dukej se jo. Për të rëndësi kishte rinia ime, e për mua, mosha e tij. Kjo mund të funksiononte një kohë të caktuar.

Ai duhej ta dinte një gjë të tillë. duhej ta dinte se, pasi që do të martohesha me të, nuk do të bëhesha e padukshme për meshkujt e tjerë. Sillej sikur ta kishte fituar ndonjë trofe, të cilin kurrë më askush nuk do të guxonte t'ia prekte.

Do të rreja sikur të thosha se, bashkë me Drenin, më mungonte ndonjë gjë. Kisha tërë dashurinë dhe vëmendjen e tij. E dija se gjithmonë mund të llogaritsha në të dhe e vetmja gjë që duhej të kisha kujdes, ishte që të mos ngelja me barrë. Në fakt, Dreni që në fillim më tha se nuk dëshiron të më ndajë me askënd, bile as me fëmijët. Ndoshta do të ishte më mirë sikur atë çështje ta kishim lënë të hapur. Me një fëmijë në duar, me gjasë nuk do t'ua vija veshin komplimenteve, e aq më pak meshkujve me të cilët e krahasoja gjithnjë e më shpesh Drenin.

Se si filloi kjo, nuk di ta them. Nuk më kujtohet as momenti kur hetova se Dreni ka rrudha të theksuara rreth syve. Ky rikujtim i vogël rreth moshës së tij ishte i mirëseardhur kur njoha Agimin. E, për të, në fillim mendova se ishte më i vjetër se unë disa vite, por më pas doli se ishim moshatarë. Kalonte pranë dyqanit ku blija unë. Sapo dilja nga ai dyqan me qesen plot portokaj, kur ai u ndesh me mua. Portokajtë u shpërndanë nëpër trotuar, e ai e zgjati dorën që të më mbante, që të mos rrëzohesha. - Harroji portokajtë. Do të t'i kompensoj - më tha ai, duke më mbajtur fort.

- Çka thua që të mos më shtrëngosh kaq fort? Do të ma nxjerrësh dorën nga vendi - i thashë duke buzëqeshur. - Mu desh të të kapja. Nuk do t'ia falja vetes po të rrëzoheshit edhe ju. A jeni mirë? - Mirë jam - thashë duke vazhduar së buzëqeshuri. Ai më tha që ta prisja derisa të blinte diçka në dyqan. Nga aty doli me dy qese plot dhe më tha se do të mi jepte vetëm pasi që do ta pinim një kafe aty diku afër. Unë pranova. Një kafe me një mashkull të pashëm vetëm sa do të më kënaqte, s'kishte çka të më bënte. Shkuam në kafene, ku këmbyem numrat e telefonit.

Provova fshehurazi ta hiqja unazën nga gishti, por ai më befasoi kur më tha se nuk i pengonte fakti që isha e martuar. Ai më tha se edhe vet kishte përfunduar në një martesë të padëshirueshme, nga e cila doli sapo iu dha rasti i parë. - Nuk të donte? - e pyeta. - Jo, jo. Ajo më donte dhe unë e doja, por thjesht, nuk mund të mos shkoja me të tjerat.

- Këtë duhej t'ia kishe thënë para se të martoheshe me të. - Duhej, por unë nuk e dija. Vetëm pasi u bëra rob, kuptova se çka kisha humbur. Sikur edhe ti, pak a shumë. - Këtu e ke gabim. Martesa ime është mjaft e mirë. Dreni më do… - Kurrë nuk ke menduar ta mashtrosh? - Jo. - Ka një arsye pse nuk mund të të besoj - tha ai. Dhe, më së shumti më befasoi fakti se as vet nuk besoja në atë që thosha, por problemi qëndronte te fakti se për këtë u bëra e vetëdijshme vetëm pasi foli Agimi. Por, përkundër kësaj, nuk doja të pajtohesha me të. Të paktën jo atë ditë. (vijon) 

(Kosova Sot Online)