Roman dashurie: Një jetë më e mirë (32)

  • G.G /
  • 14 July 2021 - 12:58
Roman dashurie: Një jetë më e mirë (32)

 Kam obligime. Atje është jeta ime. Unë kam ikur nga këtu, nuk ka kuptim që të kthehem. - A nuk është dashuria arsye e mirë që të kthehesh, a? A nuk mjaftoj unë që ti përsëri t'i duash këta njerëz dhe këtë vend? - Zot, sa e hutuar që jam. Nuk e di se çka është duke më ndodhë. Do të doja të rrija, por... Jo, mos më detyro! Më duhet ta mendoj me kokë të ftohur. Ai ofshau dhe ia lëshoi dorën. - Ke të drejtë. Nuk është me mend të ta imponoj që të bësh ndonjë gjë. Ti duhet vet ta dëshirosh një gjë të tillë. Shko në shtëpi, kthehu te ajo që e konsideron jetë tënde.

Unë do të jem këtu. Kur ta marrësh vendimin, atëherë vepro sipas saj. Nuk do të të thërras. Do të të lë që vetë ta marrësh vesh se çka dëshiron. Ajo pohoi me kokë, e piu kafen dhe shkoi që t'i përgatiste valixhet. Celulari i saj gjatë 24 orëve të fundit ishte i shkyçur dhe nuk e merrte guximin që ta ndizte. Ai e hodhi valixhen në gepek dhe e përqafoi atë.

- Vozit me kujdes, ende është rrëshqitshëm. - Mos u brengos. Ajo e puthi atë sikur të ishte puthja e fundit e tyre. Në fakt, ndihej sikur kjo të ishte edhe me të vërtetë hera e fundit që shiheshin. Mezi u ndanë. Para se të largohej, ai i tha: - Dëgjoje zemrën tënde! Arsyeja këtu nuk ka vend! Mezi arriti që t'i buzëqeshte, e më pas e përshpejtoi veturën, duke dashur që të ikte nga ajo situatë e vështirë.

- Ti je një person i papërgjegjshëm dhe egoist! Shkon për një ditë, e rri tri. Përpos kësaj e shkyç edhe celularin, duke më bërë të shqetësohesha, se mos ke pësuar ndonjë fatkeqësi, a je apo nuk je gjallë! - Më fal, ma lëshoi bateria.

E, mbushësin nuk e kisha marrë me vete. - A nuk ka atje telefon fiks, a? - Ka, por... - Por, ti nuk e ndjeve për obligim që të lajmëroheshe? Pse qëndrove edhe një ditë, pasi që më the se do të ktheheshe menjëherë? - Priteshin të reshura të mëdha të dëborës. Nuk guxoja. - Sikur të ishe në ndonjë shtet tjetër. Si nuk paskam dëgjuar unë rreth këtyre prognozave për borë? - Nuk e di... atje kështu thoshin. Lazimi shëtiste si luan. - Vetëm edhe kjo më duhej.

Sikur të mos kisha mjaft stres në punë, por më duhet edhe një stres dhe problem shtesë. - Unë nuk jam problem. - Je, je. Edhe atë i madh, bile! - Nëse paraqes problem për ty, atëherë pse nuk më heq qafe? Ai e shikoi me zemërim në sy. Përnjëherë asaj ai iu duk tepër i shëmtuar. - Çka the? - Atë që dëgjove. Nëse unë jam problem për ty, atëherë këtë do ta zgjidhim shumë lehtë. - Dëshiron të thuash se mund të ndahemi? - Po. Kjo më duket zgjidhja më e mirë. Unë nuk dua të të jap llogari, nuk jam axhami, e ti më pas do ta kishe më të lehtë që të përqendroheshe te imazhi dhe stili i këngëtareve. Kësaj here Lazimi e uli tonin, pasi që pa se Jehona e kishte seriozisht.

- Mirë, hajde le të qetësohemi, e të bisedojmë shtruar. Është absurde që të ndahemi, për shkak të një papërgjegjësie nga ana jote. Ai iu afrua dhe e puthi në qafë. Ajo ndjeu një ftohtësi, bile edhe u dridh. E shtyu, duke e larguar nga vetja. - Pse më shtynë? - Nuk e di. Nuk jam e disponuar për puthje. - Mirë, do të të lë të qetë. Edhe ashtu, jam për ngut që të shkoj në mbledhje me floktarët dhe grimerin. Duhet të merremi vesh rreth disa imtësive. Shihemi sonte, e më pas edhe do të puthemi. (vijon) 

(Kosova Sot Online)