Ngjarje e vërtetë: Fati na bashkoi pas 15 vjetësh(1)

  • G.G /
  • 08 July 2021 - 12:38
Ngjarje e vërtetë: Fati na bashkoi pas 15 vjetësh(1)

Ishte kjo njëra nga ato ditët që quhen vendimtare, kur lumi i jetës sime, i shpejtë dhe plot të papritura, ishte qetësuar dhe kishte ofruar valë që ledhatojnë. E kisha pritur atë ditë i shqetësuar dhe me mendime të gëzueshme. I kisha planifikuar obligimet duke u bazuar në atë ditë. Çdo ditë bisedoja rreth udhëtimit tim në bjeshkë.

Lavdërohesha. Shpesh them: ndodhi rastësisht dhe, më vjen turp sikur të kisha bërë ndonjë sharje të keqe. Nuk ishte rastësisht. Asgjë në botë nuk ndodhte rastësisht. Rasti im nuk ishte i pashpjegueshëm. Kishte rregullsi në të. E tëra kishte filluar në kokën e Lirak Samisë, shokut tim nga ushtria ditën e ditëlindjes së katërt të djalit të tij, ai na kishte qerasur në kazermë.

Torta dhe pijet që na i kishte servuar, e që ia kishin dërguar nga shtëpia, na kishin mbushur entuziazëm. Në orën katër dhe tetëmbëdhjetë minuta, Liraku u ngrit dhe e hapi dritaren. - Tani biri im i fikë qirinjtë, diku atje larg, në shtëpi. Të njëjtin moment ishin fikur qirinjtë. Meqë atë moment nuk kishte kurrfarë ere, ne mbetëm të çuditur. Si të magjepsur.

Liraku e mori veten i pari. Më premtoi se, kur një ditë ta niste djalin e tij ushtar, unë do të isha mysafiri i tij i nderit. Kjo më preku. Ishim shokë të ngushtë, por këtë gjë nuk e kisha pritur. U përgjigja me të shpejtë: - Lirak, kjo do të jetë dhurata ime për djalin tënd!, i thashë duke një orë të shkëlqyeshme të xhepit, me shqipen dykrenore të gdhendur në të. Kjo ishte ora e gjyshit tim, të cilën askush nuk e di se ku e kishte marrë. Ditën që isha nisur ushtar, babai ma kishte dhënë atë orë. Besoja se shoqëria jonë do të vazhdonte edhe pas ushtrisë, por nuk ndodhi ashtu.

Të çuditshme janë fatet dhe rrugët njerëzore. Lirakun nuk e pashë më, por as nuk e harrova. Në mendimet e mia, në kujtimet më të mira, mbaja edhe ngjarjen e asaj pasditeje. Nuk harrohen ngjarjet e fuqishme, kujtimet e sinqerta. Për fat, këtë ngjarje nga ditët e ushtrisë ia kisha treguar edhe nënës sime. Ndonjëherë më pyeste a kisha folur me shokët e ushtrisë. - Ka kohë që nuk kemi folur! - e rreja, duke e luajtur kokën. Më vinte turp nga rrenat, por megjithatë shpresoja se do të takoheshim një ditë. Shpresoja që ai të mos më kishte harruar në tërësi. Ende më ngrohte flaka e atyre qirinjve.

Kjo kishte më së shumti rëndësi. Atëherë dhe gjatë viteve në vazhdim. Pas mbarimit të ushtrisë, në fshat, nuk kishte mundësi, e as vullnet që jeta të bëhej për nga dëshirat personale. E, çka d.m.th. të jetoje me shpresën se një rastësi do të ndikojë në jetën tënde? Doja të studioja. Shkova në kryeqytet dhe u drejtova kah fakulteti ekonomik. Në vendkalimin për kalimtar e takova një mik tjetër nga ushtria, Jetmirin. U ndala dhe u përshëndetëm. Më ftoi që diku ta pinim nga një pije. (vijon)

(Kosova Sot Online)