Roman dashurie:Si u dashurova në ty(1)

  • G.G /
  • 19 July 2021 - 11:23
Roman dashurie:Si u dashurova në ty(1)

KAPITULLI I PARË Nuk isha gjithmonë e dashuruar në Colton Calloway-n; më parë e doja vëllain e tij më të ri, Kyle. Kyle ishte dashuria ime e parë, e vërtetë, i pari për mua në çdo aspekt. Jam rritur afër familjes Calloway. Kyle dhe unë ishim moshatarë, nënat na kishin lindur në të njëjtin spital, dy ditë ndërmjet. Kyle ishte ai që ishte dy ditë më i madh se unë, gjë që më irritonte pa masë. Edhe pse ishin në pyetje vetëm dy ditë, kjo i mjaftonte Kyle-it që të krekosej dhe të ma nxinte jetën.

Që kur ishim bebe, luanim bashkë, duke ndarë lodrat e djemve dhe ato të vajzave (Kyle luante me kukulla po aq sa edhe unë derisa mbushëm 3 vjeç, kështu që unë shpesh e tallja atë për këtë fakt). Mësuam bashkë t'iu grahnim biçikletave. Na mësoi im at, meqë z. Calloway ishte kongresist dhe rrallë rrinte në shtëpi. Shkonim në shkollë bashkë, i bënim bashkë detyrat e shtëpisë. Mbi të gjitha, ishim shokë të mirë. Por, gjithnjë më dukej se nënkuptohej se do të përfundonim në shtrat, po ashtu bashkë. Natyrisht, kjo ishte vetëm një... supozim. I ati i tij kongresist, babai im biznesmen i suksesshëm, d.m.th. nuk kishim pengesa sociale që të ishim së bashku. Edhe pse, është evidente se unë nuk jam e përkryer, i kam ca të meta.

Disi i kam kryqet tepër të gjera për gjatësinë që kam dhe gjoksi im disi është tepër i madh, por nuk është se mërzitem fort për këto gjëra. Nuk ishim të vetëdijshëm rreth këtyre supozimeve deri në vitin e parë të studimeve. Deri në atë kohë ishim miqtë më të mirë, por vetëm miq. Kurrë nuk kam qenë ndonjë vajzë e trentë për djem. Babai im konservator nuk do ta lejonte një gjë të tillë. Ai nuk më lejoi që të dilja me djem derisa mbusha 16 vjet.

Kështu, një javë pasi mbusha të gjashtëmbëdhjetat, Jason Dorsey më thirri në takim. Jason mund të matet me Kyle-in sa i përket përsosmërisë komplete. Ai është biond, derisa Kyle ka flokët zi si futa, si dhe ka më shumë muskuj, krahasuar me trupin elegant, të lëmuar të Kyle-it. Por, as që hezitova kur Jason më pyeti a mund të hanim darkë bashkë. Çdo vajzë e shkollës mezi prisnin që Kyle, apo Jason, t'i ftonin për të dalë. E, unë Kyle-in e kisha shokun më të ngushtë, derisa Jason më kishte ftuar në takim. Ai më ftoi në takim në korridorin e shkollës, kështu që të gjithë e dëgjuan dhe e panë një gjë të tillë.

Të gjithë ishin xhelozë ndaj nesh. Pasi mbaruam orët e mësimit, takova Kyle-in pranë veturës së tij "Camaro", ku edhe takoheshim çdo ditë. U nisëm duke i fërkuar rrotat. Kyle bënte kinse voziste shpejt dhe shkujdesur, por në fakt ai ishte një shofer tepër i mirë, kështu që kurrë nuk frikësohesha kur isha me të në veturë. I ati i tij kishte angazhuar një agjent të FBI-së për t'ia mësuar vozitjen, kështu që Kyle, pa problem, mund t'iu ikte shumicës së policëve të qytetit, po qe nevoja. "A di çka?", i thashë, e eksituar, pasi që Kyle ktheu në sokakun tonë. Ai më shikoi me një shikim pyetës, e unë ia ngjita për krahu, duke i thënë: "Jason Dorsey më thirri në takim! Do të hamë darkë së bashku, sonte!" (vijon)

(Kosova Sot Online)